Partia Demokratike ka animuar vendimin e gjykatës që njohu Kuvendin e 11 Dhjetorit. Ankimimi është bërë nga Enkelejd Alibeaj, kreu i grupit të PD.
Alibeaj ka depozituar kërkesën për ankimimin në Apelin e Gjykatës së Tiranës.
Me vendimin e dhënë rreth një javë më parë në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtari Agron Zhukri, PD-së i njihej statusi i ri, me ndryshimet e bëra në Kuvendin e 11 Dhjetorit.
Në këtë Kuvend, u shkarkua kryetari Lulzim Basha, nënklryetarët dhe Kryesia. Po ashtu sipas “11 Dhjetorit”, Komisioni i Rithemelimit drejton Partinë Demokratike deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Pas këtij vendimi në selinë blu situata mori një tjetër rrjedhë. Që prej asaj dite duket se kontrollin në selinë qendrore të demokratëve e ka marrë “Rithemelimi”. Këta të fundit, nuk e njohin Enkelejd Alibeajn si kryetar të komanduar, por vetëm si kryetar të grupit parlamentar.
Nga ana tjetër tentativat për bashkim, ndonëse artikulohet nga të dyja palët nuk kanë dhënë sinjale.
