Përfaqësuesit e Partisë Socialiste po tentojnë të vendosin si agjendë kryesore negociatat me opozitën për gjetjen e një emri konsensual për president, ku Lulzim Basha po përflitet si kandidat i mundshëm. Grupimi i Berishës e kundërshton, duke treguar numrat që kanë në Grupin Parlamentar të PD-së.
Mazhoranca qeverisëse ka nisur punën e saj për të gjetur një President mbi palët. Edhe tre muaj i kanë ngelur politikës shqiptare për të fiksuar një emër të ri për kreun e shtetit, pasi Ilir Meta e dorëzon mandatin më 22 korrik 2022. Mazhoranca publikisht ka dalë me “kartën e bashkëpunimit”, duke kërkuar nga opozita angazhim dhe diskutime për të gjetur një figurë “solide” për të përfaqësuar shtetin shqiptar. Por a është PD e bashkuar për të dalë në një emër Presidenti i propozuar nga selia blu? Në këto momente brenda partisë së kampit më të madh opozitar vështirë të gjenden dy politikanë në një mendje dhe jo më një grup i tërë në dakordësi. Kreu në detyrë i PD-së Enkelejd Alibeaj ka hedhur sfidën për grupimin e Berishës duke u shprehur se zyrtarisht vetëm PD-ja zyrtare mund të negociojë, por nga ana tjetër nuk i jep përgjigje pikëpyetjes së madhe se cili e zotëron në të vërtetë grupin parlamentar të PD-së. Një nga emrat që po përflitet dhe jo pa qëllim është Lulzim Basha, i cili pasi u detyrua të jepte dorëheqjen nga Kryetar i PD-së, duket se kërkon një “post honorifik” për të mbetur sërish në politikën aktive dhe kreu i shtetit ia jep këtë mundësi. Edhe pse koha ka treguar se me kreun e shtetit “pazaret politike” janë zhvilluar më shumë në skutat e errëta, duke nxjerrë e djegur emra të veçantë, sërish me interes është konfigurimi i ri politik që matet me forcën e numrave në Parlament.
Më komode duket se është mazhoranca e cila edhe nëse nuk siguron një emër konsensual do të shkojë në zgjedhjen e kreut të shtetit vetëm me votat e saj, duke vendosur këdo që mund të gëzojë pëlqimin e kryeministrit Edi Rama. Nga Partia Socialiste është ngritur edhe ekipi i përbërë nga tre veta ku është Tulant Balla, Damina Gjiknuri si dhe Elisa Spiropali. “Çdo deputet i PS gjatë gjithë fundjavës duhet të jetë prezent në territor për të marrë vendime që lidhen me angazhimin e deputetëve. Kemi diskutuar në mbledhjen e grupit parlamentar se po afron drita ku Kuvendi duhet të ketë kalendar që çon në zgjedhjen e presidentit. Siç e thotë Kushtetua jo më vonë se 24 maji duhet të vijojë procesi për zgjedhjen e presidentit. Në këtë kontekst, PS që ka udhëheqësin e këtij procesi për shkak se është shumica, do të zhvillojë një proces”, tha Taulant Balla para gazetarëve disa ditë më parë. Ndërsa nga Partia Demokratike nuk kemi asnjë sinjal veprimi përveç se disa zëra. Kështu nga selia blu kanë dalë zëra se Basha mund të jetë një prej kandidatëve. Por kjo nuk është përqafuar nga Berisha dhe njerëzit e Berishës.
Vetë ish kryeministri Sali Berisha deklaroi një ditë më parë se ka zëra nga grupi ish kryetarit të PD-së, Lulzim Basha se ai është kandidat për President pasi kreut të Shtetit, Ilir Meta, ti mbarojë mandati. Sipas Berishës kjo është e papranueshme nga opozita. Lidhur me këtë deklaratë reagoi të shtunën në mesditë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, sipas të cilit çështja do të diskutohet brenda grupit, por jo nga ata që nuk janë pjesë e grupit, duke nënkuptuar Berishën. Pas deklaratës së Alibeajt qëndrim mbajti edhe Luçiano Boçi, nënkryetar i grupit të PD-së. “Çështja e zgjedhjes së Presidentit është një çështje thelbësore e shtetit dhe e marrëdhënieve politike midis mazhorancës e opozitës. Rama mund ta zgjedhë e ta uzurpojë me votat e tij institucionin e fundit të pa rënë në duart e tij, por ai s’mund të ketë mbështetjen e opozitës as dhe t’i shmanget kundërshtisë politike në opinion nga opozita, nëpërmjet gjoja “axhendave parlamentare””, tha Boçi.
Sipas tij, askush nuk ka të drejtë të parapërcaktojë individualisht, pavarësisht pozicionit, mënyrat dhe rrugët e reagimit të Partisë Demokratike. “Çdo vendimarrje duhet të jetë kolegjiale. Së pari ajo i nështrohet diskutimit në Kryesinë e Grupit parlamentar. Çdo qëndrim apo deklaratë jashtë kësaj vendimmarrje, është krejtësisht individuale dhe si e tillë e pa vlerë”, tha Boçi. Ndërsa ditën e shtunë Enkelejd Alibeajt tha se: “Grupi parlamentar i PD nuk ka nisur ende asnjë diskutim për sa i përket cështjes së presidentit të Republikës. Në ditët në vijim, për shkak se mund të jetë ne axhendën parlamentare, do të diskutohet me anëtarët e grupit për këtë cështje. Qendrimet personale të askujt, aq më tepër të atyre që nuk janë pjesë e grupit parlamentar të PD nuk kanë kurrëfarë lidhje me qendrimin dhe vendimarrjen e grupit parlamentar. Ata që flasin sot për këtë cështje, në fakt, me ndryshimet kushtetuese të 2008, ia kanë mundësuar Edi Ramës ta zgjedhë, thjesht me vetëm votat e tij presidentin e vendit”.
Salianji: Grupi parlamentar i PD ende nuk ka një emër për President
Ervin Salianj nga qyteti i Korçës ka mbajtur një qëndrim lidhur me emrin e propozuar për Presidentin e ardhëshëm. Ai tha se askush nuk mund të flasë në emër të grupit, por do të mblidhet grupi dhe do të vendoset cili prej emrave do propozohet. “Është një diskutim i parakohshëm. Nuk ka diskutim për presidentin. Askush nuk ka targerin të flasë në emër të grupit. Do të diskutohet. Çdo emër i hedhur për konsum, apo i hedhur nga njëra palë nuk i shërben interesave të opozitës. Çdo emër që është hedhur dhe nuk përgënjeshtrohet i shërben për të theksuar perceptimin e keq që gjithçka është shitur dhe blerë qoftë në raport me kundërshtarët e PD, duhet t’i qëndrojmë parimeve. Qëndrimi i PD i shprehur përmes grupit parlamentar nuk ka asnjë qëndrim, sepse është qëndrim që vlen për të zhvendosur vëmendjen nga efektet e krijuara nga qeveria në rritjen e çmimeve. Të gjithë kanë qenë dhe janë mbështetës të PD. Nuk ka mbështetje personale. PD ka pasur disa kryetar, do të ketë të tjerë. Anëtarët janë po të njëjtën. Duhet bërë proces në bazë bashkimi dhe kjo ndodh në elementë konkretë. Vetëm kjo është rruga. Nëse do të ketë emërime, po ta duan emërime ta shohin me votë kush merr më shumë. Nuk ka nevojë të negociohet”.
Veliaj tregon profilin e Presidentit të ri: Të jetë si Alfred Moisiu
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka folur për profilin që sipas tij duhet të ketë presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë. Komentet Veliaj i bëri teksa ishte dje i ftuar në Konferencën Ballkanike për Lidership – “Rinia dhe e ardhmja e Ballkanit”, e organizuar nga Federata e Paqes, e drejtuar nga ish-Presidenti Alfred Moisiu. Pasi e vlerësoi një organizim të tillë, si një mundësi për të folur edhe për të rinjtë, Veliaj bëri edhe një koment lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Shqipërisë. Ai tha se Shqipëria ka hyrë në fazën kur duhet të zgjedhë një President të ri, i cili sipas tij duhet të jetë në shërbim të njerëzve dhe që i do të mirën vendit. “Shumë shpejt do të na duhet të mendojmë për Presidentin e ardhshëm të Shqipërisë. Kam dëgjuar debatet që bëhen sot nëpër studiot televizive, apo qoftë edhe brenda partive tona, për të gjetur identikitin e Presidentit të ardhshëm. Njëri thotë duhet të jetë kështu, tjetri thotë duhet të jetë ashtu, të ketë këtë moshë apo atë moshë, por në fund të gjithë kanë një të përbashkët: kush i do të mirën këtij vendi dhe do të sugjerojë identikitin e Presidentit të ardhshëm të Shqipërisë, thotë: ai duhet të jetë si Presidenti Moisiu sepse besoj se ka një konsensus të jashtëzakonshëm, përtej bindjeve politike, përtej të majtës dhe së djathtës, përtej myslimanëve dhe të krishterëve, përtej veriut dhe jugut, se ai është identikiti i Presidentit që na duhet. Një njeri me rrënjë, një njeri me bosht, që është në shërbim të publikut”, tha Veliaj.