Julian Nagelsman e kish te menduar ndryshe mbrëmjen e djeshme, teksa skuadra e tij luante sezonin me Vijarealin. Trajneri i Bajernit nuk e fshehu zhgënjimin për këtë eliminim të skuadrës së tij ndaj spanjollëve duke thënë pas ndeshjes se ndeshja e parë ndikoi jo pak në rezultatin përfundimtar. “Ndeshja e parë ishte çelësi. Bëmë një ndeshje shumë të mirë, një nga lojërat tona më të bukura. Duhet të shënonim 2-0 në pjesën e dytë për të mos e lënë ndeshjen të hapur. Eliminimi në këtë mënyrë është shumë i hidhur. Nuk kishim shumë hapësirë dhe gjithmonë ekzistonte rreziku i një kundërsulmi. Megjithatë, është e vështirë të krijosh shumë raste kundër një skuadre që luan kaq të thellë në zonën e saj”, tha Nagelsman.
PËR ZËVENDËSIMET – “Sane dhe Koman po shtynin shumë përpara dhe kjo me një ritëm të shpejtë përgjatë gjithë pjesës së parë dhe gjysmës së pjesës së dytë. Më pas freskia nuk ishte më aty. Më vjen keq për Dejvisin, i cili u kap i papërgatitur në momentin e golit të kundërshtarit. Gjithsesi, nuk mund ta fajësoj atë”.
PËR TË ARDHMEN – “Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë për kampionatin. Nuk duam ta mbyllim sezonin pa trofe edhe pse do të kishim dashur shumë që të shkonim në fazën tjetër, por nuk mund të bënim më shumë”.
PËR LEVANDOVSKIN – “Roberti bëri një ndeshje të madhe. Ishte e vështirë për të pasi markohej gjithmonë nga dy lojtarë. Goli ishte fantastik, ai dhe e gjithë skuadra meritonte më shumë për atë çfarë dhanë në fushën e lojës. Rasti i Mylerit ishte më flagranti. Në kushte normale, Tomas nuk fal nga ai pozicion dhe ajo distancë”.
Emeri: Timonieri që duhet pasur frikë
Unai Emeri ka mahnitur të gjithë me Vijarealin e tij. Pasi eliminoi Juventusin, trajneri spanjoll nxori nga gara për Champions edhe kampionët e Gjermanisë, Bajernin e Mynihut. Merita është e tëra e skuadrës së tij dhe mentalitetit që Emeri ka sjellë te skuadra spanjolle. “E dinim që do të ishte e vështirë përballë një skuadre që ka shumë lojtarë cilësorë. Bajerni do të na sulmonte dhe ne ishim përgatitur për këtë skenar. Sigurisht që dhe mund të kishim pësuar golin e dytë dhe tani do të flisnim ndryshe”, ishin fjalët e para të trajnerit spanjoll pas ndeshjes në Mynih. “Barazimi erdhi në momentin më të mirë të gjermanëve të cilët kishin rritur presionin për të na ndëshkuar. Ishte pikërisht ky momenti që prisja, kundërsulmin perfekt. Djemtë merituan gjithçka nëse do t’i marrim në perspektivë të dyja ndeshjet. Tani do të na shohin me sy tjetër dhe kjo nuk është diçka e mirë për ne(qesh). Jemi shumë të lumtur, tifozët meritonin një mbrëmje të tillë dhe djemtë kanë bërë gjithçka për t’ua mundësuar diçka të tillë”. Kujtojmë që Vijareali do të ndeshet me fituesen e çiftit, Liverpul-Benfika që do të luajë sot ndeshjen e dytë. Sfida e parë ka përfunduar me fitoren 3-1 të skuadrës së Jyrgen Klopit, e cila ka shumë gjasa të jetë kundërshtari i radhës në gjysmëfinalen e Champions-it për “Nëndetësen e verdhë”. Vijareali dhuroi një tjetër surprizë në këtë edicion të Champions League, teksa pas Juventusit eliminoi edhe Bajernin, duke siguruar një biletë për një gjysmëfinale pas 16 vitesh. Spanjollët barazuan 1-1 në “Allianz Arena” në ndeshjen e kthimit dhe falë suksesit 1-0 arritën të kalonin më tej. Raul Albiol e fitoi çmimin “Lojtari i Ndeshjes” në sfidën e sotme. 36-vjeçari, i cili në të kaluarën ka qenë pjesën e Realit dhe Napolit, ishte i pakalueshëm në mbrojtje. “Ai ka shfaqur lidership të jashtëzakonshëm në fushë. Është shembull i vërtetë. Ishte shumë i fortë në lojën në ajër dhe në situatat një kundër një. Lexoi lojën me intelegjencë”, ishte vlerësimi i panelit të ekspertëve të UEFA-s.