Konferenca e kryetarëve diskutoi mbi procedurat dhe modulin e zgjedhjes së presidentit të ri, ku përfaqësues të opozitës ishin Fatmir Mediu, Enkelejd Alibeaj Jorida Tabaku dhe Grida Duma. Data 16 maj lihet si afat që opozita të sjellë emrat dhe të nisë raundi i parë i votimit. PS refuzon bisedimet me Berishën, njohin Alibeajn në krye të grupit, pavarësisht se sipas Berishës është shkarkuar në Kongresin e 30 prillit.
Gjithçka ishte korrekte përsa i përket orarit të mbledhjes së parë mes përfaqësuesve të azhorancës dhe opozitës për të diskutuar për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, por ndasitë ishin në fillim për datat dhe më pas u bashkuan në pikën që më 16 maj opozita duhet të vijë me listën e emrave që mendon se janë të denjë për tu zgjedhur president. Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka refuzuar një kërkesë të kreut të PR-së, Fatmir Mediu për të përfshirë të gjithë deputetët e Kuvendit në procesin e konsultimeve për zgjedhjen e Presidentit. Sipas Ballës, ashtu siç e përcakton edhe Rregullorja e Kuvendit, diskutimi do të bëhet vetëm mes grupeve parlamentare, çka lë të kuptohet se grupi i ish kryeministrit Berisha nuk do të jetë i pranishëm në Konferencën e Kryetarëve për të diskutuar mbi procesin. “E rëndësishme është që i gjithë procesi nga dita e parë deri ditën e fundit të jetë sipas Kushtetutës. Tradita parlamentare është e konsoliduar për këtë proces. Për t’iu përgjigjur Mediu për një proces partiak dhe gjithëpërfshirës, procesi do të jetë vetëm në Kuvendin e Shqipërisë dhe vetëm me grupet parlamentare. Ky është kushti i vetëm që ka PS. Se ç’bëni ju në krahun tuaj të opozitës për të ardhur një treshe përfaqësuese, bini dakord ju, por i gjithë procesi do të zhvillohet në Kuvend. Rregullorja e kuvendit ka përcaktuar grupet parlamentare si të vetmet organizime të mirëfillta të Parlamentit. Opozita brenda vetes ka proceset e veta, edhe maxhoranca ka proceset e veta”, tha Balla.
Tre deputetët e PD-së Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku dhe Grida Duma në fillim kërkuan shtyrjen e datës së raundit të parë të zgjedhjeve, duke kërkuar më shumë kohë dhe në fund u la që nga data dhjetë që ishte parashikuar të shtyhej më 16 maj, ku do të mbahet raundi i parë. Grupi i punës së ngritur nga maxhoranca, i përbërë nga Taulant Balla, Damian Gjinkuri dhe Elisa Spiropali, ka mbledhur propozimet e deputëtëve të PS-së të cilët kanë dorëzuar një zarf, me 3 emra kandidatësh. Ndërkohë, në mbledhje është ftuar që të marrë pjesë edhe Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e kreut të grupit të PD-së, edhe pse u shkarkua nga Kuvendi i 30 prillit. Përcaktohet që deri në raundin e tretë palët mund të votojnë një emër konsensual. Por nëse nuk ndodh kjo gjë, atëherë maxhoranca mund ta zgjedhë e vetme me 71 vota në raundin e 4-të dhe të 5-të presidentin e ri. Lidhur me kërkesën tjetër të opozitës për datën se kur duhet të nisë procesi i zgjedhjes së Presidentit, Balla u shpreh se “Ju siguroj gatishmërinë tonë që afatet të mos jenë afate të të palëvizshme por një gjë do të jetë e sigurtë, në asnjë rast nga eksperienca shumë vjeçare nuk do të tolerojmë që afate të caktuara të kthehen në debat interpretative dhe në fund dikush të shkojë të ankohet në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta thotë diferenca nga raundi në raund jo më vonë se shtatë ditë. Kjo është një mënyrë që e kemi traditë në Parlament që nuk e numërojmë datën e fundit se ajo pastaj ka debat”.
Presidenti i ri, Balla: Raundi i parë i votimeve të mbahet më 16 maj
Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla propozoi që raundi i parë i votimeve për zgjedhjen e presidentit të mbaheshin më 16 maj. Gjatë fjalës së tij nga Konferenca e Kryetarëve, Balla tha se më 10 maj do të mbahet sërish mbledhja. “Nëse ju do insistoni deri në fund se doni më shumë kohë dhe doni datën 10, atëherë konferenca e kryetarëve të ndërpresë punimet dhe të vazhdojë mbledhja në datën 10, vetëm në këtë rast nuk kemi kryer një shkelje. Zoti Alibeaj, po ua them se për pjesën e parë ua dhashë dakordësinë, për pjesën e dytë nuk e marr rrezikun kushtetues përsipër… afatet do jenë jo më vonë se 7 ditë dhe këtu s’ka hapësirë.”, theksoi ai. Mes të tjerash Balla i vendosi një afat opozitës për të depozituar kandidaturat e saj për kreun e ri të shtetit, që është data 15 maj, ora 16:00. “Afat deri në datë 15, në orën 16;00, të jenë depozituar emrat dhe në datën 16 paradite, ora 10:00, të mblidhet komisioni i ligjeve për shqyrtim dhe të shkojmë në seancë plenare pasdite. Kjo është në fakt dhe tradita parlamentare. Besoj se zoti Alibeaj dhe Mediu, jemi të gjithë bashkë, është një ogur i mirë fillimi, e marrim të mirëqenë që për një propozim, të Alibeajt, gjetëm dakordësi”, pohoi ai.
Mediu kërkon mendimin e gjithë deputetëve
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu propozoi nga Konferenca e Kryetarëve që të përfshihen të gjithë deputetët në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Mediu theksoi se shqiptarët duhet të kenë një president mbi palët. “Ky është një proces që duhet të përfshirë të gjithë trupën e deputeteve të Kuvendit. S’ka autoritet dhe as individë të caktuar apo parti të veçuara, por të gjithë të jenë të përfshirë. Propozimi im i parë, pasi është me rëndësi, është që të arrijmë në një marrëveshje që të kemi një president që të jetë mbi palët. Ndaj mendoj që të konsiderojmë dhe deputetët dhe grupet parlamentare dhe partitë. I bëj kërkesë kësaj mbledhje që është në interes të këtyre negociatave, që të ketë një përfaqësi mes maxhorancës dhe opozitës. Duhet të kryhen këto negociata jashtë procesit formal. Mendoj se bëjmë shkelje flagrante të kushtetutes ndaj të mos kemi ngut të fillojmë në 10, por të kemi kohë për të vendosur kriteret që lidhen me funksionin e Presidentit. Të ezaurojmë gjithë procedurat pasi të ezaurojmë vullnetin e përbashkët për emrin e Presidentit. Ka njerëz që padyshim e meritojnë këtë vend dhe të jemi më mëndje hapur…”,- tha ai.
Rama: Nëse opozita propozon kandidaturë të pranueshme do e votojmë
Kreu i qeverisë, Edi Rama, komentoi diskutimet mes mazhorancës dhe opozitës për zgjedhjen e kreut të shtetit. Rama nuk ka përjashtuar mundësinë që në raundet e para të votimit mund të zgjedhin edhe një kandidat të propozuar nga opozita, me kusht që të jetë i denjë për të mbajtur postin e kreut të shtetit. .
Kryeministri Edi Rama po luan në “fushën e tij” për zgjedhjen e presidentit të ri, duke i lëshuar përkohësisht pe opozitës. Rama u shpreh se është i gatshëm të votojë kandidatin për president edhe nëse propozohet nga opozita, me kusht që ai të jetë i denjë për të marrë postin e kreut të shtetit. “Ne nuk jemi ulur në tryezë me paragjykime. Nuk do paragjykojmë nga vijnë këto propozime. Janë përballë nesh në arenën politike, ndërkohë që në këtë çështje jemi në një tryezë. Nëse do vijë një kandidaturë e pëlqyeshme, do kenë 100% dakordësinë tonë. Nëse nuk na pëlqejnë, do propozojnë kandidaturën tonë. Nëse do u pëlqejë propozimi ynë, do kemi m bështetjen e tyre”’tha Rama. Gjithsesi kreu i qeverisë nuk la pa përmendur se ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008 e bëjnë cilëndo mazhorancë komode ku presidenti mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjesht. “Në këtë çështje jemi në tryezë. Në fund fare, falë ndryshimeve Kushtetuese të 2008-ës, dhe që po provohen më të vlefshme për ecurinë e vendit, janë 71 votat në parlament dhe Shqipëria do të ketë një president normal”theksoi Rama. Nga ana tjetër, ministrja Elisa Spiropali, si pjesë e grupit të PS-së që po merret me procedurat për zgjedhjen e presidenti të ri, Elisa Spiropali pohoi se maxhoranca pret nga opozita emra konkret dhe jo vetëm procedura. “Padiskutim ky është një proces i rëndësishëm, nga më të rëndësishmit, për një shumicë që është e përgjegjshme. Në të gjitha fazat e diskutimeve e kemi bërë të qartë për kolegët dhe publikun që nuk dëshirojmë të zgjedhim një president të PS, por të republikës. E kemi pasur një Presidencë një figurë që nuk na nderon dhe s’ka përfaqësuar unitetin e popullit, por një shëmbëlltyrë e shëmtuar opozitare e një kohe tjetër. Nuk e konsideroj të udhës që një proces të brendshëm, qoftë me deputetët të PS, apo me shoqërinë civile, ju ftojmë që këto takime t’i bëjmë dhe së bashku, pasi se dimë nëse do sillni grupet parlamentare apo me emra të veçantë, ne do vijmë me profile apo emra. Ne duhet të vijmë që në raundin e parë me emra konkret. Meqë 24 maj është fakti i fundit i përmbylljes së procesit, 16 maj është afati më i mirë. Na vaftë mbarë.”, theksoi ajo.
Tabaku: Nuk ka seriozitet, procesi të jetë transparent
Deputetja e PD Jorida Tabaku u shpreh gjatë Konferencës së Kryetarëve se pavarësisht se PS deklaron se nuk duan një president nga grupi i tyre parlamentar, ky proces sipas saj në fakt ka filluar në Partinë Socialiste. Tabaku tha se këtij procesi i mungon serioziteti, pasi fillimisht do duhej bërë Konferenca e Kryetarëve dhe më pas duhej të bëhej votimi i brendshëm në PS. Më tej Tabaku shtoi se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe çdo takim e diskutim të jetë transparent dhe të mos vijnë si fakte të kryera. “Nuk kemi dakordësuar për Konferencë Kryetarësh, jemi me kërkesën e zotit Balla dhe zonjës Nikolla. Procesi nuk ka nisur me seriozitetin që i takonte. Ndryshe nga sa thoni për të zgjedhur një kandidat që nuk është i PS, ka lindur dhe nisur në PS në fakt, dhe këtu vendoset një pikëpyetje, do ishte bërë konferenca e Kryetarëve dhe më pas do ishte bërë një votim i brendshëm”tha Tabaku. Sipas saj, mazhoranca ka numrat, por i mungon legjitimiteti për të zgjedhur e vetme kreun e shtetit. “Maxhoranca nuk e ka legjitimitetin të zgjedhë një president vetëm. Procesi të jetë gjithë përfshirës. Çdo takim e diskutim duhet të ketë transparencë, nuk do zgjedhim një përfaqësues të PS, por individ që do ketë detyrën për të ruajtur sovranitetin. Duhej të niste me takimin e kryetarëve dhe më pas proceset e brendshme. T’i japim këtij procesi seriozitet duke pasur vendimmarrje dhe jo fakte të kryera. Kam një kërkesë, procesi të ketë transparencë dhe gjithëpërfshirje dhe nuk mund të ndodhë me detyrim. Më vjen mirë që u caktua një datë për të dhënë kohë. Fatkeqësisht, do duhej të prisje këtë ditë që Partia Socialiste të mos ia vendosim damkën presidentit si “president i zarfit”, por le ta konsiderojmë propozimin e Ballës për ta shtyrë vendimin në konferencën e ardhshme ”, tha Tabaku.