Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar për zjarrin në ishullin e Sazanit duke thënë se janë izoluar disa nga vatrat ndërsa trupat e FA e kishin të vështirë ndërhyrjen në vatrat e mbetura për shkak të relievit të vështirë. Ndër të tjera u shpreh se mbështeten tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika efikase për izolimin e vatrave është përmes krijimit të brezave të shpyllëzuar.
“Në këto momente duket se janë izoluar disa nga vatrat më të rrezikshme të zjarrit në Sazan. Trupat e Forcave të Armatosura po punojnë me përkushtim në kushtet kur ndërhyrja në vatrat e mbetura është e vështirë për shkak të relievit dhe të natës. Sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave të Armatosura dhe të gjithë sistemit të Mbrojtjes Civile meritojnë mirënjohje.
I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanin është izolimi i vatrave duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth vatrës”, shkroi Peleshi.
Ndër të tjera tha se kjo verë do të jetë shumë e nxehtë, por shprehu gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes për të mbështetur bashkitë për përballimin e emergjencave pasi është prioritet mbrojtja e jetës së banorëve, florës e faunës si dhe trashëgimia natyrore e historike.
“Me të gjithë partnerët tanë dhe Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar marrëdhënie për të aktivizuar mbështetjen me mjete ajrore shtesë, gjatë stinës së verës, pa humbur kohë nëse do të çmohet e nevojshme nga ekspertët. Sigurisht prioritet ka mbrojtja e jetës së banorëve dhe më pas e florës e faunës si edhe trashëgimia jonë natyrore e historike.
Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë. Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera”, shkroi Peleshi.