Kongresi i thirrur nga Grupi i Rithemelimit konfirmoi Sali Berishën për të marrë zyrtarisht drejtimin e PD-së, pavarësisht kleçkave gjyqësore që ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit. A mjafton euforia gjysmake për rikthimin e Berishës? Mbi zhvillimet në partinë më të madhe opozitare, komentojnë për gazetën “Fjala” analistët Lorenc Vangjeli, Plator Nesturi, Leonard Karaj dhe Erald Shulla.
Nga Fernada Cenko
Nëse nuk do të ishte pesha e votës si njësi matëse për një subjekt politik, Kongresi i PD-së, apo i Grupit të Rithemelimit, me në krye Sali Berishën, do ngjante si fitore pushteti. Por e vërteta dhemb. Një sallë, një stadium, apo një shesh nuk është vështirë të mbushet nga militantë dhe grupe interesi, që dëshirën për të pasur pushtet që u mungon prej nëntë vitesh, po mundohen ta kthejnë në entuziazëm. Në të vërtetë, Kongresi i 30 prillit ishte shfaqje e fitores personale të Sali Berishës. Ish-lideri i PD-së kremtoi fitoren ndaj ish-pinjollit Lulzim Basha dhe trashëgimtarëve të “vegjël” të tij. A mjafton kjo për të mposhtur rivalin politik klasik PS-në? Edhe vetë Berisha nuk e beson, ndaj do i duhet të rishpikë veten për të siguruar si fillim bashkimin e copëzave të shkëputura nga PD, program të ri, hapje edhe më të mëdhe dhe mbi të gjitha të fitojë të paktën një betejëz me SHBA-në, të cilët e kanë shpallur “non grata” që nga maji i vitit të kaluar. Të gjitha këto janë shumë për Berishën, i cili deri më tani po bën as më shumë dhe as më pak sesa koha kur nga maja e pushtetit ra në opozitë në vitin 1997, ku “gjuha e kallshnikovëve” ishte më e madhe se çdo ligjërim politik. Betejë me Bashën që iku për tu rikthyer, betejë me Ramën që ka çimentuar pushtetin, betejë me SHBA-në dhe betejë me kohën. Të gjitha këto përbëjnë luftën e madhe që e kanë çuar forcën më të madhe opozitare në rrënim jo vetëm numra mbështetësish, por edhe idesh, pasi idealet duket se në Shqipëri kanë vdekur me kohë tek çdo subjekt politik. Mbi zhvillimet në PD dhe të ardhmen e saj me në krye Sali Berishën flasin analistët Lorenc Vangjeli, Plator Nesturi, Leonard Karaj dhe Erald Shulla.
Lorenc Vangjeli: Me Berishën, opozita pa pushtet moral dhe pa shanse për kthim në pushtet”
Leonard Karaj: Berisha nuk është zgjidhje, por PD po e dëmtojnë më shumë “bashistët”
Erald Shulla: Berisha nuk do ketë një PD më të madhe se ajo që kishte Lulzim Basha