Çfarë pritet të ndodhë në Kongresin e PS-së më 9 prill dhe nevoja e Ramës për të krijuar imazhin se diçka po lëviz edhe brenda mazhorancës, për të bërë “opozitën e vetes”. A do të dalin zëra kundër Ramës deri në grupime? Mbi zhvillimet në kampin e qeverisjes komentojnë për gazetën Fjala analistët Lorenc Vangjeli, Plator Nesturi, Leonard Karaj dhe Erald Shulla.
Nga Fernada Cenko
Lajm përbën për momentin çarja, përçarja, grupimet, idetë që hidhen e priten brenda Partisë Demokratike, duke lënë tërësisht në aneks një PS që vegjeton me veten, pasi edhe “armiqtë e jashtëm apo të brendshëm” po mbarojnë. Për të mos mbetur në ujëra të qetë ka menduar kryeministri Edi Rama, që më shumë se për ti dhënë një “fytyrë tjetër” forcës që drejton, tenton të bëjë lajm edhe aty ku nuk ka lajm. Kongresi i PS-së do të mbahet më 9 prill dhe pritet të ketë “lëvizje kuadrosh” zgjedhje, apo edhe ndonjë surprizë kryeministrore për ndryshimet në kabinet. Situata në dukje është krejtësisht e qetë kur shijojnë jo vetëm mandatin e tretë radhazi, por edhe marrin kënaqësinë teksa shohin se në kampin kundërshtar punët po shkojnë keq e më keq, aq sa mund tu sigurojë që tani mandatin e katërt apo më shumë.
“Duhet të bëjmë opozitën e vetvetes”-tha Rama, që më tepër se për të kuptuar se kë ka “kundërshtar” brenda partisë, po synon që të luajë sërish me pjesën e imazhit se aty po lëvizet, paçka se as edhe një lule dekorative nuk luan nga vendi. Rama kundërshtar të hapur branda PS-së nu ka, vështirë se edhe ata që mund të jenë do të shfaqen, ndaj po tenton opozitarizmin për të rritur edhe më shumë pozitat e vetes. Mund të dalin zëra aty këtu se drejtuesit e pushtetit, qëndror apo lokal janë shkëputur nga hallet e njerëzve, se duhet të jënë pranë atyre më shumë, apo edhe se ka ardhur koha që ata që po bëjnë “pis qeverisjen” të largohen.
Në fakt e gjithë kjo ligjëratë që mund të artikulohet në Kongresin e PS-së i shkojnë përshtat Ramës, i cili ka ditur të bëjë edhe babaxhanin në takim me qytetarët, edhe arrogantin në komunikimet me ta në rrjetet sociale, vlerësuesin për ministrat por edhe kritikuesin për ta. Në fund çdo gjë që të thuhet meritën do e marrë një dhe i vetëm… Nuk është ende koha për zërat kundër brenda PS-së. Ata që janë të pakënaqur me Ramën, sepse kanë pretenduar poste më të mëdha sesa kanë, për ca kohë memecë do shfaqen. Mbi zhvillimet brenda mazhorancës, përfshi edhe dosjet hetimore për korrupsion që po kryhen nga SPAK, komentojnë për gazetën Fjala analistët Lorenc Vangjeli, Plator Nesturi, Leonard Karaj dhe Erald Shulla.
Lorenc Vangjeli: PS drithëron kur kollitet Edi Rama
Leonard Karaj: Inceneratorët, vjedhja e shekullit, me këtë opozitë Rama bëhet mbret
Plator Nesturi: PD po spastrohet, PS mund të vetëpastrohet
Erald Shulla: Ramën nuk e fundosin as të tijët dhe as korrupsioni