Debati politik dhe përplasja me akuza të ndërsjellta midis Sali Berishës dhe Lulzim Bashës po i dërgon në dyert e gjykatave.
Ditën e hënë Dhomën Civile të Gjykatës së Tiranës është dorëzuar kërkesa nga Partia Demokratike për përditësimin e ndryshimeve që iu bënë statutit në Kuvendin Kombëtar të mbajtur më 17 korrik të këtij viti, pak më shumë se një muaj pas rizgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të kësaj partie.
Po në këtë gjykatë janë depozituar ndryshimet e miratuara në Kuvendin e Sali Berishës më 11 dhjetor. Dërgimi i vulës dhe statutit të PD në derën e gjykatës duket se e pret një kalvar gjyqesh deri në marrjen e një vendimi.
Kujtojmë se ditën e hënë PD zyrtare depozitoi kërkesën për regjistrimin e statutit të korrikut, në Selinë e PD-së zhvillohej beteja e radhës mes Berishës dhe Bashës.
Sali Berisha hyri brenda godinës në krye të atij që e quan Komisioni i Rithemelimit dhe mbështetës të tjerë, siç tha për të zhvilluar mbledhjen e parë, ndërsa Basha mbajti një mbledhje për organizimin e zgjedhjeve në FRPD, që ka mbetur pa kryetar pas shkarkimit të Belind Këlliçit.
Mbështetësit e Bashës akuzuan Berishën për uzurpim të Partisë Demokratike, ndërsa mbështetësit e Berishës, përfshirë këtu edhe deputetin Belind Këlliçi akuzuan se Basha po mban partinë me njerëz të armatosur dhe të maskuar.
Berisha nuk u ndal me kaq ai mbajti një konferencë për shtyp nga selia e PD-së ku në të gjithë fjalën e konsideroi Bashën të shkarkuar dhe u bëri thirrje demokratëve që të bashkohen rreth tij.
Basha pasoi me një tjetër konferencë të gjatë po për mediat, ku e akuzoi Berishën për ’97, 21 janarin dhe ftoi demokratët që t’i bashkohen në Kuvendin e 18 dhjetorit, siç tha, për të flakur pas të shkuarën.
Këtyre akuzave të Bashës për Sali Berishë i përgjigj Edi Paloka duke i kujtuar se po lufton vetëm të mbajë vulën. Ditën tjetër në zyrën e Lulzim Bashës mësyjnë ambasadorët me të lart në Shqipëri.
Debati dhe pesha politike e Bashës dhe Berishës do varen nga delegatët dhe verifikimi i tyre sipas pozicionit që ato mbajnë në partinë demokratike. Sali Berisha mbajti një Kuvend duke pretenduar se të pranishëm më 11 dhjetor ishin 4935 delegatë.
Ndërsa Basha pretendon se 5200 delegatë kanë firmosur për 18 dhjetorin. Delegatët e parë shkarkuan Bashën ndërsa këto të dytët do shkarkojnë Berishën.
E gjitha kjo duket se do i çoj drejt gjykatës pasi Berisha nuk i njeh institucionet e PD dhe Basha nuk e nje Kuvendin e Berishës.