Kryeministri Edi Rama është duke zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarët në Berlin, pas takimit që pati me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Rama foli fillimisht për patentat dhe tha se njohja e tyre nga autoritetet gjermane dëshmon avancimin e bërë dhe modernizimin në këtë sektor.
“Është një marrëveshje domethënëse jo thjesht për faktin se më në fund të gjithë shqiptarët që banojnë këtu do të kenë patentën shqiptare, por domethënës për faktin e transformimit të madh në Shqipëri. Njohja e patentës lidhet me të gjithë procesin e nxjerrjes së një patente. Kur inspektorët e transportit gjermanë kanë ardhur në Tiranë kanë ndryshuar opinion, kur kanë parë ndryshimet në të gjithë strukturën. Kemi marrë komplimente, kemi ndërtuar sistem ultramodern. Njohja e patentave është një lloj certifikatë e rëndësishme sa i përket shtetformimit në këtë sektor”, tha kryeministri.
Pyetjes se a ka ndonjë kandidat të preferuar për president të ardhshëm, Rama iu përgjigj:
“Sa i përket pyetjes tjetër, kaloj te pyetja tjetër”.
Për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Rama tha:
“Këto janë gjëra që nuk ia jep Shqipërisë një person qoftë i quajtur ky qoftëlarg apo afër. Këto janë ngjarje që lidhen me vullnete të tjera, me ato të vendeve. Në raport me mua, negociatat duhet të ishin hapur që para 4 vitesh, i kemi merituar. Fakti që nuk janë hapur zyrtarisht nuk lidhet me mua apo ne, por ata. Shqipëria ka merituar hapjen e negociatave. Sa i përket duhet më shumë, nuk ka nevojë fare të vijmë në Berlin e ta thotë kancelari. Natyrisht që duhet më shumë, është e pa diskutueshme dhe diçka që e them çdo ditë”.
Kryeministri evidentoi të përbashkëtat dhe dallimet që kanë procesi i Berlinit dhe nisma Ballkani i Hapur.
“Me Ballkanin e Hapur kemi bërë një pjesë të mirë të procesit të Berlinit. Çështjet e tregut të përbashkët, që kancelari përsëriti sot, janë varur sepse ka diçka që nuk shkon me atë proces. Kemi pasur bashkëbisedim të mirë dhe pozitiv, me mirëkuptim të plotë, interesant për një sërë temash ndërkohë që sigurisht që thelbi i problemit të procesit të Berlinit nuk është as në Berlin dhe Bruksel, por Ballkan. Në aspektin e ecurisë së projekteve, natyrisht është Berlini”, theksoi Rama.