Nga Mentor HOXHA
Paris- Sot zhvillohet dueli politik më i vështirë në historinë e Francës. Përballë njëri-tjetrit janë Presidenti në detyrë, Emmanuel Macron dhe përfaqësuesja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen. Nga kjo përballje do të përcaktohet e ardhmja politike e Francës, e Bashkimit Evropian dhe e Natos. Në ora 20: 00 të mbrëmjes së sotme, francezët do të mësojnë emrin e personit që do t’i udhëheq në pesë vitet e ardhshme.
Të dy kandidatët, Macron dhe Le Pen votuan në Pas-de -Calais: Le Pen votoi në orën 11:00 në Henin -Beaumon, kurse Macron rreth mesditës në Le Touquet. Pas votimit, të dy finalistët, u nisën drejt Parisit ku do të presin rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në ora 20:00. Macron do ta kalojë mbrëmjen në Pallatin Elize, përpara se të bashkohet me Champ -de-Mars nëse rizgjidhet president.
Në vitin 2017, ky vend i ishte refuzuar nga Bashkia e Parisit. Macron më pas, ai e festoi fitoren e tij në oborrin e Muzeut të Luvrit. Këtë herë, ai është shprehur se “edhe nëse rast të motit të keq” ai do të festojë me përkrahësit e tij para Shkollës Ushtarake me Kullën Eifel nga pas. Nëse Komuna mund të revokojë autorizimin e saj në rast paralajmërimi për stuhi, ekziston një zgjidhje rezervë për të festuar te Muzeu i “Invalidët”, “në rast të një problemi teknik apo të ndonjë problemi tjetër. Ndër rrugët e konsideruara nga Marine Le Pen, mbrëmja zgjedhore e do të mbahet në Pavijonin Armenonville, në Bois de Boulogne për të festuar një fitore të mundshme: një paradë në rrugët e Parisit. Sipas Le Parisien, “deputetja mund të largohet, e shoqëruar nga trembëdhjetë autobuzët që mbanin figurën e saj, në disa vende simbolike të “lidhjes midis popullit dhe shtetit”, si Harku i Triumfit, Konkordi apo edhe Sheshi i Republikës.
MACRON FAVORIT NË SONDAZHE
Ndonëse dueli Macron-Le Pen konsiderohet si një nga duelet më të ashpra politike në historinë politike të Francës, Macron kryeson në sondazhe me një diferencë të ngushtë pikësh, me 56.2%, kundrejt 43.82 % për Marine Le Pen. Niveli i lartë i abstenimit në raundin e parë dhe zgjedhja e të pavendosurve të fundit mund t’i ndryshojë këto përqindje. Pak orë para raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, presidenti në largim, Macron vazhdon të jetë në 56.5% të të pyeturve, kundrejt 43.5% për Marine Le Pen – marzhi i gabimit duke u vlerësuar në plus ose minus 1.1 pikë. Nga ana tjetër, e djathta ekstreme po arrin një lartësi që nuk e ka parë kurrë më parë në këtë fazë të fushatës. Në raundin e parë, përqindja e abstenimit (26.3%) ishte pak më e lartë se në raundin e dytë të vitit 2017 (25.4%). Kjo e dielë mund të kapërcejë një kulm të ri, pa arritur megjithatë kulmin prej 31,1% të regjistruar në vitin 1969. Aq më tepër që këtë të dielë të raundit të dytë, të tre zonat shkollore janë në periudhën e pushimit pranveror. Megjithatë, rezultati i mbledhur nga e djathta ekstreme në raundin e parë mund të inkurajojë votuesit që nuk dolën më 10 prill të shkojnë në qendrat e votimit. Në vitin 2002, pas tronditjes së kualifikimit të Jean-Marie Le Pen për në raundin e dytë, abstenimi ra me tetë pikë midis dy raundeve të votimit, duke rënë nga 28.4% në 20.3%. Sondazhi i fundit i Ipsos-Sopra Steria jep një indeks pjesëmarrjeje të vlerësuar midis 71.5% dhe 75.5%. Pothuaj të gjitha sondazhet e kryera në Francë nxjerrin fitues Predidentin në detyrë, me një rezultat të ngushtë, por mund të ketë edhe surpriza. Do të jetë vota e madhe e abstenuesve që do të përcaktojë presidentin francez për pesë vitete e ardhshme.
Për më tepër, nëse zoti Macron fiton raundin e dytë të dielën në mbrëmje, fitorja e tij do të mbulohet nga re të mëdha politike. Presidenti i rizgjedhur do të mbetet në krye të një vendi ku e djathta ekstreme mbledh pothuajse gjysmën e votave dhe, për rrjedhojë, është thellësisht e ndarë. Situata do të ishte krejtësisht e re pasi pesë vjet më parë zoti Macron kishte fituar 66,10% të votave, kundrejt 33,9% për zonjen Le Pen: potencialisht një diferencë prej 10 pikësh.
“MACRON – LE PEN, EPISODI 2”
“Dueli i cili riluhet mes dy finalistëve në zgjedhjet e 2017 nuk mund të jetë një ribërje e thjeshtë. Para së gjithash, sepse Emmanuel Macron, presidenti në largim, nuk është më kandidati i ri që shpërtheu në skenën politike pesë vjet më parë duke lartësuar premtimin e rinovimit. Ai sot është bartës i një bilanci, ka kaluar vështirësitë e një mandati pesëvjeçar të karakterizuar nga kriza të njëpasnjëshme“, shkruan Le Monde. Në vitin në vitin 2017, Marine Le Pen fitoi 21,30% të votave në raundin e parë, këtë herë ajo mori 23,15%, 4,7 pikë prapa Emmanuel Macron (27,85%). Megjithatë, tre kandidatët e ekstremit të djathtë – Marine Le Pen, Eric Zemmour (7,07%) dhe Nicolas Dupont-Aignan (2,06%) – grumbullojnë 32,3%, një të tretën e votave! Kombinimi i këtyre faktorëve sugjeron se rezultati i 24 prillit do të jetë më i afërt se sa ishte në vitin 2017, kur zoti Macron fitoi me 66.1% të votave kundrejt 33.9%.