Ish-kryeministri, Sali Berisha, duket se ka marrë frenat e PD-së, duke rrëmbyer edhe postin e kryetarit “de facto”. Sot pritet të organizojë protestën kundër qeverisë për inceneratorët dhe vizitën e presidentit serb Vuçiç në Tiranë.
Ish-kryeministri, Sali Berisha ka paralajmëruar ditën e shtunë nisjen e protestave. Pas referendumit, që mori rrezultate pozitive, të paktën nga shifrat e publikuara nga “Rithemelimi”, Sali Berisha po “operon” në terren si kryetar i Partisë Demokratike. Pas dy sfidave me Bashën, që ishin Kuvendi i 11 Dhjetorit dhe referendumi, Berisha sot fillon me protestat masive. Nëpërmjet një statusi në ‘Facebook’, Sali Berisha ka zbuluar detaje rreth protestës së thirrur për ditën e sotme. Ai ka shkruar se demokratët apo qytetarët duhet t’i bashkohen protestës për dy arsye: kundër vjedhjes me inceneratorët dhe siç e quan ai, paktit antikombëtar Rama-Vuçiç. “Mbledhja e protestuesve do të bëhet tek selia e PD-së për të vijuar me tej drejt Kryeministrisë, në orën 16:00”, shkruhet në njoftimin e Berishës. Kujtojmë se ditën e nesërme (sot) në Tiranë do të jetë presidenti serb Aleksandër Vuçiç në kuadër të takimit ‘OpenBalkan’, projekt ky i kundërshtuar nga ish-kryeministri Berisha. Një ditë pas referendumit ku u votua për shkarkimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD-së, ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar përmes një mesazhi në rrjetet sociale. Ai ka postuar edhe një video të ish-sekretarit amerikan të shtetit James Baker gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë. “Nderim dhe mirënjohje të pakufishme 44 mijë demokratëve që me votën e tyre të lirë morën në dorë fatin e tyre!”, shkruan Berisha. Në videon në fjalë Baker thotë se; “Ju jeni të lirë të besoni atë që dëshironi. Më në fund ju jeni të lirë të pohoni atë që të dëshironi. Më në fund ju jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj”.
Akuzat- kundërakuzat
Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi dje në rrjetet sociale disa foto që tregonin efektivë të RENEA-s dhe Gardës së Republikës në një tarracë, teksa shkruante se këta efektivë ishin të vendosur mbi selinë e Partisë Demokratike. Akuzave të tij i është përgjigjur nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili shkruan se ato foto janë fotomontazhe të dëshpëruara të Sali Berishës, ashtu si çdo akt i ish-kryeministrit. Ai ka publikuar edhe fotot e vërteta sipas tij, që janë nga protesta e opozitës në vitin 2019, me efektivët të vendosur mbi selinë e kryeministrisë. “Shpifjet, akuzat e rreme apo fotomontazhet ndaj cdokujt që mendon kundër ishin dhe mbeten metoda bolshevike me të cilat funksionoi regjimi i shkuar dhe nostalgjikët e tij që janë ende në qarkullim. PD nuk është peng i së shkuares dhe e mentaliteti enverist. Selia e saj është e demokratëve dhe nuk ka as forca speciale as policë të Edi Ramës në të. Fotomontazhet e halleve të Sali Berishës janë sa shpifëse aq dhe të dëshpëruara, si çdo akt i tij gjatë muajve të fundit. Në epokën moderne të internetit me një kërkim në google gjendet lehtë se fotomontazhi i SB është një foto e shkrepur ne vitin 2019 në tarracën e Kryeministrisë”, shkruan Alibeaj.