Në fund të mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama foli për mediat lidhur me shtyrjen e mandatit të Vetting-ut dhe “bashkimit” të votave me PD-në.
I pyetur nga gazetarët se “çfarë i dha PD-së për votat”, Rama tha se nuk ka pasur asnjë negociatë mes tyre.
“Cdo gjë që bashkon është diçka pozitive, arsyet qysh, tek, nuk kanë rëndësi përpara faktit. Ka qenë një proces i dhimbshëm, nuk ka qenë proces perfekt, është proces pastrimi.
Atyre që thonë qysh, tek, u them që në Shqipëri nuk ka pasur kurrë drejtësi. Për të ndërtuar një sistem drejtësie të drejtë duhet një durim i madh për ta zbatuar. Ajo që kemi bërë në pak vite është e paprecedentë. Kemi ecur me një shpejtësi të skëterrshme. Lajm i mirë zgjatja e mandatit. Ka akoma shumë llum në gjykatat e shkallave të para dhe të dyta”, tha Rama.