Nga: Bujar Meholli
Teksa e dëgjon të krijohet përshtypja sikur gishtat e tij janë mbështjellë nga një forcë e padukshme që i bën aq të lirshëm, të lehtë, sensitivë, në lojën e kitarës. Se prej nga vjen gjithë ai ritëm, gjithë ai konglomerat tingujsh që shkrihen në mënyrë madhështore në telat e kitarës së këtij njeriu me pseudonimin artistik “Django”. Shumë kritikë muzikorë e dashamirës të xhazit e konsiderojnë dendur si muzikantin më të madh evropian nga i cili u ndikua ndjeshëm një aradhë artistësh pas tij. Por, rrjedhimisht shtrohen pyetjet: kush është Django Reinhardt dhe çka ka të veçantë në lojën e tij?
Burri i pashëm me mustaqet karakteristike dhe me kitarën që e bart kudo është bir i një familjeje rome. I lindur si Jean Baptiste Reinhardt në fshatin Liberchies, Belgjikë, më 23 janar të vitit 1910. Siç dihet, gjysma e parë e shekullit të 20-të ishte jashtëzakonisht e pasur përveçse në letërsi e pikturë, edhe në muzikë, ku gërshetohen sërë stilesh, motivesh, eksperimentesh të ndryshme vokale-instrumentale. Xhazi ishte zhanër shumë i dashur dhe në Evropë dita-ditës po shtrihej me të madhe. Përmes xhazit shfryhej dufi kundër luftës, kundër mizorive autoritare e “artit” të kontrolluar nga Njëshi! Sidoqoftë, djaloshi i quajtur “Django” që në moshë të re jetonte nëpër kampet rome pranë Parisit kur nisi të luajë violinë, banjo e kitarë – sillte tinguj të vjetër nga kultura rome, kështu nisi, si adoleshent, t’i frekuentojë kafenetë e vogla të Parisit ku luante dhe pëlqehej. Në vendbanimin nomad afër Parisit ku qenë strehuar, familja e tij ndodhej në vështirësi, ndaj jo rrallë i duhej të vidhte ndonjë pulë për të ngrënë. Në moshën 17-vjeçare bën regjistrimet e para në banjo-kitarë. Ishte fundi i viteve ’20. Duke krijuar shoqëri, Django njihet me lojtarët e fizarmonikës Maurice Alexander dhe Jean Vaissade me të cilët provon të bashkëpunojë – aty Django nis të shfaq talentin si improvizues i xhazit duke tërhequr vëmendjen e audiencës që do të rritej në kontinuitet. Repertori i tij përmbante muzikë franceze me fizarmonikë, nën ndikimin italian, për të vazhduar tutje ekspozimin ndaj xhazit amerikan dhe kombinimin me ritmet rome.
Vështirësitë e Djangos vazhdonin pasi u martua. Rasti me zjarrin ia ndryshoi jetën. Ai shpëtoi nga një zjarr i madh që kishte pllakosur dhe u shtrua në spital për afro dy vjet me djegie të rënda nëpër gjithë trupin. Megjithëse në rrethe artistike njihej si muzikant i talentuar, ngjarja që i ndodhi ishte e dhimbshme. Ai pësoi djegie në dy gishtat e dorës së majtë – për çka mjekët ishin skeptikë nëse ai do të mund të luante prapë në kitarë. Kjo pak a shumë ndodhi sepse Django s’mund të luante njëjtë si para zjarrit. Kjo bëri që ai ta ndërrojë teknikën e lojës, krijoi stil të ri për t’ia përshtatur dorës së tij. Django krijoi forma të reja akordesh në mënyrë që gishtat e paralizuar ta kishin më të lehtë rrëshqitjen nëpër telat e kitarës. Kjo që bëri Django – ky stil i ri do t’ia vuloste statusin si muzikant i shquar i xhazit. Përgjatë pjesës së parë të shekullit të 20-të Django Reinhardt u konsiderua muzikanti më i famshëm i xhazit në mbarë kontinentin e vjetër. Django qe ndër të parët që e shfaqi kitarën si instrument kryesor solo në xhaz. Muzika e tij është bërë ndër vite sinonim i kulturës së famshme franceze të kafeneve. Muzikant ikonik i xhazit me jetë të vrullshme sikur vet muzika që luante. Veçantia e lojës së tij është kombinimi i tingujve të xhazit amerikan me ritmet e gjalla të muzikës rome; kjo qasje inovative e bën Djangon unik dhe shumë të ndjekur/dëgjuar. Kitara akustike, të cilën e bën instrument kryesor, krijon aureolën avangarde e të freskët të artit djangoian; muzika e tij ishte unike përgjatë viteve ‘30-40 në Evropë dhe vet Django krejtësisht i veçantë, i ndryshëm nga bashkëkohësit. Takimi me violinistin francez-italian Stéphane Grappelli ishte pika kyçe e gjithë karrierës artistike të tij. Kjo duo do ta pushtonte gjithë Evropën me artin e tyre magjepsës. Django në kitarë, Stéphane në violinë. Fillimisht dyshja nis të luajë joformalisht nëpër bar-restorante e mejhane të ndryshme; ata formojnë më pas Quintette du Hot Club de France të cilin kritiku muzikor Thom Jurek e cilëson “njërin nga grupet më origjinale në gjithë historinë e xhazit të incizuar”. Ky grup nis turne të gjerë nëpër Evropë, suksesi është i madh. Ata regjistrojnë “Dinah”, “Tiger Rag”, “Djangology”, “Minor Swing”, “Swing 42”, etj… që janë bërë normë në atë që njihet ndryshe si Gypsy Jazz, me në krye legjionarin & virtuozin Django.
Vitet e luftës ishin të rënda; Django kthehet në Paris, me fat arrin t’i mbijetojë trajtimit mizor që ju bëhej romëve gjatë pushtimit nazist. Madje kapet dhe më pas lirohet nga një oficer nazist që e adhuronte xhazin. Kur luftës i erdhi fundi, duo u ribashkua; Django incizon himnin e çlirimit “Nuages” dhe i bashkohet orkestrës së Duke Ellingtonit në turneun dhe vizitën e vetme që i bëri Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fillimin e viteve ’50 muzika e tij duket se inkorporon elemente të bebop-it, i ndikuar nga xhazi njujorkez, provon edhe kitarën elektrike e bateritë. Në moshën 43-vjeçare artisti nomad, njeriu që mahniti publikun me lojën mjeshtërore në kitarë, ndërron jetë papritmas duke pësuar hemorragji në tru. Django Reinhardt ndryshoi përgjithmonë lojën e xhazit. Krijoi stil të ri megjithëse ishte i shtrënguar të mos e përdorte plotësisht dorën e majtë; karriera e tij përmban numër të madh incizimesh xhazi, krahas shumë peripecive jetësore – por pikërisht këtu qëndron edhe veçantia e këtij artisti; ai arrin të bëhet i suksesshëm dhe i famshëm paçka se rridhte nga një shoqëri e margjinalizuar ndër shekuj që përballej me persekutime të ndryshme. Django, ky novator xhazi, mund të merret si shembull tipik se njeriu është njeri para së gjithash – nga mishi e gjaku. Ndaj, duhet ta ketë lirinë e mendimit dhe veprimit, ta ketë mundësinë t’i shfaq aftësitë e të kontribuojë për ta bërë botën më të mirë, më të drejtë, me mundësi për të gjithë e me drejtësi sociale. Fama e Djangos zgjerohet çdoherë e më tepër, shumë artistë, kitaristë xhazi, i rikthehen, e kanë referencë & burim frymëzimi, duke e konsideruar njërin ndër kitaristët më të mëdhenj dhe më me ndikim në muzikën moderne.