Koalicioni i Berishës me LSI-në, i pagëzuar me emrin “Shtëpia e Lirisë” mund të mos regjistrohet nga KQZ për arsye ligjore. Komisioni i Rithemelimit që përfaqësohet nga Berisha nuk njihet si subjekt politik i regjistruar në gjykatë.
Edhe pse u trumbetua me shumë bujë marrëveshja politike LSI-Komisioni i Rithemelimit, ose më qartë Berisha-Meta, rrezikon që të mos regjistrohet nga KQZ për arsye ligjore dhe proceduriale. Me firmën e përfaqësuesve të LSI-së Endri Brahimllari dhe të Belind Këlliçit nga Komisioni i Rithemelimit, bashmë me Partinë Demokristiane u dorëzuan dje në KQZ kërkesa për koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e pjesshme lokale në gjashtë bashi të vendit, që do të mbahen më 6 mars. Mirëpo ky koalicion politik, duhet të përballet me procedurat ligjore të cilat deri më tani nuk janë në favor të nismës. Nenet 64 dhe 65 të Kodit Zgjedhor e bëjnë të pamundur grupimin “Shtëpia e Lirisë”. Shkak është fakti që Komisioni i Rithemelimit, që përfaqësohet nga Sali Berisha nuk është subjekt politik i regjistruar në gjykatë. Në nenin 64 të Kodit Zgjedhor thuhet shprehimisht: “Dy ose më shumë parti politike të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 65 të këtij Kodi, mund të regjistrohen në KQZ si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 60 ditë përpara datës së zgjedhjeve”. Mirëpo Lista Berisha nuk është regjistruar si parti politike dhe rrjedhimisht nuk mund të jetë as pjesë e një koalicioni parazgjedhor. Në këtë pikë LSI është vetëofruar që të dalë me kandidatët e përzgjedhur nga Berisha. Gjashtë kandidatët e përzgjedhur konsiderohen si demokratë të “zhgënjyer” nga Basha dhe që kanë kaluar me Berishën, pas përjashtimit të tij nga radhët e PD-së. Politikisht si Berisha ashtu edhe Meta duket se janë dakordësuar që të jenë bashkë në çdo palë zgjedhje që do të zhvillohen në të ardhmen, duke nisur nga ato më të afërtat që janë më 6 mars. Megjithatë vendimarrje për regjistrimin ose jo të këtij koalizioni i takon KQZ-së.
PD” Berisha u strehua në partinë e Ilir Metës
Partia Demokratike ka publikuar duke shkruar se sot Sali Berisha u strehua te partia e Ilir Metës, e po i përdor demokratët për hallet e tij dhe të ilir Metës. “Shqipëria duhet të ndahet nga politika e vjetër që gjithçka e ka në funksion të interesave personale të politikanëve. Sot Sali Berisha u strehua te partia e Ilir Metës, e po i përdor demokratët për hallet e tij dhe të ilir Metës. Demokratët e kanë kuptuar se Sali Berisha dhe Ilir Meta po i përdorin, prandaj çdo ditë demokratët po dinstancohen nga farsa Berisha. Tashmë jo vetëm për demokratët por për të gjithë shqiptarët është e qartë se nëse zgjedh Berishën e Metën merr Ramën, nëse zgjedh Ramën merr Berishën dhe Metën”- shkruan PD.
Kryemadhi: Është një bashkëpunim teknik
Kryetarja e Lëvizjes Sociliste për Integrim, Monika Kryemadhi, e ka cilësuar si një bashkëpunim teknik marrëveshjen e arritur me Komisionin e Rithemelimit për të hyrë si koalicion i përbashkët në zgjedhjet e 6 marsit. Përmes një interviste për Report TV, Kryemadhi tha se bashkëpunimi nuk është një proces vetëm me Berishën, por me gjithë grupin e Rithemelimit. Ajo shtoi gjithashtu se LSI është e rreshtuar në opozitë kundër Edi Ramës dhe se mbështet çdo kandidat të pozicionuar në këtë front. “Është një bashkëpunim teknik. Është bashkëpunim teknik që ka të bëjë me procesin administrativ. Ky nuk është një proces me Berishën është me grupin e rithemelimit. Unë me zotin Berisha nuk jam takuar. Jam takuar dhe kam komunikuar me zotin Flamur Noka. Jam takuar me Belind Kelliçi. Kam komunikuar në telefon me zotin Klevis Balliu për Lushnjen. Ne jemi të rreshtuar në opozitë kundër Edi Ramës. Nuk bëjmë gjasme sikur jemi kundër Edi Ramës dhe ndërkohë nënshkruajmë koncesione para, tendera, leje ndërtimi nga Edi Rama. Ne jemi në ballore me të. Automatikisht ne do suportojmë çdo kandidat që është kundër Edi Ramës. Sigurisht që kemi dhe rilindjen blu, rilindja mavi dhe rilindja blu aty janë bashkë nuk na bën asnjë lloj përshtypje kjo gjë”, tha Kryemadhi.
“Shtëpia e Lirisë”, logo dhe teksti iu “vodh” Berluskonit
Me rrethin e ndarë dhe flamurin kombëtar, ja kujt ia ka kopjuar grupi i Berishës logon e koalicionit. Koalicion i ri, por me asgjë të re. Është ky termi që mbase do i shkonte për shtat bashkëpunimit të ri të finalizuar një ditë më parë mes ish kryeministrit Berisha, dhe Lëvizjes Socialiste për Integrimit. Përfaqësuesit politikë të “Shtëpisë së Lirisë”, i kanë rënë fare shkurt si ëmërtimit, ashtu edhe pjesës vizive të logos së koalicionit. Ajo është marrë e gatshme, nga ish kryeministri Italian, Silvio Berlusconi, ndërsa shfaqi interes për të garuar si President i Italisë, nën moton “ La casa delle liberta’. “Shtëpia e Lirisë” është emri i koalicionit të vendosur nga ish-kryeministri Berisha dhe LSI, të cilët do të garojnë bashkë në zgjedhjet e pjesshme vendore, ndërsa logo është rrethi blu, i ndarë në mes me flamurin kombëtar, kuq e zi. Identike në formë e përmbajtje, me të vetmin ndryshim, përshtatjen e gjuhës, e flamurit kombëtar, është edhe logo e ish kryeministrit Italian Silvio Berlusconi. Në këtë pikë ngjan se gjithçka është e nxituar për të kapur kohën për zgjedhjet e 6 marsit, aq sa të dyja forcat, si përfaqësuesit e LSI-së ashtu edhe Komisioni i Rithemelimit i mbështëtur nga Berisha “përkthyen” dhe morën imazhet e gatshme të Berlusconit.