Partia Demokratike ka reaguar sërish për koalicionin mes Komisionit të Rithemelimit të mbështetur nga Sali Berisha dhe LSI-së për zgjedhjet e pjesshme vendore. Kreu i PD-së Lulzim Basha akuzoi Berishën se përveçse futi frymën e përçarjes, demokratët i dorëzoi nën urdhrat e Metës.
Partia Demokratike ka vijuar sulmin ndaj dyshes së koaliconit “Shtëpia e Lirisë” Berisha-Meta. Kryetari i selisë blu tha se sulmi barbar i Berishës kundër demokratëve u bë për t’i dorëzuar partinë Ilir Metës. Në fjalën e tij, gjatë takimit me demokratët e degës 14, Basha theksoi se zgjodhi opozitarizmin ballor që mos të futej përçarja përmes demokratëve. Ai tha se PD-ja është e demokratëve dhe e shqiptarëve dhe jo për t’ia dorëzuar Ilir Metës. “Këto ditë, e sotmja, e gjithë beteja, edhe sulmi, denigrimi që u është bërë demokratëve të ndershëm, si shumë prej jush në këtë sallë, drejtuesve, të gjithëve. S’po flas ndaj meje si kryetar i partisë, se vet zgjodha t’i vija gjoksin kësaj, pikërisht që mos të futej përçarja përmes demokratëve apo deputetëve, zonjave, anëtarëve të kryesisë. E gjitha kjo për çfarë paska qenë? Për t’i dorëzuar PD-në LSI-së dhe Ilir Metës?! Gjithë ajo skenë barbare atje e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve, për çfarë paska qenë? Që shtëpia e lirisë të kthehet në shtëpinë e Ilirit?! PD është e demokratëve dhe jo për t’ia dorëzuar Ilir Metës, është e Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, tha Basha. Ndrësa në një tjetër deklaratë të Partisë Demokratike në lidhje me koalicionin shkruhet se: “Çdo votë për ‘Shtëpinë e Ilirit’ është votë për Edi Ramën”. Sipas PD, për hallin e tij, Sali Berisha iu nënshtrua Ilir Metës dhe se Ilir Metës i duhen votat e demokratëve për pazarin e radhës me Edi Ramën. “Për hallin e tij, Sali Berisha iu nënshtrua Ilir Metës. Ilir Metës i duhen votat e demokratëve për pazarin e radhës me Edi Ramën. Çdo votë për “Shtëpinë e Ilirit” është votë për Edi Ramën. Demokratët e kanë provuar njëherë në kurrizin e tyre në 2013 pazarin Rama-Meta. Për hallin e Sali Berishës ata nuk do të bëhen më pjesë e pazarit të rradhës. Sot është e qartë, nëse zgjedhe Berishën dhe Metën, mban Ramën. Nëse zgjedh Ramën, mban Berishën dhe Metën”, deklaron PD. Partia Demokratike e ka lexuar “bashkëjetësën” e re mes Berishës dhe Metës si një shkatërrim të PD-së.
PD zyrtarizon kandidaturën, vendos për Shkodrën Xhemal Bushatin
Partia Demokratike ka zyrtarizuar edhe kandidatin për kryetar bashkie të Shkodrës për zgjedhjet e 6 marsit. Strukturat drejtuese te PD në Shkodër propozuan Xhemal Bushatin per te kandiduar ne zgjedhjet e pjesshme vendore. Propozimi do të kalojë për miratim Kryesisë qendore në Tiranë. Sipas afateve të vendosura nga Kryesia e PD, baza e partise dhe strukturat drejtuese te Degeve në 6 bashkitë, do të propozojnë kandidatët. Kandidatët e propozuara nga baza do i nënshtrohen më pas shqyrtimit dhe miratimit nga Kryesia e PDSH. Xhemal Bushati ka mbajtur me parë postin e ish-kryetarit të këshillit bashkiak Shkodër. Sipas afateve të vendosura nga Kryesia e PD-së, baza e partisë dhe kryesitë e Degëve në 6 bashkitë duhet të propozonin kandidatët brenda ditës së djeshme. Kandidatët e propozuar nga baza do t’i nënshtrohen më pas shqyrtimit dhe miratimit nga Kryesia e PDSH-së.
Zgjedhjet e pjesshme, Ndoka: Test për Partinë Demokratike
Nard Ndoka, kreu i Partisë Demokristiane tregoi pse vendosi që të bashkohej në koalicionin “Shtëpia e lirisë” për zgjedhjet e pjesshme. “Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Basha mund të bojkotonte edhe këto zgjedhje, kështu që duke e parë në këtë sens, kontributi i opozitës ishte i domosdoshëm. Do të jetë edhe një lloj testi për të parë atë që po ndodh brenda PD-së”, tha Ndoka. “Unë u bashkova me grupin e Rithemelimit pasi mendoj që ai ka të drejtën morale dhe politike”, shtoi Ndoka. Sipas tij, “Basha është kufomë politike dhe nuk mund të konsiderohet më as si politikan”.
6 bashkitë në zgjedhje, të zhytura në borxhe
Aktualisht, 6 bashkitë pa kryetar përkatësisht Shkodra, Lushnja, Rrogozhina, Vora, Dibra dhe Durrësi po përballen me detyrime të prapambetura që kapin një total prej 7.2 miliardë lekësh, ku bashkia Kavajë ka peshën më të madhe rreth 15.8% të totalit. Sipas përfaqësuesit të shoqatave të bashkive, Agron Haxhimali, borxhet e akumuluara vijnë kryesisht si pasojë e detyrimeve të ardhura nga proceset gjyqësore, e ndërsa fondet e pakta e kanë bërë më të vështirë mundësinë e tyre për të investuar në qarqet përkatëse. Stoku i detyrimeve është zgjeruar me rreth 10.3% krahasuar me nivelin e regjistruar në fund të 6-mujorit të 2021, duke llogaritur një total prej 7.2 miliardë lekësh. Për eksperten Adelina Farici, drejtuesit e rinj vendor që do të dalin nga zgjedhjet e 6 marsit do të përballen me një sfidë të re, atë të menaxhimit të këtyre bashkive, duke synuar uljen e nivelit të borxhit dhe ofrimin e më shumë shërbimeve publike për qytetarët. Bashkitë në vend, me përjashtim të kryeqytetit, kanë një ekonomi lokale të dobët e ndikuar nga mungesa e investimeve, dhe largimi i popullsisë. Ndërkohë që financat e pushtetit vendor në këto zona janë të varura nga transfertat që jep qeveria nga buxheti.