Barcelona ka pësuar një humbje shokuese në Camp Nou ndaj Eintracht Frankfurt duke u eleminuar nga kompeticioni ku konsideroheshin favoritë absolutë, Europa League.
Skuadra e Xavi Hernandez kishte barazuar 1-1 në transfertë dhe mendohej se në fushën e saj do ta kishte shumë të thjeshtë, por nuk ka ndodhur kështu, pasi ekipi ka lënë shumë për të dëshiruar ne lojën e tij, edhe për faktin se pësoi gol që në minutat e parë me penalltinë e Kostiç. Katalanasit u munduan të sulmonin por e kishin të vështirë të krijonin raste para portës së Trap, teksa me një kundërsulm të shpejtë erdhi edhe goli i dytë me anë të Borre i cili ngriu Ter Stegen me një gjuajtje nga distanca.
Eintracht humbi disa mundësi të tjera shënimi derisa gjeti përsëri golin me Kostiç, duke i vënë praktikisht vulën kualifikimit. Vendasit u munduan në mënyrë të dëshpëruar të hapnin përsëri duelin, por goli i Busquets erdhi shumë vonë për të ndryshuar fatin e sfidës që çoi Eintrachtin në gjysmëfinalet e Ligës së Europës, ashtu si penalltia e Depay në minutën e 101-të që thjesht bëri humbjen më të ngushtë.
Ndërkohë, West Hem i ka dhënë një leksion të mirëfilltë Olimpik Lyonit në fushën e këtij të fundit, duke e mposhtur me shifrat 3-0 në transfertë, për të prerë biletën për më tej në turne, pas barazimit 1-1 në sfidën e parë.
Ndërkohë, sfida mes Rangers dhe Braga u desh të shkonte me shtesa, pasi fitorja 1-0 e portugezëve në sfidën e parë u zhvlerësua nga ajo 2-1 e skocezëve në fushën e tyre gjatë 90 minutave.
Leipzig ka mundur 2-0 Atalanta-n në Bergamo dhe ka siguruar një vend në gjysmëfinalet e Europa League. Shuhet kështu ëndrra e zikaltërve për të arritur një gjysmëfinale historike.