Nga Mentor HOXHA – Paris
Zgjedhjet presidenciale 2022 në Francë mbahen sot më 10 prill. Çdo qytetar francez mbi 18 vjeç gëzon të drejtën për të votuar. Votimi zhvillohet në të gjitha qendrat e votimit në Francë dhe komunitetet jashtë saj. Zyrat e votimit hapen në ora 8 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 18 ose 19. Në disa qytete të mëdha mbyllen në orën 20. Zgjedhjet zhvillohen me votim të përgjithshëm në një votim të drejtpërdrejtë jo-emëror në dy raunde. Ai rregullohet nga nenet 6, 7 dhe 58 të Kushtetutës së Francës. Kandidati i zgjedhur duhet të marrë shumicën e votave. Nëse, në raundin e parë, asnjëri nga kandidatët nuk fiton shumicën, atëherë zhvillohet raundi i dytë në 24 prill, ku marrin pjesë dy kandidatët që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Shpallja e rezultateve bëhet nga Këshilli Kushtetues, i cili është përgjegjës për rregullsinë e votimit. Kandidati i shpallur nga Këshilli Kushtetues është President i Republikës së Francës për një mandat 5 vjeçar. I njëjti person nuk mund të përmbushë më shumë se dy mandate radhazi. Presidenti aktual, Emmanuel Macron që kandidon për mandatin e dytë, nëse rizgjidhet nuk mund të kandidojë për mandatin e tretë.
Presidenti i Këshillit Kushtetues shpalli më 7 mars 2022 listën zyrtare të 12 kandidatëve për zgjedhjet presidenciale 2022 në Francë, të cilët janë:
Jean Lassalle, 66 vjec. Është djali i një bariu. Në moshën 21 vjeçare zgjidhet kryetar i fshatit të tij të lindjes. Në 2002 u bë deputet për Pyrenees-Atlantiques. Në 2016 krijoi partinë “Resistons”. Kandidon për herë të dytë. Në 2017 mori 1.21% në raundin e parë. Premton 3 miliardë euro për zonat rurale, heqjen e taksës së pronës dhe për kompanitë në komunat me më pak se 15.000 banorë. Është në favor të rivendosjes së taksës së pasurisë. Planifikon të “ringjallë frymën e Republikës së V” duke rifutur referendumin e nismës qytetare.
Yannick Jadot, 54 vjeç, Europe-Ecology-The Greens, Evopa Ekologji -Të Gjelbërit (EELV). E nisi karrierën si aktivist i komunitetit në OJQ-në mjedisore Greepeace. Nga viti 1999 është anëtar i të Gjelbërve. Në 2008 u përfshi në politikë dhe u zgjodh eurodeputet në siglën e “Europe Ecologie”. Kandidon për herë të parë. Nëse zgjidhet, gjuetia me zagarë do ndalohet, gjuetarët nuk do kenë më të drejtë të ushtrojnë aktivitete gjatë fundjavave dhe festave zyrtare. Premton një pagë minimale mujore 1500 euro, njohjen e depresionit dhe djegies si sëmundje profesionale, punësimin e 100 mijë infermierëve dhe zgjatjen e lejes prindërore në 16 javë.
Valérie Pécresse, 54 vjeç, Partia Republikane (LR). Kandidon për herë të parë. Nga viti 2015 është presidente e Rajonit Île-de-France. E filloi karrierën në 2002 si këshilltare e Jacques Chirac. Në 2002 u zgjodh deputete e UMP-së për Yvelines dhe pati i poste ministrore nën mandatin e Nicolas Sarkozy (2007-2012). Premton të rrisë pagat mujore neto të punëtorëve me më pak se 2800 euro, të ulë gradualisht moshën e daljes në pension në 65 vjeç (deri në 2030) të shkurtojë 150. 000 vende pune në “administratën shtetërore”, futjen e referendumit të nismës qytetare dhe rritjen e shtesave për familjet që kanë dy ose tre fëmijë.
Emmanuel Macron, 44 vjeç, “La République en marche”, Republika në lëvizje (LRM). Nga viti 2017 është President i Republikës së Francës. E filloi karrierën si këshilltar. Më pas u emërua ministër i François Hollande. Nëse rizgjidhet, premton të heqë tarifën e licencës audiovizive, të shtyjë moshën e pensionit në 65 vjeç, të vendosë një minimum prej 1100 euro për pensionet dhe të shtojë gjysmë ore sportive për nxënësit e shkollave fillore. Dëshiron të reformojë RSA-në dhe të paguajë automatikisht ndihmën sociale. Gjithashtu, dëshiron të ngrejë një debat të madh të përhershëm që “qytetarët të marrin pjesë në vendimmarrje për 5 vitet e ardhshme”. Ai ka shprehur dëshirën për të futur një pjesë propercionale në zgjedhjet legjislative. Ky ishte një premtim i fushatës së tij në vitin 2017, zbatimi i të cilit është shtyrë disa herë.
Marine Le Pen, 53 vjeç, “Rassemblement national” (RN). Është vajza e bashkëthemeluesit të Frontit Kombëtar, Jean Marie Le Pen, të cilin e pasoi në 2011 në krye të partisë. Aktualisht është deputete dhe këshilltare rajonale për Hauts de -France. Kandidon për herë të tretë. Në raundin e parë në 2012 mori 17.9%. Në 2017 kaloi në raundin e dytë. Premton heqje e bashkimit familjar dhe shtrëngimin e aksesit për natyralizim, përjashtimin e kriminelëve, privatizimin e sektorik publik audioviziv, përjashtimin e të gjithë tatimpaguesve nën 30 vjeç nga tatimi mbi të ardhurat, uljen e TVSh-së në 5.5% për karburantin, gazin dhe energjinë elektrike dhe të rris pagat me 10%.
Nathalie Arthaud, 52 vjeç. Profesore e ekonomisë dhe menaxhimit në rajonin e Parisit. Ka qenë një aktiviste në partinë troskiste Lutte Ouvriere që 18 vjeç. Zëdhënëse e Ariette Laguiller gjatë fushatës presidenciale 2007 dhe këshilltare bashkiake përgjegjëse për rininën në Vaulx-en-Velin (Rhone) midis 2008 dhe 2014-ës. Garon për herë të tretë. Në 2012 mori 0.56% e votave në raundin e parë dhe në 2017 mori 0.64%. Premton një pagë minimale mujore prej 2.000 euro, asnjë pension më të vogël se 2000 euro, rikthim të pensionit në moshën 60-vjeç, ndalimin e gjuetisë me zagarë, si dhe punësimin masiv në infermierinë, në shtëpitë, spitalet dhe në arsimin kombëtar.
Fabien Roussel, 52 vjeç, Parti communiste français -Partia Komuniste Franceze (PCF). E filloi karrierën si gazetar televiziv. Në 2014 u zgjodh këshilltar bashkiak djhe në 2017 deputet. Një vit më pas merr kreun e PCF-së. Është kandidati i parë komunist në 10 vjet. Premton të rrisë pagën minimale mujore në 1500 euro neto, të krijojë një javë pune 32 orëshe dhe të ulë taksat për energjinë elektrike dhe gazin. Premton pension në 60 vjeç dhe asnjë pension nën 1200 euro. Garanton të drejtën e azilit për refugjatët dhe propozon që Presidenti i Republikës të mos ketë më imunitet ligjor.
Eric Zemmour, 63 vjeç, Reconquest. Gazetar, eseist dhe polemist.. Kandidon për herë të parë. Ndër propozimet e tij kryesore është shtimi i kushteve për dhënien e shtetësisë franceze dhe dëbimi i të huajve që punojnë në Francë sapo të kalojnë 6 muajt pa punë, heqja e tarifës audiovizive dhe rritja e pagës minimale me 105 euro në muaj.
Jean-Luc Mélenchon, 70 vjeç, La France insoumise (LFI). Ish senator dhe ministër socialist. U largua nga PS, të cilën e konsideronte tepër të djathtë në 2008. Themeloi Partinë e Majtë, e cila në 2008 u shkri në La France insoumise. Kandidon për herë të tretë. Në 2012 (11% e votave në raundin e parë) dhe në 2017 (19,58%) duke u radhitur i katërti. Premton uljen e moshës së votimit në 16 vjeç, futjen e mundësisë së organizimit të një referendumi për nismën qytetare, rimbursimin e plotë të shpenzimeve shëndetësore, pension nga mosha 60 vjeç, rritje të pagës minimale mujore në 1400 euro neto dhe javën e 6-të të pushimit me pagesë.
Anne Hidalgo, 62 vjeç, Partia Socialiste (PS). Nga viti 2014 është Kryetare e Bashkisë së Parisit. E filloi karrierën si këshilltare ministrore nën Lionel Jospin (1997-2001) disa vjet pasi iu bashkua PS-së. E zgjedhur për herë të parë në zgjedhjet komunale në Paris në 2001, ajo ishte zëvendësja e parë e Betrand Delanoë për 13 vite me radhë, përpara se ta pasonte atë si kryebashkiak në 2014. Ish inspektorja e punës dhe vajza e emigrantëve spanjollë kandidon për herë të parë. Ajo kërkon një rritje 15% të pagës minimale, të drejtën e votës nga mosha 16 vjeç dhe negocimin e një reforme të re të sigurimit të papunësisë.
Nicolas Dupont-Aignan, 61 vjeç, Stand -up France (DLF). Nëpunës i lart civil. Në 2007 themeloi lëvizjen Debout la Republique (më pas u quajt Deout la France). Kandidon për herë të tretë (1.79% e votave në 2012 dhe 4.70% në 2017). Kërkon të rrisë me 8% pagat e punëtorëve, si dhe propozon ulje të tarifave për të vetëpunësuarit Si kundërshtar i ashpër i lejes së shëndetit dëshiron të vendosë me 500 mijë firma një referendum për nismën qytetare. Është pro braktisjes së mandatit 5vjeçar dhe rikthimit të mandatit 7 vjeçar dhe njohjes së votës së bardhë. Premton rivendosjen e taksës së pasurisë dhe daljen në pension në moshën 60-vjeç.
Philippe Poutou, 55 vjeç, Nouveau Parti anticapitaliste, Partia e re antikapitaliste. Bir i një bariu dhe i një nëne shtëpiake. Punoi për një kohë të gjatë si punëtor fabrike. Në 2019 përfshihet në politikë si këshilltar komunal dhe komunitar në Bordo. Kandidon për të tretën herë. Në 2012 mori 1.15% e votave në raundin e parë dhe në 2017, mori 1.09%). Premton të ulë moshën e pensionit në 60 vjeç, të rrisë pagën minimale mujore neto në 1800 euro, të ndalojë pushimet nga puna dhe të vendosë një javë pune 32 orëshe. Planifikon të hapë të drejtën e votës për të huajt që jetojnë në Francë dhe të rregullojë të gjithë migrantët pa dokumente, daljen nga energjia bërthamore brenda 10 viteve, hapjen e 100 mijë shtretërve në spitale dhe rimbursimin 100% të kujdesit dhe barnave.
Nga këta 12 kandidatë sondazhet nxjerrin fitues, presidentin aktual Emmanuel Macron. Gjithsesi gara është garë dhe mund të ketë edhe surpriza. Macron do të fitojë shumicën e votave në raundin e parë dhe në balotazh në 24 prill mund të dalë me Marine Le Pen.
