Kreu i demokratëve Lulzim Basha ka reaguar për bllokimin e komisionit hetimor për inceneratorët. Ai shkruan se bllokimi i Komisionit Hetimor për mafien e inceneratorëve nga PS është i jashtëligjshëm dhe antikushtetues.
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të mazhorancës për të bojkotuar komisionin hetimor për inceneratorët. Basha shkruan në “facebook” se “bllokimi i këtij komisioni nga PS është jo vetëm i jashtëligjshëm dhe antikushtetues, por demaskon kokat e vërteta që kërkojnë t’i fshihen drejtësisë, për dëmin prej 430 milionë euro që u kanë shkaktuar familjeve shqiptare”. Sipas kreut të demokratëve, bllokimi i komisionit është antikushtetues dhe i jashtëligjshëm. “Bllokimi i Komisionit Hetimor për mafien e inceneratorëve nga Partia Socialiste, është jo vetëm i jashtëligjshëm dhe antikushtetues, por demaskon kokat e vërteta që kërkojnë t’i fshihen drejtësisë, për dëmin prej 430 milionë euro që u kanë shkaktuar familjeve shqiptare”, tha ai. Sipas kreut të demokratëve, lufta ndaj korrupsionit është jetike. Lufta kundër korrupsionit është jetike për Shqipërinë dhe përpjekjet e qeverisë më të korruptuar në rajon, për të penguar transparencën dhe hetimin parlamentar, nuk do ta ndalin misionin tim dhe të Partisë Demokratike në përballjen me armikun e mirëqenies së shqiptarëve”, shkruan Basha.
Komisioni
Partia Demokratike ka denoncuar mungesën e deputetëve socialistë në mbledhjen e Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Në një njoftim të shpërndarë nga zyra e shtypit e PD-së, thuhet se ky komision u bllokua qëllimisht nga Partia Socialiste për të penguar hetimet, një javë pas arretsimit të ish-ministrit, Lefter Koka. “Hetimi i Komisionit për Inceneratorët u bllokua sot nga Partia Socialiste. Deputetët e saj nuk morën pjesë sot në mbledhjen e lajmëruar më herët nga kryetarja e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku. Mospjesëmarrja e deputetëve socialistë ndikon në mosarritjen e kuorumit për shumicën, duke bllokuar kështu hetimin për incineratorët. Mbledhja e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve u bllokua nga PS-ja një javë pas arrestimit nga SPAK të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka”, thuhet në njoftim. Partia Demokratike dërgoi në SPAK padinë penale për inceneratorët në tetor 2020. “Kryeministri Edi Rama është në krye të listës së të kallëzuarve, por deri tani ndaj tij, ministrave të tjerë dhe kryebashkiakëve socialistë nuk është bërë asnjë veprim nga SPAK”, thuhet në njoftimin e PD-së.