Nga Morena Boja
Në dekadën e fundit koncepti i ekonomisë së gjelbërt ka tërhequr vëmëndjen e politikë bërësve në nivel kombëtarë apo global. Në shkallë kombëtare disa vende po zhvillojnë strategji, politika dhe programe të ekonomisë së gjelbër, shumë prej tyre e konsiderojnë një domosdoshmëri aplikimin e ekonomisë së gjelbërt. Studime të ndryshme pohojnë se në dekadat e ardhshme njerëzimi do përballet me sfida serioze që lidhen me ndryshimin e klimës, humbjen e biodiversitetit, pamjaftueshmëri burimesh për brezat e ardhshëm etj. Kriza të cilat nuk mund të trajtohen vetëm në nivel lokal por global dhe kjo ka bërë që shumë vende të hartojnë politika dhe vizione të përbashkëta. Pasi sistemet aktuale nuk janë mjaftueshëm të përshtatshme për të ofruar një ekuilibër të mirë të qëllimeve mjedisore, sociale dhe ekonomike. Ekonomitë janë në thelb, një koleksion rregullash dhe normash që shpërblejnë disa sjellje dhe ndëshkojnë të tjera. Në formën e tyre aktuale, ekonomitë tona stimulojnë mbikonsumin, degradojnë lidhjet mjedisore dhe shkatërrojnë pasurinë natyrore. Por kjo nuk është e pashmangshme është thjesht mënyra se si ekonomitë tona kanë evoluar për të funksionuar. Për të zgjidhur këto probleme, kërkohet një vizion i ri ekonomik në nivel global. Vizioni për një ekonomi të gjelbër është ai që ofron prosperitet për të gjithë brenda kufijve ekologjikë të planetit. Ai ndjek pesë parime kyçe, secila prej të cilave mbështetet në parime të rëndësishme të politikës ndërkombëtare, të cilat së bashku mund të udhëheqin reformën ekonomike në kontekste të ndryshme. Parimi i mirëqënies: një ekonomi e gjelbër u mundëson të gjithë njerëzve të krijojnë dhe të gëzojnë prosperitet. Parimi i drejtësisë: ekonomia e gjelbër promovon barazi brënda dhe ndërmjet brezave. Parimi i kufijve planetarë: ekonomia e gjelbër mbron, rikthen dhe investon në natyrë. Parimi i eficencës dhe mjaftueshmërisë: ekonomia e gjelbër është e orientuar për të mbështetur konsumin dhe prodhimin e qëndrueshëm. Një ekonomi e gjelbër gjithëpërfshirëse është me karbon të ulët, që ruan burimet, e larmishme . Ajo përfshin modele të reja të zhvillimit ekonomik që adresojnë sfidën e krijimit të prosperitetit brenda kufijve planetarë. Parimi i qeverisjes së mirë: ekonomia e gjelbër udhëhiqet nga institucione të integruara, të përgjegjshme dhe elastike. Një ekonomi e gjelbër gjithëpërfshirëse bazohet në prova – normat dhe institucionet e saj janë ndërdisiplinore, përdorin shkencën dhe ekonominë e shëndoshë së bashku me njohuritë lokale për të hartuar strategji adaptive. Ekonomi e gjelbër quhet ajo lloj ekonomie e cila ka si qëllim të saj reduktimin e risqeve mjedisore, ajo ka në fokus zhvillimin ekonomik, zhvillimin e qëndrueshëm pa dëmtuar mjedisin. Nëpërmjet teorive të ekonomisë së gjelbërt synohet të përmirësohen proçeset e prodhimit dhe praktikat e konsumit, synohet reduktimi i konsumit të burimeve dhe reduktim i mbetjeve të gjeneruara. Ekonomia e gjelbër ofron një qasje makro-ekonomike ndaj rritjes së qëndrueshme ekonomike me fokus qëndror në investimet, punësimin dhe aftësitë. Shumë vende në botë sot kanë hartuar politka makroekonomike në mbështetje të ekonomisë së gjelbër. Në shumë vende të EU po aplikohen teknika të “Green Management” ose ndryshe menaxhimi jeshil. Bashkimi Europian ka krijuar strategji dhe praktika si “European Green Deal”, marrëveshja e gjelbërt e cila ka në fokus përmirësimin e mirëqënies së brezave të ardhshëm. Koncepti i menaxhimit jeshil sot ka tërhequr vëmëndjen jo vetëm të bizneseve por dhe të individëve. Menaxhimi i gjelbër është një strategji e re menaxhimi e cila synon të minimizojë proçeset që dëmtojnë mjedisin. Bizneset kanë një rol të rëndësishëm në minimizimin e impakteve negative në mjedis. Bizneset që ndjekin strategjitë e menaxhimit jeshil kanë disa karekteristika të përbashkëta si psh: përdorin gaz natyror për karburant, riciklojnë mbetjet e biodegradueshme, kanë një përdorim minimal të materialeve plastike, përdorin materiale paketimi të riciklueshme, letër të riciklueshme, përdorin ujë të riciklueshëm. Është e rëndësishme të kuptojmë rëndësinë e menaxhimit jeshil pse duhet përdorur kjo praktikë së pari sepse të qënit “i gjelbert” ndihmon në ruajtjen e burimeve natyrore, redukton degradimin e mjedisit, kursen burimet e pakta për brezin e ardhshëm, gjithashtu menaxhimi jeshil apo ekonomia e gjelbert ndihmon në reduktimin e çrregullimeve shëndetësore. Ka dy mënyra për të ecur në linjë me strategjine e menaxhimit të gjelbërt: se pari duke ndjekur praktiken rikuperim, riciklim, ripërdorim dhe së dyti ulja e ndotjes. Një ndër përfitimet e menaxhimit jeshil është minimizimi i ndotjes. Qeveritë e vendeve të zhvilluara lobojnë shumë dhe financojnë kompani që aplikojnë menaxhim jeshil apo green economy pasi kompanitë dhe bizneset konsiderohen si ndotësit më të mëdhenj të mjedisit por padyshim që edhe individët mund të kontribuojnë në minimizimin e ndotjes apo mund të ndjekin strategji të menaxhimit jeshil. Shumë biznese sot në botë trajnojnë stafin dhe i drejtojnë ato drejtë të qënit “green”. Koncepti i ekonomisë së gjelbërt është pjesë e pandashme e agjendave ndërkombëtare por deri më sot në Shqipëri nuk ka biznese që ndjekin strategji të menaxhimit jeshil, nuk ka subvencione apo grante qeveritare që mbështesin këto praktika. Ka disa iniciativa të energjisë së rinovueshme por që nuk menaxhohen në kuadrin e ekonomisë së gjelbërt. Referuar raporteve Shqipëria ka një nivel të lartë të ndotjes, probleme me mbledhjen dhe menaxhimin e mbetjeve dhe patjetër që aplikimi i strategjive dhe praktikave të menaxhimit të gjelbërt do të përmirësonte disi situatën aktuale. Përshtatja e politikave tona me ato të BE për ekonominë e gjelbërt mendoj se është një nga sfidat e së ardhmes. Pasi është detyrë e qeverisë dhe politikë bërësve që të përcaktojnë kuadrin ligjor të ekonomisë së gjelbërt duke pasur në fokus bizneset dhe individët por dhe target grupe të tjera. Duke marrë në konsideratë përfitimet që vijnë nga ekonomia e gjelbërt apo menaxhimi i gjelbërt, qeveritë duhet gjithashtu që përveç fondeve të marra nga donatorët apo EU për të financuar praktika të green economy duhet ti kushtojnë buxhet këtij proçesi mjaft të rëndësishëm për kohën në të cilën jetojmë. Bizneset por dhe institucionet publike gjithashtu duhet të kenë rolin e tyre në adaptimin dhe përdorimin e praktikave të ekonomisë së gjelbërt.