Mbrëmjen e kaluar në mbikalimin e Rinasit ndodhi një atentat ku mbeti i vrarë Iljaz Çali.
Ky i fundit po udhëtonte me një makinë me qira tip “Land Rover” kur u qëllua me breshëri plumbash nga një makinë paralele me të.
Në fillim u raportua si aksident pasi ai humbi kontrollin dhe u përplas me bordurat anës rrugës, por më pas u kuptua se ai kishte vdekur. Ka dyshime se atentatorët kanë qenë profesionistë të kësaj pune pasi janë siguruar që të mos lenë asnjë gjurmë në vendin e ngjarjes.
Kjo pasi policia nuk ka arritur të gjejë asnjë gëzhojë plumbi në vendngjarje dhe ende asnjë gjurmë të autorëve. Ata dyshohet se kanë qenë në dijeni të lëvizjeve të tij pasi ai ka qenë duke u kthyer në shtëpi në momentin që i bënë atentat.
Makina “Land Rover” ditën e sotme është dërguar në Drejtorinë e Policisë Tiranë ku po kryhen ekspertizat e mëtejshme. Në lidhje me këtë ngjarje janë dy pistat kryesore ku janë përqendruar hetimet: e para është biznesi që kishte viktima bashkë me të vëllain. Bëhet fjalë për një kompani kromi në Bulqizë. Ndërkohë pista e dytë është konfliktet dhe hasmëritë që mund të ketë pasur 37-vjeçari.