Nga Rudina Koromani
I keni parasysh ata individët që transferojnë përgjegjësitë e tyre prindërore tek mësuesit dhe punonjësit e kujdesit për fëmijët, duke shpresuar që fëmijët e tyre të shndërrohen në mënyrë magjike në të rritur të ekuilibruar mirë, me vetëbesim dhe duke fajësuar çdokënd përveç vetes? Janë ata që lexojnë libra për vetëndihmë duke pritur të përjetojnë rritje shpirtërore. Ata hyjnë në marrëdhënie personale, sepse kanë nevojë për personin tjetër dhe se nuk dinë se si të jenë të lumtur vetë. Kompleksi i Hirushes – i quajtur kështu prej përrallës së njohur, nënkupton dëshirën e pandërgjegjshme të disa grave ( dhe burrave tashmë) për të qënë nën përkujdesjen e të tjerëve. Bazohet në idenë e feminilitetit të portretizuar tek Hirushja e përrallës, ku ajo është e bukur, e edukuar, e këndëshme, puntore, që ndihmon të tjerët, e pavarur ndërkohë që keqtrajtohet nga motrat dhe njerka e saj. Duke qënë se ajo nuk është e aftë të ndryshojë situatën në të cilën ndodhet, duhet të ndihmohet nga forca të jashtme për të shpëtuar nga kjo situatë keqtrajtuese…i cili në rastin e Hirushes …është Princi. Ka shumë njerëz që shpresojnë se jeta e tyre do të shkojë kështu. Ata ecin përgjumur gjatë gjithë jetës, thjesht duke pritur dhe duke shpresuar që gjërat t’u ndodhin, që dikush t’i shpëtojë ose që t’u vijë ndonjë fat i mirë që nuk kërkon ndonjë përpjekje nga ana e tyre. Ata blejnë bileta lotarie çdo javë dhe shpresojnë që numri i tyre të rritet. Ata shkojnë në punë, bëjnë një punë mesatare me pak energji dhe shpresojnë që dikush t’i godasë mbi supe dhe t’u japë një promovim dhe një rritje page. Panvarësia e grave është një temë temë e debatuar gjerësisht. Deri në vitet 60-80, gratë ishin të kufizuara në punët e tyre shtëpiake, praktikat e rritjes së fëmijëve, të varura financiarisht nga burrat. Koncepti i varësisë së grave nga burrat ishte një fenomen i pranuar deri diku. Por kur vitet ’90 mbërritën, gjërat ndryshuan. Fuqizimi i grave erdhi në rritje; edukimi i grave lulëzoi, ato u bënë të pavarura financiarisht. Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve koncepti i panvarësisë së grave startoi konfuzionin dhe pakënaqësinë midis “Grave të Reja të Pavarura”. Tradicionalisht, nga gratë nuk pritet të përballen me frikën dhe të shkojnë përtej saj. Ato inkurajohen të shmangin atë që i frikëson, janë mësuar, që nga koha kur ishin shumë të vogla, të bëjnë vetëm ato gjëra që i lejojnë ato të ndihen rehat dhe të sigurta. Kjo lloj edukate e varësisë tani shihet si e sëmurë psikologjikisht nga shoqëria bashkëkohore. Çdo grua që shikon brenda vetes, e di se ajo kurrë nuk është mësuar të ndihet rehat me idenë e kujdesit për veten, të qëndrojë në këmbë për veten e saj. Po flasim për një traditë mijëra vjeçare… Por kohërat kanë ndryshuar. Nuk ka asgjë të keqe ti quash vajzat princesha…sepse ato, për çdo prind janë të tilla. Ajo që mund të shkaktojë probleme në kohërat e sotme, për kulturat e zhvilluara është rritja duke i edukuar se duhen të rrinë ulur dhe të presin Princin, ashtu sikurse ndodh në përralla. Për disa vënde e kultura një fakt i tillë nuk është i debatueshëm ende. Por për vëndet e zhvilluara ky fenomen në rritje po shkakton gjithmonë e më shumë diskutime.
Ideja e ardhjes së Princit të bukur që të shpëton nga keqtrajtimet ( si Hirushja), apo që të zgjon nga gjumi i përjetshëm (Borebardha) është shumë e bukur po ta imagjinosh…por që në të vërtetë nuk ndodh më…Princat sot janë të zënë me përpjekjet e tyre për tu bërë të suksesshëm, të famshëm, disa syresh as nuk i çojnë në mënd princeshat. Disa Princër gënjehen nga “princeshat fallco”, disa arrijnë të “shpëtojnë “ ndonjë princeshë, por fakti është se shumë princesha mbeten “pazgjuar”, “të pashpëtuara” …thënë troç të pamartuara, të palumtura, të parealizuara, të mpira….Mos flasim për “princërit” që ëndërrojnë të shpëtohen nga princeshat… Ky kompleks ose mënyrë e të menduarit i ndalon disa individë të zhvillojnë aftësi që shkojnë përtej kujdesit për shtëpinë ose rritjes së fëmijëve. Kohët kanë ndryshuar shumë dhe, në ditët e sotme, qëllimi i shumicës së grave nuk është thjesht martesa dhe familja, por edhe të qenit i suksesshëm në botën e punës. Kur martohen, burrat dhe gratë kanë të drejtë të vazhdojnë luftën për të arritur qëllimet dhe ëndrrat e tyre individuale. Por ato që vuajnë sindromën e Hirushes ngecin në të ndjerit fatkeqe, të dëshpëruara, të dorëhequra dhe të frustruara. Sot nuk është koha të jesh Hirushe, por të jesh e fortë të kujdesesh për veten e nëse mundesh të afrosh kujdes dhe për të tjerët. Çfarë ndodh kur “princesha-grua” mbetet vetëm? Kur vjen divorci, gruaja e kupton se nuk ka mjete për të ecur përpara, si emocionalisht dhe ekonomikisht. Për këtë arsye, ajo zgjedh një burrë tjetër që e bën të ndjehet sërish në një përrallë dhe rrethi vicioz fillon përsëri… Thyerja e stereotipeve kërkon kohë por ndalimi i disa normave penguese tipike shoqërore merr vlerë teksa jetojmë në kohëra të dominuara nga individualizmi, egoizmi. Dalja nga zona e rehatisë duke qënë më spontan, aventurier, kreativ e argëtues, ju mundëson të provoni gjëra të reja, të adoptoni të menduarit jashtë kutisë e të vazhdoni të eksperimentoni. Realiteti është se nuk ka princ simpatik apo magjik që pret mundësinë për të ndryshuar jetën tuaj… siç e thamë ata presin për vete… Mënyra e vetme për ta kthyer jetën tuaj është të merrni përgjegjësi dhe të veproni për të ndryshuar gjërat, jo të prisni që dikush tjetër ta bëjë atë për ju. Ndaloni së vepruari si Borëbardha e Hirushja, duke dalë nga kutia e xhamit dhe filloni t’i bëni gjërat të ndodhin. Mos harroni se jeta shpërblen veprimin. Sot është koha të jesh Mulan!