Turizmi shqiptar është zhvilluar me hapa galopantë vitet e fundit dhe kjo nuk është më një gjë e re. Duke nisur nga personazhe shumë të njohur e deri tek njerëzit më të thjeshtë, Shqipëria jonë po eksplorohet nga veriu në jug si kurrë më parë.
Natyra, klima dhe riviera që janë dhe asetet më të çmuara të vendit tonë, kanë marrë një vëmendje të shtuar vitet e fundit, kjo falë edhe promovimit të madh të vizitorëve të huaj, të cilët nuk ngurrojnë asnjëherë t’i japin jehonë Shqipërisë.
Kjo gjë ka ndodhur vitet e fundit edhe me Përmetin dhe zonat e tij rurale, të cilat falë ndërthurjes së luginës se Vjosës me malin e Nemërçkës, ofrojnë një peizazh mahnitës që për të huajt është ‘dashuri me shikim të parë’. Por së fundmi, kjo zonë, veçanërisht Lugina e Vjosës dhe fshatrat Strembec, Petran e Gjinkar kanë përfunduar në qendër të revistës së njohur gjermane “Explorer”.
Gazetarët gjermanë të mahnitur nga pamja piktoreske, vizituan nga afër këtë zonë dhe teksa ishin duke eksploruar fshatin Strëmbëc, një Mercedez me targa gjermane ju tërhoqi vëmendjen. Kuriozë dhe të surprizuar, ata trokitën tek porta pas makinës të sapo larë, të cilën ua hapi Marildo Papa, duke i mirëpritur në shtëpinë e tij. 30-vjeçari,i cili prej disa vitesh e ka ndërtuar jetën e tij në Gjermani, u prezantoi miqve të rinj gjermanë pasuritë që nëna natyrë nuk i ka kursyer në vendlindjen e tij, por gjithashtu konfirmoi edhe njëherë denjësisht një nga vlerat më të njohura të shqiptarëve, mikpritjen.
Të mrekulluar nga ajo që panë dhe prekën vetë, gazetarët gjermanë fiksuan çdo detaj dhe i pasqyruan ato përmes një reportazhi të mrekullueshëm në revistën “Explorer”.
“Rrjedhja drejt parajsës”, është titulli i reportazhit, i cili i shkon më së miri përshtat pamjes magjepsëse në sfond ku rrjedha e lumit më të egër të Evropës, vërshon drejt grykave përallore të pasuruara nga ‘thesari i gjelbërt’ i natyrës, në këmbët e malit Nemërçkë.
Ata përshkruajnë gjithçka që i ka mrekulluar nga kjo vizitë, përfshirë këtu edhe ushqimet bio të cilat Marildo dhe familja e tij ua servirën në tavolinë.
“Kishte verë të mirë, të cilën e ka prodhuar vetë, djathë deleje e bukë të ngrohtë të sapodalë nga furra”, përshkruajnë ata në rreshtat e artikullit ku ndër të tjera flasin edhe për mënyrën e jetesës në këtë fshat tani, por dhe vite më parë, të cilën ua shpjegoi me imtësi Marildo.
Herët a vonë kjo zonë do e merrte vëmendjen e merituar dhe tani që Përmeti është një nga 10 vendet më të vizituara në vend nuk na ngelet gjë tjetër veçse të shpresojmë që turizmi të vazhdojë të zhvillohet pambarimisht në çdo cep të Shqipërisë.




