Për gati pesëdhjetë vite me radhë ai bëri luftë kundër homoseksualëve, njerëzve me ngjyrë dhe komunistëve. Ndërkohë, vetë ai, kishte një sekret personal që – në epokën e tij – mund ta kishte shkatërruar nëse zbulohej. Dhe filmi fort i debatuar i Klint Istvudit ka zbuluar dhe bërë publike disa nga të vërtetat shpërthyese rreth tij….
…Emri e kishte Xhon Edgar Huver (John Edgar Hoover). U lind më 1 janar 1895, në Uashington. Njihej si zyrtar publik amerikan, drejtor i Byrosë Federale të Hetimit me siglën FBI. Nga viti 1924 deri në vdekje 2 maj të vitit 1972, agjencia e ndërtuar prej tij ishte një krah shumë efektiv, nëse herë pas here të diskutueshëm në zbatim të ligjit federal.
Nga shumëkush Edgar Huver cilësohej fenomen. Si drejtori i parë i FBI-së, ai qëndroi në detyrë nga emërimi pas Luftës së Parë Botërore deri në vdekje, duke arritur një famë e fuqi të jashtëzakonshme. Për konsum publik kur vdiq, Presidenti Riçard Nikson e lavdëroi atë si: “Një nga gjigantët… simbol kombëtar i guximit, patriotizmit, ndershmërisë dhe integritetit”. Nikson urdhëroi që flamujt të valonin në gjysmështizë dhe trupi i Huver të shtrihej në Kapitol.
Filmi biografik
Klint Istvud shpalosi të vërtetën. Huver u bë subjekt i një filmi në të cilin ai është interpretuar nga Leonardo DiKaprio. Në vitin 2011 Istvud lançoi filmi biografik i cili solli polemika të shumta.
Xh. Edgar Huver krijoi Byronë Federale të Hetimit siç e njohim ne sot. Gjatë jetës së tij, ai ndërtoi një imazh si hero. Por që prej vdekjes, shumë e kanë rivlerësuar Huverin si një kërcënim. Tani,
Edhe pse nuk u konfirmua asnjëherë publikisht, Huver, u përfol gjatë se ishte në një lidhje sekrete me Klajd Tolson (Clyde Tolson), krahun e tij të djathtë në Byro. Shpesh dy burrat shiheshin duke vozitur për të punuar së bashku, duke pushuar së bashku, duke ngrënë vakte së bashku dhe ata u varrosën pranë njëri-tjetrit. Huver madje ia la pasurinë e tij Tolsonit pasi vdiq.
Megjithëse ka vetëm një puthje pasionante mes Leonardo DiKaprios dhe Armie Hamer, dy aktorët që i portretizojnë ata në film, marrëdhënia me Klajd Tolson ka qenë një temë qendrore në filmin e Klint Istvud. “Në një farë mënyre është një histori dashurie mes dy burrave”, është shprehur Istvud.
Fillimet në Byro
Huver studioi drejtësi natën në Universitetin George Uashington, ku mori një diplomë baçelor në drejtësi në 1916 dhe një diplomë master në drejtësi vitin e ardhshëm. Ai hyri në Departamentin e Drejtësisë si rishikues i dosjeve në vitin 1917, dhe dy vjet më vonë u bë ndihmës special i Prokurorit të Përgjithshëm A. Mitçell Palmer, në të cilin post ai mbikëqyri grumbullimet dhe dëbimet masive të bolshevikëve (komunistëve) të dyshuar pas Luftës së Parë Botërore.
U emërua ushtrues detyre i drejtorit të Byrosë së Hetimit (siç quhej atëherë) në maj 1924 dhe u konfirmua si drejtor shtatë muaj më vonë. Duke e gjetur organizatën me reputacion për shkak të skandaleve të administratës së Warren G. Harding, ai e riorganizoi dhe e rindërtoi atë mbi baza profesionale, duke rekrutuar agjentë me meritë dhe duke vendosur metoda rigoroze të përzgjedhjes dhe trajnimit të personelit. Ai krijoi një skedar gjurmë gishtash, i cili u bë më i madhi në botë; një laborator shkencor për zbulimin e krimit; dhe Akademia Kombëtare e FBI-së, në të cilën u dërguan për trajnim special oficerë të zgjedhur të zbatimit të ligjit nga të gjitha anët e vendit.
Metodat inteligjente
Në fillim të viteve 1930, bëmat e gangsterëve në Shtetet e Bashkuara po merrnin publicitet në mbarë botën. Huver përfitoi nga kjo për të bërë publike arritjet e FBI-së në gjurmimin dhe kapjen e kriminelëve të njohur. Si madhësia dhe përgjegjësitë e FBI-së u rritën në mënyrë të qëndrueshme nën menaxhimin e tij. Në fund të viteve 1930, Presidenti Franklin Rusevelt i dha atij detyrën për të hetuar si spiunazhin e huaj në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe veprimtaritë e komunistëve dhe fashistëve. Kur filloi Lufta e Ftohtë në fund të viteve 1940, FBI ndërmori mbikëqyrjen intensive të komunistëve dhe aktivistëve të tjerë të majtë në Shtetet e Bashkuara.
Armiqësia e Huverit ndaj radikalëve të çdo lloji e shtyu atë të hetonte në mënyrë agresive si Ku Klux Klan, ashtu edhe Martin Luther King, Jr., dhe aktivistë të tjerë me ngjyrë në vitet 1960. Në të njëjtën kohë, ai mbajti një politikë heqje dorë ndaj mafies, e cila u lejua të kryente operacionet e saj në mbarë vendin praktikisht pa kontroll ose ndërhyrje të FBI-së.
Dosjet e presionit
Huver zakonisht përdorte mbikëqyrjen për të mbledhur informacione të dëmshme për politikanët në të gjithë vendin. Ai mbante të dhënat më të shëmtuara nën kontrollin e tij personal. Dhe përdori posedimin e këtyre dosjeve sekrete për të mbajtur postin si drejtor i FBI-së. Madje ai ka qenë në gjendje të frikësonte edhe presidentët në detyrë duke i kërcënuar se do t’u zbulonte sekretet rreth jetës së tyre. Nga fillimi i viteve 1970 ai ishte nën kritika publike për administrimin e tij autoritar të FBI-së dhe për persekutimin e tij të atyre që ai i konsideronte si radikalë dhe subversivë.
Madje disa media e kanë akuzuar se ka qenë i përfshirë në vrasjen e presidentit Kenedi.
Gjithsesi ai e mbajti postin e tij, deri sa vdiq në moshën 77-vjeçare. Gjatë kohës në të cilën kishte qenë shef i FBI-së, për 48 vite me rradhë, kishte shërbyer për 8 presidentë dhe 18 prokurorë të përgjithshëm.
Përgatiti për botim: L.Veizi