Elton Qyno
Ekzekutimi i Naim Bajrit, konsiderohet nga policia e Shkodrës si një akt paburrërie, për shkak se viktima 68-vjeçar, kurrë nuk ishte implikuar në veprimtari kriminale. Të vetmin problem që kishte Naim Bajri, ishte fakti se kishte lidhje gjaku me Behar dhe Safet Bajrin në Shkodër, dy emra të njohur të botës së krimit në këtë qytet. Për të siguruar jetesën, viktima prej vitesh ushtronte tregtinë e peshkut në Shkodër, dhe nuk implikohej me veprimtarinë e anëtarëve të fisit të tij.
Por kundërshtarët e fisit, kanë zgjedhur të hakmeren pikërisht tek Naim Bajri, i cili teksa pinte kafe u qëllua me automatik. Vrasja e Naim Bajrit është vijushmëri e një sage hakmarjesh të ndodhura në këtë qytet, ku dyshohet se një skuadër ekzekutorësh, e njëjta që ka vepruar dhe në dy ngjarje të tjera kriminale, ka vrarë dhe të pafajshmin Naim Bajrin. Vrasja e 68-vjeçarit, shënon viktimën e dytë brenda kësaj shtëpie, pasi në 2001, Naimit i kishin vrarë djalin e tij, Indrit Bajri.
Sipas burimeve të policisë dinamika e krimit është e njëjtë me atë të ndodhur në vrasjen e Nazmi Bandulës dhe tentativën e vrasjes së Admir Bajrit, ngjarje këto të ndodhura në 12 prill dhe 9 mars të këtij viti. Të treja këto ngjarje tashmë janë duke u hetuar nga një prokuror i vetëm Vatë Staka. Admir Bajri, djali i xhaxhait të Behar Bajrit, është qëlluar pikërisht nga një person i vetëm i cili ul xhamin dhe hap zjarr në drejtim të makinës së parkuar, ku qëndronte Admiri. Plumbat e kanë plagosur të riun, ndërsa ende autorët rezultojnë se nuk janë identifikuar nga policia e Shkodrës. Ndërkohë në 12 prill, në shkodër vritet Nazmi Bundula, i cili ashtu si Naim Bajri, qëndronte në një lokal duke pirë kafen e mëngjesit pranë shtëpisë së tij.
Një automjet benz, shfaqet në rrugë dhe teksa ulet xhami i derës së prapme, një person i vetëm qëllon me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend,Bundulën. Gati 1 muaj pas kësaj vrasje, në 3 qershor 2022, i njëjti skenar është vënë në zbatim nga grupi i ekzekutorëve, të cilën kanë vrojtuar Naim Bajrin, teksa qëndron në kafene dhe befasisht aty është shfaqur një automjet, ku nga brenda tij qëllohet me armë zjarri duke lënë të vdekur 68-vjeçarin dhe plagosur lehtë Astrit Zenelin.
Tashmë janë tre ngjarje që kanë të njëjtën dinamikë dhe prej dy muaj, prokuroria dhe policia e këtij qyteti nuk janë në gjëndje të bien në gjurmët e autorëve të këtyre krimeve.