Valentina Mamaj e cila u vra ditën e djeshme nga bashkëshorti i saj, Petrit Mamaj do të varroset sot në fshatin e prindërve të saj. Trupi i të ndjerës do të përcillet për në banesën e fundit në Levan, pasi shtëpia ku ajo jetonte me bashkëshortin e saj ka mbyllur dyert. Familjarët dhe fqinjtë e çiftit duke folur për mediat, kanë deklaruar se Valentina ishte grua shumë e mirë dhe se mes çiftit nuk kishte asnjë problem apo grindje. Ata shprehen të habitur dhe shokuar nga ngjarja e rëndë, pasi çifti njihej si punëtorë dhe të nderuar nga të tjerët.
Nuk kanë qenë njerëz të konflikteve dhe të sherreve. Kanë qenë njerëz punëtorë, ulnin kokën punonin të dy burrë e grua të rrisnin kalamajtë, të ushqenin kalamajtë.
Me të shoqin kisha llafosur nja 2-3 herë, më dukej si çun i mirë, nuk e di. Krim është.
Njerëz më të mirë nuk bëhen. Këtë përshtypje kemi dhe na ka dhembur shpirti. Pse ndodhi kjo. Ne kemi 50 vjet këtu, njerëz të mrekullueshëm, familje e mrekullueshme, njerëz pa probleme. Se marrim vesh si erdhi. Gjynah është. E njohim shumë familje të mirë. U habitëm. Ata janë plakur tani, ne i kemi gjetur çuna.
Ajo ishte vajzë e mirë, vajzë e nderuar dhe ai djalë i urtë, djalë i mirë. U habitëm kur e dëgjuam. Njerëz shumë të mirë. Ajo i ka mbajtur pleqtë si zonjë, të dy. Dhe ai punonte, se në bashki se ku nuk di. Shumë të mirë kanë qenë që të dy, se si iu erdhi, si i patën hallet e dinë vetë.
Kujtojmë se në fillim kjo ngjarje e rëndë u raportua si vetëvrasje, por pas ekspertizës dhe provave u vërtetua se gruaja është vrarë nga bashkëshorti i saj për shkak të xhelozisë.