Nga Ilir Cenollari
Ndoshta nga të gjitha gjinitë e artit poezia gëzon privilegjin e freskisë së përhershme. Asaj mund t’i kthehesh sa herë të duash e ajo s’e tradhëton besimin tënd, ajo përsëri mbetet e gjallë, e befasishme, e këndshme. Në varësi të gjendjes shpirtërore, e njëjta poezi në kohë të ndryshme të ngjan e ndryshme; e ndonjëherë të ngjan edhe më e bukur, edhe më e thellë, edhe më emocionuese. Poezia e mirë, e vërtetë, është si vera, sa më tepër vjetërohet aq më e shijshme bëhet. Kur ajo distancohet në kohë nga autori dhe epoka kur u shkrua, atëherë shquhet më mirë e më qartë vlera apo mosvlera e saj, atëherë duket më mirë cilësia, vërtetësia artistike dhe ndershmëria intelektuale e saj. Por ka dhe arsye të tjera që na bëjnë t’i kthehemi leximit të një vëllimi, të një autori, të një cikli poetik apo të një poezie të veçantë. Kështu më ndodhi dhe mua. Tërhoqa nga rafti i biblotekës një përmbledhje poetike të Fatos Arapit sepse ndjeva nevojën të takohesha me poezinë e tij e të shmallesha me poetin. Ajo që më goditi kësaj here qe cikli poetik “Skënderbeu”, një libër brenda një libri, një bllok i rëndë e harmonik mermeri, i pavënë re mirë më parë. Poezia e Fatos Arapit, e këtij mjeshtri të madh të fjalës poetike, që tashmë është kthyer në një klasik të gjallë, ka një veçanti: po qe se nuk thellohesh në leximin e saj, ajo të “ikën”, të “shpëton” nga syri e nga mendja. Në rast se ndalesh, thellohesh, vështron me vëmendje, futesh në brendësi të labirintheve kuptimore, figurative, muzikore, atëherë arrin të shijosh tharmin e kumtin e saj të veçantë, origjinal, të mëvetësishëm.
***
Janë gjithësej trembëdhjetë poezi, një qerthull ndjenjash ciklonike kushtuar epopesë së lavdishme të Skënderbeut. Kemi të bëjmë me shpirtëzimin e historisë, me udhëtimin në kohë dhe ndaljen në një periudhë kulmore për ta ndriçuar poetikisht. Fatos Arapi bën pjesë te ata poetë e krijues shqiptarë, që historinë nuk e shikojnë si një “gërmadhë” rrënojash, ngjarjesh, datash e numrash, por si një dritare për të hyrë thellë në shpirtin e popullit, në shpirtin e lirisë, në shpirtin e atdheut. Në këtë mënyrë historia s’është më një masë dheu, një trup i ngrirë e pa jetë por pjesë e së tanishmes, lëndë e amshueshme, e gjallë, frymëzuese. Ndalimi në një periudhë kaq të rëndësishme historike, thellimi në përmbajtje e kuptime, flet për vetëdije të lartë intelektuale, për përgjegjësi krijuese, për ndershmëri e ndërgjegje qytetare. Fatos Arapi i bashkohet kështu plejadës së ndritur të poetëve shqiptarë, Jeronim De Radës, Naim Frashërit, Gavril Darës, Fan Nolit, etj., të cilët te fytyra e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, panë fytyrën e lirisë, fytyrën e atdheut, fytyrën e luftëtarit dhe prijësit të ndritur të kombit shqiptar. Ideja themelore e ciklit “Skënderbeu” është liria, liria e një populli të tërë të kërcënuar nga robëria e asgjesimi. Tema e lirisë përshfaqet si temë qëndrore, e përhershme, universale, qoftë si liri individuale, qoftë si liri kombëtare, qoftë si liri shoqërore. Fatos Arapi është nga ata krijues që shquhet në kapjen e trajtimin e temave ekzistenciale, drithëruese, të mëdha. Me ndërgjegje ai nuk u shmanget atyre, nuk dredhon andej-këndej, nuk zhytet në artificialitet, nuk imiton, nuk fshihet pas maskave. Fatos Arapi është nga ata krijues që e marrin rrezikun të sy, që e kapin “demin prej briri”, që përballen me objektin krijues ballasi, që trajtojnë tema të mëdha e të përhershme.
Ky tipar i tij flet për talent të spikatur krijues, për karakter të fortë, për vizion të qartë, për ndërgjegje historike, për guxim qytetar. Po të mbajmë parasysh kohën kur janë shkruar këto poezi (vitet 1978) dhe mesazhet që ato përcjellin te lexuesi, këto tipare marrin një vlerë edhe më të madhe, edhe më të lavdërueshme. Letërisa e mirë dhe e vërtetë nuk kushtëzohet nga faktorë jashtëletrarë. Qoftë dhe ky cikël poetik është provë se gjatë viteve të regjimit të kaluar në Shqipëri është bërë letërsi e madhe. Koncepti i lirisë së paraqitur nga Fatos Arapi del jashtë çdo kornize ideologjike, politike e kohore. Ajo e tejkalon kohën kur u shkrua, e tejkalon sistemin ideologjik e politik të kohës, e tejkalon realizmin socialist e çdo rrymë tjetër letrare. Koncepti i lirisë, ashtu siç është shtjelluar në këtë cikël, shpaloset në të gjitha dimensionet, në të gjitha aspektet, si një kategori absolute, e pavdekshme, e patjetërsueshme, e paasgjesueshme.
Lirinë nuk mund ta vrasësh, nuk mund ta gjunjëzosh, nuk mund ta trembësh, nuk mund ta asgjesosh. Liria gjendet në zemrën e çdo njeriu, ajo lind bashkë me lindjen e njeriut, liria nuk është dhuratë e këtij apo atij, e këtij apo e atij sundimtari, e këtij apo e atij pushtuesi, e këtij apo atij tirani. Liria s’kërkon lëmoshë. Liria vjen nga qielli, liria i ka rrënjët thellë në tokë, liria është kudo, në thëngjijtë e zjarrit, në kafshatën e bukës, në qiellin e syve, në këngë, në zemër, në dallgët e oqeanit, te zogjtë fluturues, te varret e të rënëve, në bedenat e kështjellave, te një lule aguliçe, në majën e shpatës, në thikën e plugut, në gjirin e nënës, te një kokërr grurë, te gjethet e degët e ullirit…Liria është në fjalët e ushtarit arbëresh, robit plak të lidhur me zinxhirë, i mbushur plot me plagë, i cili pyetjes së Sulltanit të plotfuqishëm se përse lufton kur fati yt mund të ishte ndryshe, i përgjigjet me krenari ngazëllonjëse: “-Sepse, padishah, çdo njeri ka në kraharor një copë qiell, dhe në të fluturon një dallandyshe”. Liria është shpirti dhe shpirti është pavdekshëm:
Dhe shpirti dhembjen gjer në palcë e ndjeu,
Siç e ndjen guri, kokrriza e plisit.
E lindi prej saj vetë Skënderbeu,
U gdhënd prej dhembjes pavdekësi e lirisë.
………………………………………………….
Cikli poetik i Fatos Arapit përcjellë në mënyrë dramatike fatin e Arbërisë në përleshje për jetë-a-vdekje me hordhitë osmane, gjëmën e tragjedinë e skëterrshme të popullit shqiptar, heroizmin e tij për liri, qëndresën burrërore, tronditjen e thellë shpirtërore në prag të humnerës fundosëse pesë shekullore. Të gjitha këto zhvillime, që ia ngritën lart lavdinë popullin shqiptar dhe kryeheroit të tij, Skënderbeut, hapën plagë të rënda, plagë të përjetshme në shpirtin shqiptar. Jo vetëm se u pasuan me një rënie tragjike, me një rrokullimë marramendëse. Këto plagë, këtë lëngim, këtë tronditje, këto mundime, këtë dhimbje e cfilitje mëton të paraqesë e shpalosë poezia e Arapit. Në këtë kuptim, ajo nuk është vetëm kujtesë, vetëm ripërjetim i histories, por edhe një mesazh i fuqishëm për të sotmen e të ardhmen.
Skena kishte qënë tepër e vogël,
Mjaftonte një fjalë: Shqipëria…
Po tragjedia…ishte luajtur
Në një shekull të tërë, tragjedia.
……………………………………………
Poezitë e këtij cikli përcjellin atmosferën e zymtë të mësymjes rrënuese osmane mbi tokat arbërore, rënkimin e lirisë, dhimbjen e shkaktuar nga mënxyra pushtuese. Pesha e rëndë, shtypëse, fatale e thundrës së egër osmane u ndje deri në palcë, në çdo kokrrrizë dheu, në çdo qelizë njeriu, madje dhe në zemër të gurit. Nga kjo dhimbje dërrmuese, vrasëse, nga kjo shtypje e tmerrshme lindi fuqishëm ndjenja e lirisë, lindi kryeheroi, vetë Skënderbeu. Ai ishte populli, prijësi, zëri tij, shpata dhe forca e tij. Ngaqë qe i tillë, arriti në atë shkallë lartësie e lavdie, saqë u bë i pavdekshëm. Se e pavdekshme është liria, se liria pjellë heronj, mbrojtësit e çlironjësit e saj të përjetshëm. Në një kuptim të kundërt, te ky ekuacion, te kjo shkrirje, vërejmë se s’mund të jesh hero në rast se nuk lufton e flijohesh për liri. Ky mësim vjen si dush i ftohtë për të gjitha ata që gënjejnë veten se janë heronj, për ata që vetëshpallen të tillë, shkurt për të gjithë pseudoheronjtë. Fatos Arapi nuk mbetet vetëm te tabloja e përgjithshme historike, te epopeja si e tillë. Ai kap e zbërthen detaje kuptimplota, çaste psikologjike, vizaton skena prekëse, madhështore, figura e karaktere të spikatura, të cilat flasin po aq shumë sa dhe përgjithësimi, në mos më tepër. E tillë është poezia “Albulena”, e cila përshkruan me penelata të gjalla, emocionuese, madhështore, atmosferën e fill pas përfundimit të betejës së përgjakshme. Poezia ka një gjetje fantastike pasi vë përballë dy skena madhështore, dy skena krejt të ndryshme. Njëra skenë, ajo heroike, paraqet tërbimin e luftës, ashpërsinë e betejës së përgjakshme, përleshjen fytafyt, trup më trup, thyerje, bluarje kockash, shpatash, kasapanën e saj, fushën e mbuluar me viktima që ende nxjerrë avull zjarri, humbjen e turpshme osmane dhe fitoren e lavdishme arbëreshe. Skena tjetër, ajo jetësore, paraqet dhimbjen e thellë njerëzore, fatin e një gruaje anonime arbëreshe, e cila sapo ka humbur burrin në këtë betejë. Poezia është tepër prekëse. Kjo grua, që bëhet dëshmitare e një beteje të lavdishme, duke kërkuar mes kufomave të të rënëve burrin e vet, në një çast, e mpirë nga lodhja, ankthi e dhimbja, ndalet, mbushet me frymë, zbulon gjinë e bardhë për t’i dhënë sisë foshnjës që ka në gji. Por pak më tej, para saj, te këmbët e saj, shtrihet fushë e gjerë e luftës, Fusha e Albulenës, det i përgjakur, -dhimbja njerëzore. Kjo poezi është dhe një pikturë e rrallë, dhe një skenë madhështore filmi, dhe një klithmë e egër lirie. Poeti na thotë se lufta s’është shaka, se liria s’është shaka, se liria ka çmim të shtrenjtë, se liria kërkon fli, sakrifica, vetmohim, se liria është qumështi i foshnjës dhe gjaku i burrit, mëkimi i nënës dhe dhembja e gurit! Nëna, në këtë rast, ka një detyrë të vështirë, ajo duhet të rrisë foshnjën, të rrisë trimin, luftëtarin e ardhshëm, nëna duhet të mëkojë lirinë. Ja disa vargje të kësaj poezie të rrallë:
Gruaja ecën mbi heshtjen e thellë të fushës së luftës.
Ulet mbi gurë, lë në tokë torbën e bukës
për të shoqin. Zgjidh litarët kurrizit.
Merr foshnjën nër duar, nxjerr gjirin e bardhë –
i jep sisë…
Te këmbët e saj fusha e luftës e gjerë
me zëra njeriu thërret: Albulenë… Albulenë…
Poeti ka meritën e padiskutueshme se krahas portretizimit të figurës së burrit arbëresh, luftëtarit të lirisë, heroit kombëtar, ka futur e përjetësuar në poezi edhe figurën e gruas arbëreshe, e gruas zonjë e rëndë, mëndeshë e jetës, heroinë e mëmdheut, e gruas me botë të madhe e të hollë shpirtërore. Është e pamundur ta ndash rolin e burrit nga roli i gruas, si në luftë si në paqe. Poeti rimerr e trajton këtë varg të poezisë popullore: “…dhe llërët e zonjave / si shandanë mbenë ndanë udhe” për të ndërtuar eposin e grave shqiptare përgjatë gjithë periudhës së errësirës shekullore osmane. Figurativisht kjo ide jepet me anën e metaforës së shandanëve të kishave e katedraleve të shenjta, që në këtë rast janë llërët e zonjave arbëreshe, që më dritën e tyre, çanë terrin e gjatë e të dendur të natës osmane. Sa fisnikëri, sa dhembshuri, sa bukuri, sa forcë jep kjo metaforë, sa mirë e sa mrekullisht jep ajo dramën e sakrificën e gruas shqiptare gjatë robërisë osmane. Shpirti i grave shqiptare u shkri për liri si shandani kur digjet në ekstazë, në heshtje e përvuajtje të amshueshme. Dhe llërët e zonjave shëmbëllejnë sa si shandanë ndriçues, sa si shpata të shndritshme! Ja disa vargje të kësaj poezie:
Pesëqind vjet shandanët digjeshin
ndanë udhe ku kalonim.
Robëri dhe errësirë…
Qiejt e jetës sterronin.
……………………………
Ngrinë erërat nër shtigje,
Arbëria gjithë ngrirë…
Dhimbja jonë kullonte dyll
e shandanëve n’errësirë.
Ato digjeshin ndanë udhe,
pesëqind vjet dashuritë digjeshin…
Nëpër dritëzat e tyre
me lirinë në sy ne shiheshim.
…………………………….
Po në këtë vazhdë është dhe poezia “Po trokas në zemrën tënde” në të cilën skalitet mjeshtërisht figura e kryezonjës së Arbërisë, mbretëreshës Donikë. Është Skëndebeu ai që troket në zemrën e heroinës, është kryeheroi i lodhur e rraskapitur nga betejat e plagët e luftës, që lutet për pak prehje në kraharorin prej dielli të Donikës, është Gjergji i madhërishëm që te fytyra e dhembshur e mbretëreshës dëshiron të shikojë si për herë të fundit hapësirat e pafundme të lirisë, “erë yjesh, rrëke qiellore kur gjithë dritëza lozin burimit të syrit tënd”. Lartësimi i figurës së Donika Kastriotit shkon krah për krah me lartësimin e figurës së Skënderbeut, si një çift i denjë për kurorën mbretërore të Arbërisë. Poeti e njeh e zotëron mirë materien historike, të cilën falë talentit të tij e ka kthyer në lëndë poetike. Një punë e tillë nuk është e lehtë. Nga gjithë ajo vorbull e vrullshme zhvillimesh, ngjarjesh e situatash të larmishme, poeti ka nxjerrë dhe ka skalitur karaktere tipike shqiptare, të cilat vulosin jo vetëm këtë periudhë historike, por gjithë mendësinë shqiptare të çdo epoke. Në rast se për poezinë “Albulena” thamë se është dhe një pikturë, poezia “Lekë Dukagjini”, për shembull, është dhe një skulpturë, një shtatore, një monument madhështor i denjë për çdo shesh të madh qyteti, kryeqyteti, kudo në botë. Profili psikologjik dhe karakteri i këtij princi arbëresh është punuar me durim dhe dashuri të skajshme, me pasion e fantazi të epërme, me mjeshtëri të madhe e vërtetësi të rrallë. Lekë Dukagjini është një karakter i përjetshëm shqiptar, tipik dhe i pavdekshëm, një shtatore shpirtërore që çdo kush mund ta mbajë lehtësisht në shpirt, në sy, mbi tavolinën e zyrës, a në sheshin e qytetit. Një figurë tipike feudale, e dyzuar në karakter, në moral, në tip, në politikë, një figurë sa dinake aq dhe e zgjuar, sa katolike aq dhe e pabesë, sa ambicjoze aq dhe e pastër, sa e rrëmbyer aq dhe e kthjellët. Por kur ky princ arbëresh merr vesh vdekjen e Skënderbeut, bëhet tjetër njeri, shërohet nga të gjitha veset, vajton heroin, vajtonë lirinë, gulçon, ulëret, derdh lotë e ngashërehet si një fëmijë.
Kohërat gdhënden e gdhëndin,
Ai është atje, në zemër të shkëmbit.
Njërin sy shqiponje e tjetrin dhelpre.
Gjuhën vetëtimë me flakëza nepërke.
………………………………………..
Njërën palë të brinjëve e kruan nga turku,
Tjetrën brinjë e kashais nga Venediku.
“Skënderbeun e kam në shpinë”…..
……………………………………………
Ndër princët shqiptarë ai është më katoliku,
dhe si katolik – më oksidental.
E sapo del prej kishe, anatemën e papës
E mban në dorë si qeleshen e bardhë.
Po është ai, që kur vdiq Skënderbeu,
Kur e pa Gjergjin shtrirë para tija,
Me klithma që çanin qiellin e dheun,
Thirri: -Oh, mjerë ne! Dhe mjerë Shqipëria!
……………………………………………..
Jo më pak dramatike janë temat që trajtojnë poezitë “Vrana Konti”, “Sulltan Murati dhe shqiptari”, “S’ish rënkim po Pal Golemi”, “Ata”. Motivi kryesor i këtyre poezive është motivi i lirisë, i cili na jepet na marrëdhënie me figura të rëndësishme politike, me karaktere, me sjellje e dukuri kontraditore. Me këtë përthyerje, me këto prirje, me këto dritëhije, me këto portretizime artistike jo vetëm del më në spikamë tema e lirisë por bëhet më e qartë tragjedia e vendit, bëhet më e prekshme, më konkrete situata komplekse e epopesë Skënderbejane. Figura heronjësh, trimash të çartur, princësh të shquar dhe në antitezë me ta, figura tradhëtarësh e mercenarësh, lëvizin në skenën e historisë, sa në një çast të caktuar gjithçka vihet në pikëpyetje, gjithçka mund të rrëzohet papritur. Arbëria e mjerë kridhet në gjendje ankthi të thellë kur para saj si një sfinkës i frikshëm shfaqet tradhëtia, një armike e re, edhe më e rrezikshme, edhe më e paparashikueshme. Arbëria mbanë frymën pezull: cili do jetë fati i lirisë?
Në natën tradhtare Hamzaj iku…
Shqipëria pyeste: – A është Vranakonti?
Të tjerët kishin kështjella, principata,
kishin kohortat e tyre, ushtërira.
Ai kishte vetëm zemrën e shpatën…
Shqipëria kishte edhe vdekjen e tija.
***
Cikli poetik “Skënderbeu” shquhet për realizimin artistik, për forcën e vargut, e fjalës, e strofës, e figuracionit, e harmonisë, e ritmit dhe fuqisë shprehëse. Vargjet kalojnë e shpështillen si shtrëngata të furishme rrëbeshesh, të ngarkuara me re, vetëtima e bubullima, me kumbime kambanash e gjëmime lufte, me oshëtima përrenjësh e vërshime lumenjësh të fryrë e të turbullt. Kjo forcë, ky lloj ligjërimi, ky ritëm i rrëmbyer, shpërthyes, ortekor, është në harmoni me tematikën poetike, buron nga nevoja e brendshme për të dhënë sa më besnikërisht atmosferën e rëndë të luftës, nga nevoja për të pasqyruar sa më qartë realitetin historik. Ritmi i shpejtë, i shoqëruar me figuracion të fuqishëm, e deri diku dhe me rimë të brendshme, është shprehje e përsosmërisë poetike, e përsosmërisë artistike, është shprehje e unitetit mes formës dhe përmbajtjes, ndjenjës dhe frymëzimit, talentit dhe fuqisë krijuese, njohurive të thella dhe aftësisë sintetizuese e përgjithësuese.
S’ish rënkim, po Pal Golemi.
Te këmbët e tij vetë dielli
kishte marrë kokën ndër duar
edhe qante për njerinë…
… Do të qante gjithë jetën.
Pa këto cilësi të domosdoshme, pa këtë forcë artistike, lexuesi nuk do të ndihej i prekur, nuk do t’i përjetonte emocionalisht ato, nuk do të tronditej shpirtërirsht. Pikërisht prej kësaj force e bukurie të brendshme lind entuziazmi, lind kënaqësia estetike, e më në fund dhe krenaria kombëtare.

