Kryeministri Edi Rama do të takohet sot me Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon në Gjermani.
Kryeministri u prit dje pasdite me ceremoni zyrtare në aeroportin Brandenburg, ndërkohë që ditën e sotme do të zhvillojë një axhendë intensive takimesh me zyrtarë të lartë.
Sipas axhendës së publikuar në medie, në orën 10:30 Rama do të zhvillojë një vizitë në ambientet e “Factory Berlin”.
Gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se kryeministri Rama i shoqëruar nga delegacioni nis sot takimet zyrtare me takimin e parë me kryebashkiaken e Berlinit.
“Në mesditë Rama do ketë një takim me kryetaren e bashkisë së Berlinit Franziska Giffey, ku do të jetë dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Arbjan Manzikut, do diskutohet bashkëpunimi dhe një binjakëzim i mundshëm mes dy kryeqyteteve.
Ndërsa në orën 15:20, një takim bilateral me Frank-Walter Steinmeier, President i Gjermanisë.
Në orën 18:00, Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Olaf Scholz, Kancelar i Gjermanisë për të vijuar me një konferencë e përbashkët shtypi në orën 18:15. Integrimi europian dhe lufta në Ukrainë do jenë dy temat kryesore të takimit me kancelarin gjerman”, raportoi Gjençaj.