Igor Volobuev, nënkryetar i Gazprombank, një nga bankat më të mëdha private të Rusisë dhe pjesë e Holding Gazprom, la postin e tij dhe u largua nga Rusia duke kundërshtuar pushtimin e Ukrainës.
Por Volobeuv shkoi dhe më tej, teksa deklaroi se po planifikon t’i bashkohet mbrojtjes territoriale të Kievit, në një intervistë me një botim i pavarur rus në internet “The Insider”.
“Nuk mund të qëndroj më në Rusi. Unë jam ukrainas me kombësi, kam lindur në Akhtyrka, nuk mund të vëzhgoja më nga jashtë se çfarë po i bën Rusia atdheut tim,”-, tha Volobuev në një video të postuar nga “The Insider” në YouTube.
Në video, Volobuev pohoi se ai arriti të shkonte në Kiev pavarësisht se kishte një pasaportë ruse dhe tha se dëshiron “të qëndrojë në Ukrainë deri në fitore”.
Duke shpjeguar largimin e tij, Volobuev tha: “Atdheu im është në rrezik tani dhe unë nuk mund të jetoj një jetë të ushqyer mirë, të kënaqur, ndërsa babai im, i cili jeton në Akhtyrka, po vritet, kur më vriten të afërmit, të njohurit, miqtë e mi. Babai im kaloi një muaj në një bodrum të ftohtë, por tani është i sigurt”-, shtoi ai.
Volobuev shtoi se ai ka menduar për të luftuar për Ukrainën dhe për t’iu bashkuar mbrojtjes territoriale të Ukrainës që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.
“Ky është një krim nga ana e Putinit, autoriteteve ruse dhe, në fakt, popullit rus,”-, tha Volobuev duke iu referuar mizorive dhe krimeve të luftës të kryera në Ukrainë.
Sipas Volobuev, ai kishte punuar në Gazprombank për 6 vitet e fundit dhe më parë në Gazprom për mbi 16 vjet.