Partia Demokratike vijon të mbetet e përçarë, tashmë në katër pjesë. Berisha pretendon se ka anëtarësinë, ndërsa Alibeaj ka vulën dhe selinë. Të dyja palët edhe pse nuk janë aspak të barabartë në mbështetje, sërish kanë grupimet e tyre. Nga ana tjetër, janë një pjesë demokratësh që nuk po gjejnë veten tek asnjëra palë. Grupimi i katërt i opozitës së copëtuar janë partitë e vogla aleate, të cilat po tentojnë të marrin protagonizmin e tyre.
Partia Demokratike dhe opozita janë aq shumë të coptuara e të ndara në pjesë sa asnjë pjesë nuk i shkon një procesi deri në fund, pasi është e përçarë. Partia Demokratike ende është duke “qeverisur” me dy koka. Nga njëra anë është Enkelejd Alibeaj që mazhoranca e njeh si kryetarin e Partisë Demokratike por edhe si pasardhës i Lulzim Bashës dhe nga ana tjetër kemi Sali Berishën, i cili i ka shkuar deri në fund të gjitha sfidave që ka pasur me kundërshtarët e tij, pra Alibeajn dhe Bashën. Shumicën e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë po ndjekin Alibeajn, ndërsa 16 deputetë po ndjekin rrugën e Berishës. Deri këtu secili nga këta kanë ndjeksit e tyre. Por ata që janë komplet pa busull janë demokratët që nuk dinë nga të shkojnë, sepse asnjeri prej tyre nuk po jep në publik një arsye se përse duhet të ndjekin njërën palë apo tjetrën. Pra Berisha nuk arriti që të bashkonte të gjithë demokratët, ashtu siç u zotua në fillim kur hapi “Rithemelimin”. Partia Demokratike ende nuk ka një drejtues që do të orintojë demokratët e saj, por ka dy koka që më shumë po i ndajnë sesa bashkojnë.
Opozita “e bashkuar”
Përveç se Partia Demokratike është në një humnerë që nuk dihet kush do ta shpëtojë, partnerët e saj, siç janë partitë e vogla janë ende të paorintuara mirë. Favori i Berishës është se të gjithë drejtuesit e partive gjatë gjithë kohës kanë bërë aleanca me Berishën dhe askush me Alibeajn, i cili mban detyrën e Kryetarit të Partisë Demokratike. Por në dukje të gjithë drejtuesit e partive të vogla nuk kanë dalë prerazi se me kë duhet të pajtohen më shumë. Krisja më madhe është edhe ajo Berishes me partinë e tretë më të madhe në vend, LSI. Meta i cili tashmë nuk do të jetë më President, do ti rikthehet jetës politike si drejtues i LSI-së, por reagimi i Berishës pas dekretit të Presidentit Meta për Bajram Begajn, (presidentin e ri të zgjedhur), solli një përplasje mes tyre, të paktën në dukje. Por të gjithë këta do të duken tani, në prag të zgjedhjet lokale.