Ishte narkotrafikant më i famshëm kolumbian. I njohur si “Mbreti i Kokainës”, Pablo Eskobar furnizonte më shumë se 80% të tregut amerikan me drogë, duke u shndërruar në kriminelin më të pasur në histori. Në fillim të viteve 1990 pasuria e tij kapte një vlerë prej 30 miliardë dollarësh.
Fillimet
U lind më 1 dhjetor 1949, në Rionegro, në Departamentin e Antioquia të Kolumbisë Kolumbi dhe u rrit në Medellin aty pranë. Ishte i treti nga shtatë fëmijët e Abel de Jesús Dari Eskobar, një fermer dhe Hermilda Gaviria, një mësuese e shkollës fillore. Studioi një periudhë të shkurtër në Universidad Autónoma Latinoamericana të Medellinit, por nuk u diplomua. Eskobar synonte përmbushjen e një ambicie fëmijërie që kur të ishte 22 vjeç, të kishte 1 milion dollarë. Filloi të angazhohej në veprimtari kriminale që përfshinte shitjen e cigareve kontrabandë dhe bileta të rreme lotarie. Mendohet që Eskobar ta ketë filluar karrierën e tij kriminale që adoleshent, kur vidhte makina në varreza i lyente dhe ua rishiste kontrabandistëve lokalë. Vëllai i tij, Roberto, e ka mohuar një gjë të tillë. Ndërsa djali i tij pretendon se kriminaliteti i babait filloi me një praktikë të suksesshme të shitjes së diplomave false për shkollat e mesme. Deri në vitet 1970, Eskobar ka vepruar dhe si një truproje. Ai punonte për kontrabandistin Alvaro Prieto.
Trafiku
Në vitet 1970 nisi të punonte për trafikantë të ndryshëm, shpesh duke rrëmbyer e mbajtur njerëz peng për shpërblim. Në vitin 1975 nisi të shpërndante vetë kokainën, si dhe vendosi të bënte rrugën e para të kontrabandës në Shtetet e Bashkuara. Roberto Eskobar thotë se Pablo u pozicionua në biznesin e drogës sepse llojet e tjera të kontrabandës u bënë shumë të rrezikshme. Meqënëse nuk kishte asnjë kartel droge, Pablo e pa atë si territor të pashfrytëzuar. Në Peru, ai bleu rreth 30 kilogramë kokainë e cila më pas u rafinua në një laborator tek një shtëpi dykatëshe në Medellín. Kjo shënohet si hapi i parë drejt ndërtimit të perandorisë së tij. Infiltrimi i tij në tregun e drogës me SHBA u zgjerua në mënyrë eksponenciale për shkak të rritjes së kërkesës për kokainë. Duke filluar në vitin 1975, Pablo filloi të zhvillonte operacionin e tij të kokainës, duke kontrabanduar nëpërmjet avionëve disa herë, kryesisht midis Kolumbisë dhe Panamasë dhe përgjatë rrugëve të kontrabandës në Shtetet e Bashkuara. Më vonë bleu 15 aeroplanë më të mëdhenj, si dhe gjashtë helikopterë. Roberto Eskobar pohoi gjithashtu se, përveç përdorimit të avionëve, vëllai i tij punësoi dy nëndetëse të vogla për transportin e ngarkesave masive. Në maj 1976, Eskobar dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij u arrestuan në përpjekje për t’u kthyer në Medellin me një ngarkesë të madhe nga Ekuadori. Fillimisht, Pablo u përpoq të koruptonte gjykatësit e Medellinit por pa pasukses. Pas shumë muajsh grindjesh ligjore, ai urdhëroi vrasjen e tyre. Në vitet 1980, u vlerësua se çdo muaj 70 – 80 tonë kokainë po transportoheshin nga Kolumbia në SHBA. Rrjeti i tij i drogës njihej zakonisht si Karteli Medelin, i cili shpesh konkuronte me kartelet rivale brenda dhe jashtë vendit, duke rezultuar në masakra dhe vrasje të oficerëve të policisë, gjykatësve, vendasve dhe politikanëve të shquar.
Politika
Në 1982, Eskobar u zgjodh anëtar i Kongresit dhe i Dhomës së Përfaqësuesve të Kolumbisë, si pjesë e lëvizjes Alternative Liberale. Përmes kësaj, ai ishte përgjegjës për ndërtimin e shtëpive dhe fushave të futbollit në Kolumbinë perëndimore, e cila i dha popullaritet të dukshëm në mesin e vendasve. Megjithatë, Kolumbia u bë kryeqyteti i vrasjeve të botës.
Rrjeti
Shumë shpejt kërkesa për kokainë ishte rritur në Shtetet e Bashkuara dhe Eskobar organizoi më shumë dërgesa, rrugë dhe rrjete të shpërndarjes në Floridën e Jugut, Kaliforni dhe pjesë të tjera të vendit. Ai dhe bashkëthemeluesi i kartelit Karlos Lehder punuan së bashku për të zhvilluar një pikë të re transporti në Ishujt Bahamas, një ishull që quhet Cay Norman rreth 350 kilometra në juglindje të bregut të Floridës. Sipas vëllait të tij, Eskobar dhe Robert Vesco bleu pjesën më të madhe të tokës në ishull, ku përfshihej një port, një hotel, shtëpi, anije dhe aeroplanë si dhe ndërtuan një depo për të ruajtur kokainën. Nga viti 1978 deri në vitin 1982, ishulli u përdor si një pikë qendrore e kontrabandës për Kartelin Medellín. Me fitimet e mëdha të gjeneruara nga kjo rrugë, Eskobar shpejt arriti të blinte 20 milionë metra katrorë në Antioquia, në të cilën ai ndërtoi “Napaet Hacienda”. Shtëpia luksoze që ai krijoi përmbante një kopsht zoologjik, një liqen, një kopsht me skulptura, një arenë private dhe ambjente të tjera për familjen e tij dhe kartelin.
Masakrat
Eskobar ishte përgjegjës për më shumë se 4,000 vrasje. I identifikuar si një prej trafikantëve më të mëdhenj të kokainës në Kolumbi, qeveria e SHBA kërkoi ekstradimin e tij, nëse kapej, për t’u përballur me akuza për trafikim në Amerikë.
-Kanosja mbizotëronte në marrëdhënien e Eskobarit me qeverinë kolumbiane. Politika e tij brutale, mori emrin “plata o plomo”, që do të thotë “paratë ose plumbin”. Kjo gjë shkaktoi vdekjen e dhjetëra njerëzve, duke përfshirë civilë, policë dhe zyrtarë shtetërorë.
-Besohet se Eskobari mbështeti sulmin ndaj pallatit të drejtësisë në Kolumbi, i kryer nga guerilas të majtë. Ky sulm rezultoi në vrasjen e gjysmës së gjykatësve. Eskobar pagoi guerilasit e G-19 që të hynin në Pallatin e Drejtësisë për të djegur të gjithë dokumentat e Los Extraditables – grupi i trafikantëve të kokainës që rrezikohej të ekstradoheshin në SHBA, nga qeveria kolumbiane.
-Luis Carlos Galan ishte një kandidat për president shumë i favorizuar, si dhe armik i Eskobarit, për shkak të mbështetjes së tij të fortë për marrëveshjen e ekstradimit në SHBA. Në 1989, Galani hipi në skenë përballë 10 mijë njerëzve në Soacha, përpara se të vritej me automatik.
-Në një atentat të dështuar për të vrarë kandidatin presidencial për në zgjedhjet e 1990, Cesar Gaviria Trujillo, besohet se Pablo Eskobari vrau 107 njerëz të pafajshëm, pasi vendosi një bombë në avionin “Avianca 203”. Pak minuta pas ngritjes, një person me kostum dhe me një valixhe në dorë ndezi bombën pranë serbatorit të avionit, në një zonë mbi bashkinë e Soachas, në 27 nëntor 1989. Ishte akti kriminal më vdekjeprurës në historinë e Kolumbisë.
-Pas vrasjes së Luis Carlos Galan, administrata kolumbiane vuri në shënjestër Eskobarin. Me negociata qeveria e bindi atë që të dorëzohej dhe të kryente një dënim të reduktuar si dhe një trajtim preferencial. Eskobari u dorëzua në 1991 dhe u vendos në burgun që vetë kishte ndërtuar, “La Catedral”. Pasi u zbulua se Eskobari e vazhdonte biznesin e drogës nga brenda La Catedral, qeveria e zhvendosi në një tjetër burg. Eskobari dhe 9-të pasues të tij, pas 13 muajsh u arratisën nga burgu në 22 korrik 1992. Pas arratisjes, Komanda e Forcave të Operacioneve të Përbashkëta e SHBA si dhe Centra Spike u bashkuan në ndjekje të bosit të drogës.
Vrasja
Në 1993, një ditë pas ditëlindjes së 44, Eskobar u vra nga Policia Kombëtare Kolumbiane. Vdekja e tij dhe e truprojës shënoi fundin e një ndjekjeje 16 mujore nga policia, për të eleminuar njeriun që kontrollonte perandorinë më të madhe e të pamëshirshme të trafikut të drogës.
Libri
Eskobar është subjekt i librave dhe filmave. Edhe djali i trafikantit ka sjellë historinë e babait në një libër. Rrëfimi i të birit kundërshton versionin zyrtar se i ashtuquajturi “Mbreti i kokainës” u qëllua për vdekje nga policia. I titulluar “Mi Padre” (Babai im), libri i Juan Pablo Eskobar ofron një portret të detajuar të babait të tij që nga zakonet, veset, arratisjet dhe madje edhe tradhtitë e familjes, veçanërisht nga ana e vëllait të Pablo Eskobar, ish-kontabilistit i kartelit Medellin, Roberto Eskobar. Sipas zyrtarëve, kreu i kartelit Medellin u vra pasi u përpoq të arratisej përmes çatisë së ndërtesës, në një shkëmbim zjarri me forcat kolumbiane të sigurisë, që kishin rrethuar strofullën e tij. Por djali, Juan Pablo Eskobar, thotë se babai i tij kishte planifikuar të vriste veten.
Kuriozitete
-fitonte 420 milionë dollarë në javë, ose 22 miliardë në vit
-blinte çdo muaj 2500 dollarë llastikë gome për të mbajtur kartëmonedhat
-në vitet ’90, ishte një nga 10 burrat më të pasur në botë, me 30 miliardë dollarë
-në vitet ’90 trafikonte 80% të kokainës në botë duke çuar çdo ditë 15 ton droge në SHBA
-humbi 10% të të ardhurave vjetore, prej minjve që hanin kartëmonedhat e fshehura
-dërgonte helikopterët për të marrë ushqimin nëse fëmijët e tij kërkonin diçka të veçantë
Përgatiti: L. Veizi