Ish-lideri i demokratëve Sali Berisha ishte në Dibër ku ka nderuar figurën e ish-kreut të SHIK-ut në vitin 1997 Bashkim Gazidede. Ai i ka kërkuar vëllait të tij që kandidon nën siglën zyrtare të PD-së që të kthehet në “Shtëpinë e Lirisë”.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë dje në Dibër në kuadër të fushatës elektoreale për zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit. Berisha prezantoi Premtim Kryemadhin e “Shtëpisë së Lirisë” si kandidati për kryetar të Bashkisë së Dibrës. Duke folur para militantëve, ai i bëri thirrje kryetarit të PD-së së Dibrës, Naim Gazidede që të mos e mbështesë më Bashën. Berisha kujtoi bashkëpunimin që ka pasur me vëllain e kryedemokratit të Dibrës, Bashkim Gazidede, ish shefi i SHIK-ut, gjatë viteve 1992-1997. “Dy fjalë i kam për demokratët e Dibrës, ata pak që kanë ngelur dhe vazhdojnë të jenë të mashtruar pas Lul Bravës, por në radhë të parë me Naimin. Me vëllain e tij, i cili nuk është më, kam patur marrëdhëniet më të mira të punës, kam vlerësuar në mënyrën më të merituar kontributin e tij të madh që nga 8 Dhjetori 1990 deri në orën e fundit të jetës së tij. Ikonë e ndershmërisë, patriotizmit, aftësisë, e vlerave qytetare që meritonte të gjitha vlerësimet. Po kështu, unë kam mbështetur Naimin, kam bashkëpunuar ngushtë me të. Tani ndjej keqardhje të madhe kur e shoh dhe nuk arrij ta kuptoj, se si ka mundësi që të investohet apo të shndërrohet në patericë të Lul Bravës”, tha Berisha. Sipas tij, nuk duhet të votohet asnjë që punon për Lulzim Bashën, pasi sipas Berishës, i ligu mbtet i lig. “Dua ti them dy gjëra, atij dhe ndonjërit që thotë “ja e kemi dibran”. Kjo nuk qëndron sepse i ligu nuk ka vend, nuk ka krahinë, ka vetëm ligësi. Për të mos thënë pastaj që gjatë gjithë jetës sime, kam njohur vetëm dy burra që thonë se jemi nga vendi i dajave, njëri prej të cilëve është Lulzim Brava. Ju jeni dibranë, edhe jetim po të mbeteshe, daja kujdeset që të ruajë gjithmonë fisin. Ky është një ligj. Ndaj Naim mos ua shit për dibran atë që nuk ka as din, as iman”, pohoi Berisha.
Akuzat ndaj Bashës për “Toyota Yaris”
Sali Berisha, teksa prezantoi kandidatit Premtim Kryemadhi nga koalicioni “Shtëpia e Lirisë” në Dibër, ngriti sërish akuza ndaj Lulzim Bashës. Berisha u shpreh se Basha është i zhytur kokë e këmbë në çështjen Toyota. “Nuk është një betejë mes Sali Berishës dhe Lulzim Bravës. Nuk jam unë, nuk kam asnjë lidhje me dosjet. Unë jam habitur me atë që ka thënë në parlament me ‘Toyota Yaris’. I kam thënë që nuk mund ta bënte këtë gjë. Çfarë ndodhi. Prokuroria e Krimeve të Rënda e mori nën hetim për dekonspiracion të operacionit ndaj organizatës kriminale. Secili prej jush nëse do ishte akuzuar për këtë akuzë, disa vite do i kishit kaluar në qeli. Kurse kjo dosje u mbyll nga Rama, sikur të mos ishte. Nuk ka lidhje me asnjërin prej jush, por ka lidhjet e Lulzim Bravës dhe lidhjet Rama-Basha. Tani vjen prokuroria belge e cila vazhdon hetimin. Ka marrë nën hetim 9 persona dhe kjo e aferë dëshmon lidhjet e tmerrshme të mafias me politikën në Shqipëri. Mirëpo nga politikanë në Shqipëri, i vetmi që është thirrur nga prokuroria dhe prokurorët belgë, është Lulzim Basha. Kjo është e vërteta”, tha Berisha, duke garantuar se drejtësia belge është e pavarur dhe do ti shkojë deri në fund këtij problemi. “Vijmë tek dosja Nik Muzin, dosje që ma solli në zyrë ambasadori i SHBA. Unë i besoja Lulzimit dhe jo çfarë thoshte ambasadori. Por doli se ai kishte shkelur ligjet shqiptare dhe amerikane. Tani para jush i them, dil çdo ditë në foto me guvernatorin, por ajo dosje do të të mbetet gjersa të japësh llogari në 1 para ligjit shqiptarë dhe amerikanë. Mos mashtro me fotografi demokratët. Je i pashpresë’, deklaroi Berisha.
Reagimi i PD
Partia Demokratike reagoi pas deklaratave të Sali Berishës nga Dibra, i cili ndër të tjera tha se Basha është i përfshirë në dosjen Toyota Yaris. PD thekson se kandidatët e “shtëpisë së Ilirit”, nuk përfaqësojnë demokratët. “Ata përfaqësojnë korrupsionin që po e mban peng Shqipërinë. Dibranët e dinë mirë se si gruaja e kandidatit të Shtëpisë së Ilirit, nuk çoi para drejtësisë ministrat dhe zyrtarët e Edi Ramës që blenë dhe shantazhuan dibranët për vota. Sipas PD, demokratët dhe qytetarët dibranë, janë poshtëruar nga Berisha dhe Meta. “Ata përzgjodhën si kandidat pikërisht burrin e prokurores Belina Zeneli, e cila përveç dosjes 184, nuk i ka dhënë zgjidhje ligjore 33 procedimeve penale, si dhe nuk ka kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime të bëra nga qytetarët dibranë, duke i lënë ata pa drejtësi për hallet e tyre. Demokratët dhe qytetarët dibranë nuk mund të pranojnë kurrë njerëz të tillë. Ata e dinë se nëse zgjedhim Berishën dhe Metën, mbajmë Ramën”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.