Qentë e trajnuar nga një kompani sigurie sollën arrestimin e tre shqiptarëve të cilët punonin në një fermë kanabisi me vlerë 1.3 milion £.
Policia e Leicestershire tha se kompania po drejtonte një kurs për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore dhe qentë nuhatës po përdoreshin për të ndihmuar në mësimin e tyre.
Por qentë kanë arritur të zbulojnë fermën falë nuhatjes së tyre të mprehtë. Tre shqiptarët që punonin në këtë fermë kanabisi u kapën dhe u arrestuan, ndërsa bimët e sekuestruara sipas policisë kapnin vlerën prej 1.3 milion £, raporton BBC.

Në prangat e policisë kanë rënë tre shtetasit: Renald Dema, Ali Hoxha dhe Juljan Jaku të cilët u akuzuan për kultivim kanabisi. Në dhjetor, ata pranuan akuzën dhe u dënuan në Gjykatën e Leicester Crown. Dema, 21 vjeç, pa adresë fikse, u burgos për dy vjet e tre muaj. Hoxha, 29 vjeç, pa adresë fikse, u dënua me dy vjet e nëntë muaj, ndërsa Jaku, 24 vjeç, gjithashtu pa adresë fikse, u dënua me dy vjet e gjysmë burg.
