Ish-kryeministri Sali Berisha, tashmë në cilësinë e kreut të PD-së së zgjedhur në procesin e fundit, jo të pranuar nga të gjithë, u ka kërkuar strukturave të partisë që të riorganizohen. Berisha lë të hapur mundësinë e protestave dhe reagimeve.
Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-kryeministri bëri thirrje që strukturat e kësaj force politike të nisin mbledhjet e seksioneve në bazë dhe të hapin një debat për të diskutuar çështjet e interesit kombëtar. Berisha theksoi se një qeveri që nuk dënon masakrat serbe në Kosovë është një qeveri kriminelësh dhe antikombëtare, e cila duhet të rrëzohet sa më parë. Ish-kryeministri i bëri thirrje bazës së partisë që të bëhet gati për betejë, me qëllim që të përballet dhëmbë për dhëmbë me qeverinë deri në largimin e saj. “Qytetarët kërkojnë nga ne që të mos pranojmë kurrë që Edi Rama, ky vasali i Vuçiçit, ku Duman i qeverisë të mos shkelmojë mbi gjakun e 10 mijë fëmijëve, grave, burrave në Kosovë dhe nuk po flasim këtu në vitet 1974, as për vitin 1912-1913, as në 45-ën, por të gjitha këto në vitin 98-99. Ka një thirrje për çdo shqiptar t’i dalim zot interesit kombëtar. Pikërisht se nuk është mbrojtur ky interes Shqipëria shtë rrokullisur dhe rrokulliset çdo ditë. Ju jini forumi udhëheqës i PD, është e domosdoshme që në parti të fillojë që nesër një debat për këto zhvillime. Partia duhet të dalë në fushë betejë. Nuk mundet kurrë kush të loz me fatet e shqiptarëve, nuk mundet kurrë kush ta shndërrojë Tiranën në Beogradin e vogël, nuk mundet kurrë kush që të mbajë në këmb një parlament që nuk dënon krimet në Kosovë. Çfarë presin patriotët shqiptar të thuhet më shumë se nuk pranojmë dënimin e krimeve në Kosovë se nuk na lejon Vuçiçi me Ballkanin e Hapur”, është shprehur Berisha. sipas tij është situata emergjente. “Unë e kuptoj që partia ka konsumuar energji në procesin e brendshëm, por në këtë proces pavarësisht presioneve u rikonfirmuam mbi 44 mijë luftëtarë, të cilët iu përgjigjën çdo thirrje të PD-së. E kam thënë dhe e them, kjo është një shifër shumë e madhe dhe është ndër më të mëdhatë për një Parti Demokratike. Ndaj sot votojmë këtu dhe nesër ftoj drejtuesit, apo kërkoj nga drejtuesit e degëve të mbledhin me urgjencë seksionet dhe të zhvillojnë një debat të hapur me këto çështje. Ne kemi sot një anëtarësi me ideale të larta, të gatshme për t’iu përgjigjur çdo sfide”, tha ish kryeministri Berisha.
Berisha: Rama, Lukashenko i ri i Europës
Dje nën drejtimin e Sali Berishës është mbledhur Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike. Më herët gjatë një konference për shtyp Sali Berisha foli edhe për zgjedhjen e presidentit të ri, ku ditën e sotme do të mbahet në kuvend raundi i katërt për zgjedhjen e kreut të shtetit. Berisha tha se mazhoranca duhet të kishte lejuar opozitën që të propozonte presidentin e ri. Ai theksoi se nga e shtuna, Rama do të kapë edhe institucionin e Presidentit të Republikës dhe sipas tij, do të jetë Lukashenko i ri në Europë. “Nuk i njohim të drejtë legjitime Ramës të propozojë Presidentin duke pasur parasysh batërdinë zgjedhore, me armatën patronazhiste, me përdorimin e Dumanëve, bandave dhe sasive kolosale të parave të krimit. Ne kemi bindjen se rrugëzgjidhja e vetme do të ishte një president i propozuar nga opozita. Në vend të kësaj që është ndjekur në rastet analoge në Shqipëri, zgjodhi lojën me kukulla dhe pseudoopozitë. Një lojë që mund të quhet si një shpifësirë politike e neveritshme. Rama, nesër do të quhet në mbarë Europën Alexander Lukashenko. Me marrjen e Presidencës, ai shkon në pushtet absolut. Kjo është një detyrë urgjente e opozitës së vërtetë që t’i japin Ramës përgjigje”, tha Berisha. Ndërkohë, një nga kandidaturat e mundshme të përfolura gjatë ditëve të fundit është edhe ajo e Ardian Dvoranit, ish-kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Berisha u shpreh se Dvorani është simboli i korrupsionit në drejtësi. Ndërkohë, ai theksoi se opozita do të marrë pjesë ditën e shtunë në seancë, por do të votojë kundër kandidaturës së propozuar për president nga mazhoranca. Socialistët kanë të drejtën për ta zgjedhur kreun e ri të shtetit me 71 vota. Por sipas kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, do të vijojnë diskutimet me grupet parlamentare, një të drejtuar nga Mesila Doda dhe një nga Fatmir Mediu, për të siguruar 84 vota dhe një president konsensual. Partia Socialiste ka 74 deputetë, ndërsa parashikohet që për zgjedhjet e Presidentit të ketë edhe mbështetjen e 3 deputetëve të dalë nga Partia Social Demokrate, çka do të thotë se i duhen vetëm 7 vota nga radhët e opozitës për të arritur shifrën e 84 votave.