Mbrëmjen e së premtes, rreth orës 20:10, autobusi i linjës së Unazës në Tiranë u përplas me një mjet tip Benz dhe nga devijimi të dy përfunduan në lumin Lanë.
Ngjarja solli 5 të plagosur, teksa ekspertët kanë nisur hetimin për të përcaktuar shkaqet reale që çuan në atë aksident që rrezikoi jetën e dhjetëra personave.
Çështja është regjistruar si kundërvajtje penale, pasi nuk ka viktima dhe të plagosurit. Ndërkohë nga verifikimet e para ekspertët dyshojnë se faji është i mjetit të transportit publik, ndërsa ekspertiza pritet nëse mjeti ka qenë apo jo në kushte të mira teknike, apo ka qenë drejtuesi i mjetit ai që ka humbur kontrollin momentin që ka tentuar të shmangë Benzin e cila drejtohej nga 27-vjeçari Jurgen Rama, që qarkullonte paralelisht në korsinë e djathtë.
Mësohet se në dëshminë e tij, shoferi u urbanit, 62-vjeçari Muhamet Kyçyku ka thënë para policisë se ai nuk ka gabuar në asnjë moment, ndërsa shton se mjeti ka pasur një defekt teknik. Hetimet paraprake thonë se shoferi i autobusit duke mos pasur akses në sistemin e frenimit dhe për shkak të panikut e ka drejtuar autobusin në drejtim të Lanës, duke e marrë përpara makinën.