Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) thanë se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut.
Ky vendim, sipas REL, vjen pas kundërshtimeve për restaurimin e shtëpisë së Devës, figura e të cilit është lidhur me krimet që kryen nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë edhe mundësinë për të përdorur situatën aktuale si mundësi që të adresohet hapur e kaluara përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet e rëndësishme”, thuhet në një njoftim të përbashkët të BE-së dhe UNDP-së.
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde e ka cilësuar Xhafer Devën si “bashkëpunëtor të ngushtë të nazistëve”.
“UNDP dhe BE dënojnë fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë dhe manifestimet e shumta të tyre, përfshirë edhe rritjen e intolerancës ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme. Ne jemi të përkushtuar që të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin dhe të luftojmë dezinformimin”.
Më 1 shkurt, BE-ja, UNDP-ja dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit kishin njoftuar për projektin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës.
UNDP-ja dhe BE-ja tha se qëllimi i projektit ka qenë që të sjellë komunitetet së bashku dhe të kontribuojë në kohezionin shoqëror, duke përdorur trashëgiminë kulturore si një instrument për dialogun midis komuniteteve.

Shtëpia Xhafer Devës thuhet se është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë. Sipas MKRS-së, objekti ka stil modern perëndimor-evropian dhe është i pari i këtij lloji në Mitrovicë. Karakterizohet me dekorime të shumta që, sipas MKRS-së, janë tipike për stilin e tij. Shtëpia është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Kush ishte Xhafer Deva?
Xhafer Deva ishte politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945.Ai u lind në Mitrovicë në vitin 1904 dhe një pjesë të shkollimit e kreu në Greqi, Turqi dhe Austri.Sipas historianëve, ai ishte i njohur për veprimtarinë e tij nacionaliste dhe ishte antikomunist.
Deva udhëhoqi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, kur, sipas studiueseve, drejtoi rezistencën kundër futjes në Kosovë të trupave partizane jugosllave.Në vitin 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Xhafer Deva ishte larguar nga Kosova për në Austri, pastaj Itali, Egjipt dhe Siri, prej ku kishte zhvilluar aktivitete politike, kryesisht përmes botimit të gazetave. Në vitin 1956, ai migroi në SHBA, ku jetoi deri në fund të jetës.