Lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka reaguar në rrjetet sociale me një mesazh për demokratët. Ai tha se çdo demokrat që ka kaluar nga Berisha është pjesë e PD-së.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas mbledhjes së Kuvendit Kombëtar është shprehur për të ardhmen e partisë. Ndërsa i ka falënderuar për angazhimin dhe përkushtimin e treguar në Partinë Demokratike, Basha thekson se pavarësisht presionit ata nuk janë ndalur në punën e tyre. Kryedemokrati Basha shton se qëllimi i vetëm është rrëzimi i kryeministrit Edi Rama dhe forcimi i Partisë Demokratike. Në një reagim në rrjetet sociale, Basha shkruan duke falenderuar demokratët për përkushtimin dhe për të ardhmen e PD-së. “Të nderuar anëtare të Kuvendit Kombëtar, të dashur demokratë e demokratë! Ju falenderoj më mirënjohje për kontributin tuaj, për angazhimin dhe përkushtimin për të ardhmen e Partisë Demokratike”, është shprehur Basha. Ai tha se për demokratët këto kanë qenë ditë të vështira, ndërsa thekson në reagimin e tij se nuk është problem “kryetari” sesa fati i Partisë Demokaratike. “E di që nuk kanë qenë ditë të lehta për ju, e di që keni qenë nën presion, por më mirë se kushdo ju e dini se këtu nuk bëhet fjalë për fatin e një individi por për fatin e PD-së”, shkruan Basha. Kreu i demokratëve tha se të gjithë duhet të jemi të mirëkuptuar për të forcuar Partinë Demokratike. “Ne duhet të vazhdojmë rrugën tonë, duke mirëkuptuar cdonjerin prej nesh që sot, për shumë arsye kanë mendime të tjera por askush nuk është i tepërt, të gjithë janë pjesë e familjes tonë. Unë kam dëgjuar çdo kritike dhe natyrisht i mirëpres pa asnjë paragjykim, sepse në të gjithë së bashku kemi vetëm një qëllim, një Parti Demokratike të fortë dhe rrëzimin e Edi Ramës. Mirënjohje dhe respekt për secilin prej jush”, shkruan Lulzim Basha. Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur të shtunën në Pallatin e Kongreseve ka miratuar një rezolutë të Këshillit Kombëtar të PD. Kryetari i PD, Lulzim Basha ka postuar videon me momentet më të bukura të Kuvendit Kombëtar. “Jam krenar për guximin me të cilin Kuvendi Kombëtar vendosi të zgjedhë të ardhmen, vendosi të hapë një faqe të re për Partinë Demokratike, për ta shndërruar atë në alternativën më të pastër, në shpresën më të bukur që shqiptarët kanë për ndryshim”, shkroi Basha. Pas përfundimit të Kuvendit Kombëtar, Basha tha se do të qëndrojnë në shtëpinë e demokratëve duke iu referuar selisë së PD. Sa i përket referendumit të mbajtur nga Berisha për shkarkimin e tij, Basha mohon të ketë pasur një të tillë duke thënë se ka një PD dhe një Kuvend Kombëtar. “Është mbajtur Kuvendi i demokratëve. Ka njerëz që nuk nxjerrin mësim nga historia. 96 është një njollë turpi në historinë e PD për të cilën i kërkojmë falje shqiptarëve. Nuk mund të ketë më përsëritje. Kjo është shtëpia e demokratëve. Demokratët janë krenarë për atë që kanë arritur. Mund të kishim qenë vendi i parë nga të gjithë vendet lindore që mund të ishim anëtarësuar në BE. Përgjegjësi për këtë kanë ata që për interesat e tyre, interesin e tij personal, Sali Berisha president i asaj kohe pranoi një standard zgjedhor të papranueshëm. E sotmja tregoi qartë vullnetin e demokratëve”, tha Basha. ai tha se do të qëndrojmë të qetë në shtëpinë e demokratëve. “Ne do të qëndrojmë të qetë në shtëpinë e demokratëve që është shtëpia e lirisë, do të qëndrojmë me vetëdije për të gjithë gabimet tona të të kaluarës duke përfshirë atë që vuri në lëvizje pastaj një revansh 8 vjeçar mbi Shqipërinë, demokracinë, PD dhe të gjithë shqiptarët që ndaloi atë që do të kishte sjellë sot Shqipërinë në BE, por gabimet e kaluarës, sidomos kur përsëriten në mënyrë tragji-komike nuk do ta marrin peng më demokratët. Sot ka patur vetëm një aktivitet të PD dhe ka qenë Kuvendi Kombëtar i demokratëve”, tha Basha.