Është shtyrë për ditën e enjte kërkesa për shkarkimin e Ilir Metës si President i Republikës së Shqipërisë. Seanca maratonë prej 11 orësh në Gjykatën Kushtetuese u mbyll pa vendim përfundimtar, pasi ka pasur debate të shumta edhe mes anëtarëve të kushtetueses. Që Presidenti të shkarkohet, duhet të votojnë të paktën 5 anëtarë dhe duhet patjetër të marrin pjesë në votim 6 anëtarë.
Gjykata Kushtetuese ka ndërprerë seancën ku po shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, duke vendosur që vendimi të shpallet ditën e enjte. Kërkesa për shtyrjen e seancës është bërë nga përfaqësuesi ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, i cili kërkoi që kreu i shtetit të njihet me përgjigjet e ardhura nga Kuvendi i Shqipërisë. “Kemi një kërkesë. Dëgjuam me vëmendje përgjigjet e Kuvendit të Shqipërisë për të gjitha pyetjet e gjykatës. Konstatojmë në fakt se çështja e legjitimit të përfaqësuesit të parlamentit është shumë e rëndësishme. Shumë përgjigje të përfaqësuesve bënë përgjigje edhe kontradiktore se sa 104 deputet. Pata mundësin të konsultohem me presidentit për këtë detaj. Me mënyrën si po ecte seanca jo për përgjigjet. Nga konsulta me presidentit ai kërkon të njihet me përgjigjet e kuvendit. Jemi gati edhe nesër, por së pari të njihet presidenti me këto përgjigje. Kërkojmë të shtyhet seanca qoftë edhe për nesër. Ti çojmë presidentit përgjigjet”, tha Dervishaj.
Seanca
Tetë muaj pasi 104 ligjvënës në Kuvendin e Shqipërisë morën vendimin për të shkarkuar Presidentin e Republikës Ilir Meta për shkelje të rënda të Kushtetutës, më në fund në Gjykatën Kushtetuese u zhvillua seanca plenare ku u shqyrtua kjo çështje kaq e ndjeshme të politikës shqiptare. Që në fillim të seancës gjyqësore, përmes një kërkese të depozituar Presidenca kërkoi përjashtimin e gjyqtarëve që sipas tyre nuk plotësojnë kushtet ligjore për të qenë pjesë e procesit. Dervishaj ka thënë në argumentimin e tij para gjyqtarëve se Gjykata ka humbur afatin tre mujor për tu shprehur me vendim për ta kaluar apo jo në seancë publike. Sipas tij Presidenti prej 1 korrikut 2021 ka kërkuar që Kushtetuesja ta marr sa më shpejt e të shprehet me këtë çështje, pasi një vendimmarrje e shpejtë do të jepte një proces të rregullt ligjorë. Presidenca pretendoi se Gjykata se ka shqyrtuar çështjen prej tre muaj duke e transferuar konfliktin nga magjistratura e vjetër tek e reja. Kjo mënyrë e funksionimit të Kushtetueses dhe e gjithë trupa e ka pezulluar apriori afatin pa njoftuar edhe palët në proces dhe ky është një fakt ku kjo trupë s’ka legjitimitet për ta shqyrtuar çështjen. Ndërkohë që Dervishaj ka thënë gjithashtu se Vitore Tusha, Fiona Papajorgji dhe Përparim Kalo duhet të japin dorëheqjen pasi kanë konflikt interesi për këtë çështje. “Presidenti s’ka besim tek kjo trupë gjyqësore për të shqyrtojë këtë çështje kaq të rëndësishme. Nëse kushtetuesja do të kishte vullnet për ta shqyrtuar këtë çështje. Do të kishte përfunduar ky gjykim prej kohësh. Nëse do të refuzohet dorëheqja nga ju. Presidenti paraqet kërkesë individuale për dorëheqjen e çdo njërit prej jush dhe është depozituar 25 minuta përpara se të nis seanca”, ka thënë Dervishaj. Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar këto kërkesa. Sipas Gjykatës është rrëzuar kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Vitore Tusha pasi shkaqet janë të pabazuara. Gjithashtu janë rrëzuar kërkesat edhe për përjashtim të gjyqtarëve të tjerë. Gjithashtu Gjykata Kushtetuese nënvizon se pretendimi i Presidencës për tejkalim të afateve është i pabazuar. Presidenca gjithashtu ka shtruar pretendimet se votimi i shkarkimit duhet të bëhet nga Kuvendi i ri pasi mandati i atij që e shkarkoi ka mbaruar, se Kuvendi i kaluar ishte jo legjitim etj. Përfaqësuesit Kuvendit e mazhorancës Klotilda Bushka dhe Taulant Balla janë shprehur se Presidenti po tenton të zbarritë procesin. Ditët e fundit teksa po afrohej shqyrtimi i “fatit” të tij nuk ka munguar as presioni i shtuar i Presidentit ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. 3 ditë më parë Meta i është drejtuar me një shkresë kryetares së Gjykatës Kushtetuese ku i ankohet për mënyrën jo profesionale sipas tij që është sjell me të. Meta kërkoi t’i vihet në dispozicion procedura e ndjekur për çështjen e shkarkimit të tij, duke thënë se përgjigjet e mëparshme kanë qenë jo përmbajtësore. Ndërkohë që më 26 janar Meta i kërkoi Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA) hetimin disiplinor të relatores së çështjes së zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, Fiona Papajorgji, por edhe anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Në argumentimin e tij ligjor, prej 17 faqësh Meta thotë se Papajorgji dhe gjyqtarët e tjerë kanë konsumuar shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit lidhur me vendimin për 30 qershorin. Që Presidenti të shkarkohet, pro vendimit të Kuvendit duhet të votojnë të paktën 5 anëtarë dhe duhet patjetër të marrin pjesë në votim 6 anëtarë. Gjykata Kushtetuese ka aktualisht 7 anëtarë nga 9 që duhej të kishte gjithsej. Meta është shkarkuar nga Kuvendi më 9 qershor 2021 me argumente të tilla si shkelje të rënda të Kushtetutës, provokim të cenimit të marrëdhënieve me SHBA, shantazh ndaj drejtësisë, thirrje për veprime të dhunshme, nxitje urrejtje, cenim të sigurisë publike etj. Deputetët e Partisë Socialiste në pushtet ngritën këtë Komision Hetimor parlamentar, i cili gjeti 17 shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit. Shkarkimin e Metës, Partia Socialiste e ka konsideruar si një nevojë për të “çliruar Presidencën nga një pengmarrje”. Kjo ishte nisma e dytë përmes një komisioni të dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku mazhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra. Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se “s’do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare” dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor. Vendimi i Kushtetueses është një “e panjohur” e madhe e skenës politike shqiptare ende, por rikthimi i Ilir Metës në gjirin e partisë që krijoi tashmë është thuajse i sigurt. Shkarkimi apo jo nga Kushtetuesja vetëm sa do t’ia afronte apo do t’ia largonte me pak muaj rikthimin Metës duke qenë se mandati i tij mbaron më 24 korrik 2022, dhe rizgjedhja as nuk shihet si mundësi.