Incidenti i sotëm në Kuvend, ku Sali Berisha mori forcërisht Foltoren e Kuvendit duke shtyrë kreun e grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka marrë edhe vëmendjen e zyrave diplomatike në vendin tonë. Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka reaguar ashpër duke thënë se ditët e sulmeve dhe kërcënimeve i përkasin të shkuarës dhe nuk duhet të përsëriten.
“Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë “jo!”, akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ka bërë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, llogaritjes së mosndëshkimit – ato ditë i përkasin një të shkuare që duhet të mos përsëritet”, shkruan Kim.
Lidhur më këtë, pati një reagim nga vetë Alibeaj, i cili në fjalën e radhës foli nga vendi, duke thënë se nuk do rrezikonte dhe nuk donte që t’i jepte kënaqësinë Berishës, ndonëse nuk e përmendi me emër, për t’ia zënë Foltoren. Ndërkohë, edhe kryeministri Edi Rama reagoi, duke e komentuar me ironi se “një fragment nga zhvillimet në godinë këtu afër, mori një rrjedhë xhudiste parlamenti”.