Nga Pirro Loli (Mjeshtër i Madh)
Nuk jam as muzikolog as kritik muzike por sa herë dëgjoja simfoninë e IX më bëhej se diçka ndodhte rreth meje ose në trupin tim, sikur tjetërsohesha. Rasti e pruri të lexoja kritikun dhe estetin e njohur të muzikës, B.Kremnjer (400 faqe për Bethovenin) dhe sikur hodha shtat, sikur kisha vizituar katedralen më madhështore te botës; pashë yje që hidhnin drit nëpër tavanet e kupolave, engjëj, harqe e dritare të derdhura me xhama drite, pashë Jezu Krishtin në dhomën e lindjes dhe të lartësuar një faqe muri. Të kryqëzuar. Dhe një copë nate të trazuar me re të bardha. Kremnjer e krahason simfoninë e IX të Bethovenit me një oqean dallgësh…Çdo njeri që lexon dhe dëgjon Atë, hidhet dallgë më dallgë i përmbytur e noton i fuqishëm drejt një bregu plot gjelbërim e dritë… Violinat të kujtojnë një valle zogjsh që me krahët e tyre lëvizin mjegullën, jehonë e furtunës së fashitur. Unë pak sa preka talentin hyjnor, imazhin dramatik qiellor që kish prodhuar imagjinata dhe guximi i atij njeriu përtej njeriut. Unë takova Gjeniun e vërtetë.
HUMNERAT DHE LARTËSITË
Para se ta hidhte në pentagram ai, tërë jetës së përditshme krijuese, kish mbledhur motive të shumta dhe i kish strehuar në subkoshiencën e tij gjeniale. Ashtu si përrenjtë e lumenjtë mbushen e derdhen në det, ashtu dhe këto pjesë tingëllore strehuar në pentagramin e trurit të tij, shpërthyen një ditë. Vetëm autori e ndjente se kjo vepër do shënonte një etapë drejt diçkaje madhështore, jo nga madhësia por nga risia, nga pamatshmëria cilësore që nuk shprehet dot me fjalë. Orkestrat e Vjenës nga më të shquarat në Evropë herë pas here do ndeshnin vështirësi të pakapërcyeshme për ta interpretuar e disa herë do ta anullonin, por autori “diktator” nuk pranonte të ndryshonte asnjë notë. Autori i madh me këtë muzikë kish “shpallur luftën”, luftën tingëllore të padëgjuar më parë. Dhe, e pabesueshmja, bota akoma nuk e kishte marrë vesh, se mjeshtri kish derdhur këtë kryevepër muzikore, me të gjitha rropëllimat e luftës, dhe akoma, më e pabesueshmja, ai, nga lëvizja e harqeve kontrollonte interpretimin dhe ndonjë luhatje sado të vogël të mundshme të krejt orkestrës pa dëgjuar asgjë.
***
Fillimi luhet nëpër një mjegull që duket sikur lëviz mbi orkestër, ngrihet lart sikur prek tavanin dhe zbret duke rënë në një boshllëk ajri humnerik e përsëri ngrihet si një dallgë e fuqishme, kërcënuese, nëntë ballshe, e gjëmon me bubullimë – si një prolog, e rruga më pas do kërkojë energji dhe vullnet titanik, përleshje të ashpra kaotike e njëkohësisht solemnitetin e trumbetave – si në luftë dhe për luftë – është dhënë kështu simboli i tronditjeve të thella – karakteristikë bethoviane kjo në të gjithë veprën e tij madhështore. Në kohë ai ishte bashkrendës i luftave tiranike të Napolonit aq sa i vunë zjarrin Evropës dhe çdo gjë që kish arritur njerëzimi deri atëherë. Ngjarjet historike ndizen e rreshtohen në pentagram – hapen si furtunë dhe shpërthejnë si vullkan. Ai nuk e fshehu kokën në rërë dhe i tha botës me mjetin më hyjnor artistik, muzikën – se jeta është luftë nga çdo brez njerëzor e se e vjetra shembet me nota e tinguj magjikë. Radhët e pentagramit dhe notat që i derdheshin si stuhi përfytyroheshin si reparte lufte që përplaseshin e salla provon një drithmë që nuk shprehet e nuk kupton nga vjen ky rrezik.
Në pjesën e dytë dëgjuesin e mbërthen një ankth që ngrihet pa ndalim si sustë çeliku e që godet në çdo hap. Kumbimi me një shumëzanorësh të ndërlikuar (me heshtje dhe gjëmime), gjithsesi me kadencë ngritjeje, ku duket se shpërthen furtuna me gjëmime tunxhi duke u rritur si ortek i egër i pandalshëm. Fjalët janë të rralla për të shprehur tempin e lëvizjes; është një temp që të merr frymën, që të mbyt; ti psherëtin në ankth dhe pret të ndodhë diçka e tmerrshme e papritur, ngjitur me trupin tënd. Befas ngrihet një zë që dredh llambat e dritave në tavan – nga trombonët e lëvizja sakaq ndërpritet si aksident; ngjitur vjen një qetësi e kthjellët si kristal, e patrazuar, sunduese dhe klarinetat fillojnë muzikë të ëmbël, të këndshme dhe e gjithë orkestra madhështore sikur nuk kanë qenë në luftë, hollë-hollë nisin një valle të këndshme ruse, që autori i kish fort për zemër (ai i donte aq shumë këto dhe në bazë të tyre kish kompozuar kuartetet e Ramuzovskit rus. Futja e kësaj teme entuziaste përfshin të gjithë orkestrën me motive e forma të larmishme të papritura e të panjohura në asnjë kompozim të mëparshëm.
Pjesa e tretë është quajtur si kulmi i lirikës filozofike në muzikë. Mjeshtërisht këtu të gjitha mjetet shprehëse janë lakonike, ndoshta, këtë lakonizëm kanë pasur parasysh shumë kritikë dhe në arte të tjera dhe në letërsi që thonë se lakonizmi është forma më e lartë e shfaqjes së gjenialitetit. Në radhorët e Bethovenit pasuria më e madhe nuk janë idetë e njohura, as mendimet universale, por përpunimi i tyre deri në mosnjohje. Është qetësia dhe përqendrimi i thellë, melodia magjepsëse, dëlirësia. Violinat të kujtojnë një valle zogjsh që me krahët e tyre lëvizin mjegullën e pjesës së parë, jehonë e furtunës së fashitur. Befas, (sa shumë befas ka kjo simfoni), befas, pra ngrihen tingujt magjepsës të tunxhit me shurdhmëri solemne. Orkestra dridhet e po njofton në gjuhën e saj, ose në gjuhën e të ardhmes së panjohur gëzimin e papritur, e përsëri befas ka filluar pjesa e katërt – “tri pjesët e para janë konsideruar si tre planete të një sistemi unik e harmonik”. Finalja po vjen, po vjen një tjetër trup qiellor dritëdhënës që rrezaton dritën e këtyre planetëve e gjithë kjo – thekësoj- harmoni tronditëse është kompozuar në ndjesinë e pabesueshme të mosdëgjimit – “është imazhi tingëllor, që prodhon me saktësi kapilare imagjinata e tij, padyshim e lindur” (B.Kremnjer)
FINALJA PREJ DRITE
Në finale pritet një duel, një luftë e ashpër majave dhe humnerave melodioze që po ndizet gradualisht a thua se skulptori me daltën e hollë që ka pakur shkëmbin prej mermeri, po zbulon fytyrën e bardhë të një bebeje që qesh. Ja, ja duket bregu me dritë… Po vjen gëzimi. I bardhë. Verbues – jo dielli qafëprerë (Apolineri) nëpër korridore resh – po prit! Ka ndodhur çudia. Notat nuk mjaftojnë. Dhe notat përmbi nota nuk mund të japin atë që ka mjeshtri në kokë. Ai po kërkon mjete të tjera shprehëse. Dhe ja, e pa ndodhura në asnjë simfoni. Natën në gjumë, duke lexuar lirikat e Shilerit ai i tha orkestrës, mjaft këtu! Fol Ndryshe! Fol me fjalë, jo me nota- fjalë. Është fjala e njohur e poetit të madh që në këto momente finale do zëvendësonte notat. Këtu për herë të parë në zhanrin e simfonisë u shkri fjala dhe muzika; orkestra e habitur ngre supet, fantazia e ekzekutimit nga një solist, në kor orkestral, mund ta japë plotësisht temën e gëzimit. Ishte një çelës që shkriu organikisht dy mjeshtëri, oden e gëzimit të Shilerit me muzikën e Bethovenit. Për herë të parë orkestra simfonike instrumentale bashkoi të pa bashkueshmen, vetveten, me zërin njerëzor. Ky çelës e la autorin për netë të tëra pa gjumë, organizmi i tij as pushonte, as flinte – u bë mizantrop, ndërpreu komunikimin me njerëzit, “ziente nga brenda,” shkruan Shindleri. Thuhet se një herë hyri me vrap në dhomë duke bërtitur, “e gjeta, e gjeta” – (eureka kish bërtitur dhe një shkencëtar i vjetër në banjë…). U gjet recitativi dhe orkestra duhet të shqiptonte “o vëllezër, flakni brengat, mjaft u trishtuat”… tani, shkujdesur këndoni gëzimit të jetës e iu duk se salla magjepsëse e Vjenës u ndriçua nga rrezet e arta të një shkëlqimi shpirtëror rrezatues por befas, pas tingujve të ëmbël të axhadios së qetë vjen një gjëmim i tmerrshëm që prish qetësinë e duket sikur shpërtheu një si flakë. Rikard Vagneri këtë çast e emëroi “tunxhi i tmerrit” – kontrabasi dhe violonçelat – thirrën energjikisht dhe pushtuan lartësitë. Orkestra interpreton motivet kryesore të të tri pjesëve të para që hap pas hapi ndërpriten me ashpërsi nga recitativat Shilero-Bethoviane. Mos e kthe kokën pas! Salla e ngritur më këmbë ka hyrë në stinën e pranverës. Është vezullimi i parë i gëzimit që ka zbritur në tokë, ashtu pa zhurmë në finale, pa kurora, pa trandafilë, ashtu zbritur nga qielli me zë të ulët, të ëmbël, me qetësi të tendosur poshtë thellësive, a ndoshta nga mjegullat e pjesës së parë; të vetëm tani kontrabasët. Orkestra është bërë si e marrë – njeri u shpreh “plaku ka lojtar menç, kërkoi të pamundurën”; vullneti i tij të kujton Anteun – ky gjigand kish kompozuar me një tendosje nervash e muskujsh – dhe përfytyro, duke mos i dëgjuar! Që kur i lindi ideja e “luftës me fitore” atij i buçiste koka për të shprehur me nota rrugët e njerëzimit – nga errësira në dritë, nga skllavëria në liri, nga vuajtja në gëzim. Por notat nuk i mjaftonin të arrinin deri te drita dhe liria. Dhe arriti të kapërcente nga tunxhi i tmerrit në vezullimin tingëllor të gëzimit të njeriut.
***
Ndërsa orkestra vazhdonte “çmendurinë e saj” drejt fundit salla u ngrit më këmbë shpërthyer në brohorima. Dhe pritej që të ngrihej më këmbë BETHOVENI i madh. Njerëzit nuk po përmbaheshin; turreshin drejt skenës, mbushën rrugëkalimet, përplasnin këmbët, hidhnin në ajër kapelet. Po autori nuk dëgjonte asgjë veç imagjinonte suksesin. Llozha qe në heshtje. Gjeniu ktheu kokën pas dhe me ata sytë e vegjël që digjeshin me shkëlqim vuri re se vendet e preferuara lart ishin bosh. Perandori Franc me pjestarët e familjes dhe të oborrit nuk kish denjuar të vinte në shfaqjen e shekullit. (Ndërsa jashtë teatrit qindra njerëz protestonin se biletat qenë mbaruar dhe nuk mund të hynin). Ata të perandorit, nuk denjuan që në praninë e tyre të ngrihej kaq lart një muzikant i varfër që kish dhënë shumë prova se ishte kundër oborrit. Bethovenit i rrëshqiti në trup një rrymë e ftohtë ajri dhe në brendësitë e tij i shkau një e qeshur e kulluar. Kam fituar, pëshpëriti vetiu. Dhe as e çau kokën që ai, autori i kësaj mrekullie, ishte më i varfëri në atë sallë. Ndoshta në atë sallë të Vjenës, nga më luksozet në Evropë, ishte i pari kompozitor që nuk kishte një frak të zi e këmishë të bardhë; ndoshta ishe rasti i parë në këtë botën e madhe që, i vetmi njeri nuk dëgjonte muzikën e tij hyjnore, as ovacionet tronditëse të njerëzimit… Vjena qe e vogël. Koha qe më e vogël. Salla luksoze qe shumë e vogël, nuk e nxinte birin e saj në ato përmasa gjigande. Gjërat e vogla nuk i nxënë të mëdhatë. Gjërat e mëdha shpërfillen edhe nga kolegët. Dhe diktatorët, mbretërit, perandorët nuk merren me këta njerëz “të vegjël”…
***
Në Evropë kish penetruar opera e ëmbël italiane. Idhulli atij publiku qe Rosini. Kur vajti ky mjeshtër në Vjenë , të parin takoi Bethovenin dhe para tij, iu duk vetja e vogël. Në vetullat e tij të dendura futur në një zgavër shkëlqenin sytë e vegjël si zjarr. Ata sy e zbironin njeriun. Ata u rrokën si dy burra që e njihnin mirë njëri tjetrin. Rosini nuk i përmbajti dot emocionet dhe para atij u përlot dhe u zverdh. Shumani e përshkroi kështu takimin e dy të mëdhenjve të Evropës në muzikë: “Flutura i preu rrugën Shqiponjës, por kjo i lëshoi rrugë dhe iu shmang që të mos e përplaste me krahët e fuqishëm të saj…”