Ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet tërësisht i izoluar nga faktori ndërkombëtar, ku përveç SHBA-ve edhe CDU/CSU-ja gjermane e bëri të qartë se nuk do bashkëpunojë me të. Berisha shprehet se: Më duan shqiptarët”, ndërsa dje ka vijuar akuzat ndaj deputetëve të PD-së që mbështesin “rrymën Basha”, duke i akuzuar si të shitur tek kryeministri Edi Rama. Zbutet edhe më shumë me Metën…
Ish-kryeministri Sali Berisha, i zgjedhur nga grupimi i tij edhe si kryetar i PD-së, duket se është i ndërgjegjshëm që fakti se është i padëshiruar nga SHB-ja dghe Gjermania nuk janë pengesa lehtësisht të kalueshme. Ai është mbajtur me idenë se pavarësisht se nuk e duan “ata”, ai ka mbështetjen e elektoratit shqiptar. Ish-kryeministri Sali Berisha është pyetur në deklaratën e tij për mediat lidhur me opinionet e dhëna në Tiranë nga raportuesi për Shqipërinë në CDU, Peter Beyer. Beyer theksoi se Gjermania do t’i qëndrojë krah SHBA-ve në vendimin për të mos bashkëpunuar me persona të shpallur non-grata dhe kërkoi një forcim të opozitës në vend, por Berisha shprehet se në betejën e tij ka përkrah vetëm shqiptarët. “Këtë betejë Sali Berisha nuk e ka nisur me asnjë përkrahje të askujt përveç shqiptarëve. Ju garantoj se çdo ditë ndihem më i motivuar se kurrë nga mbështetja e shqiptarëve. Ju besoj jeni dëshmitarë të kësaj”, tha ai. Deri para një jave Berisha ishte zyrtarisht si i padëshiruar vetëm nga SHBA, por me qëndrimin e gjermanëve gjithçka po vështirësohet për të. Roli i CDU/CSU-së gjermane brenda PPE-së (Partive Popullore Europiane”, ku edhe PD është e anëtarësuar është shumë i madh. Nuk përjashtohet mundësia që partitë e djathta të shteteve të tjera Europiane të shtojnë qëndrimet kundër Berishës. Kjo u pa edhe në zgjedhjet e kryera pak ditë më parë brenda PPE-së, ku PD nuk u ftua zyrtarisht.
Beteja me të tijët
Në gati 50 minuta konferencë shtypi Berisha më shumë kohë i kushtoi sulmeve ndaj deputetëve të PD-së sesa kundërshtarit klasik PS-së dhe liderit të saj Edi Rama. Kreu i PD Sali Berisha u pyet se çfarë ka ndryshuar tani që ai drejton këtë forcë politike lidhur me bashkimin e opozitës dhe faktin që më parë akuzonte paraardhësin e tij Lulzim Bashën për dështimin e drejtimit të opozitës. “Veglat e Edi Ramës janë në shërbim të Ramës. Siç bënë lojën e neveritshme të presidentit në funksion të imazhit të tij dhe Ramës, marrin përsipër që të keq shfrytëzohen për komisione te reformave të Ramës. Ne do të bashkohemi me ata të cilët janë për të shpëtuar Shqipërinë nga ky regjim monist, i bazuar në krimin, drogën. Më tej Berisha u shpreh qartë se nuk do të marrë pjesë të asnjë farsë të organizuar nga kryeministri Edi Rama. “Ne nuk marrim pjesë në farsa të organizuar nga Edi Rama dhe të keqshfrytëzuarit e tij opozitarë”, tha ai. Ndër të tjera, Berisha tha se nuk është në favor të asnjë lobimi qoftë negativ, qoftë pozitiv, duke sqaruar se Evi Kokalari ka kontribute të çmuara në PD, por sipas tij ishte zgjedhja e saj të tërhiqej. “Nuk jam në favor të asnjë lloj lobimi as negativ dhe as pozitiv, por unë dua të jem realist. Sot në kohën e smartphone ajo varet nga sensi i një njeriu. Sa i përket zotit Këlliçi është bashkëpunëtor i çmuar i Berishës dhe ka dhënë kontribut të veçantë për përpjekjen e PD për Rithemelimin deri në ditën e sotme. Sqaroj se Evi Kokalari ka kontribute të çmuara, por vendosi vetë të mos kandidojë dhe të tërhiqet dhe të ndjekë karrierën e saj në Partinë Republikane”, tha Berisha.
Bashkim në ajër…
Kreu i PD-së, Sali Berisha ka sqaruar sërish deklaratat e tij ku foli për hapje të partisë dhe krijimin e një fronti të ri opozitar. Berisha tha se do të krijohen Bordet Kombëtare me shqiptarë dhe të huaj që duan të bashkëpunojnë dhe të japin kontributin për fusha të caktuara. “Hapja nënkupton afrimin me PD-në, të vlerave, individëve, të ekselencës, njerëzve me ideale që duan ti afrohen kësaj partie. Një grup pedagogësh, mjekësh, avoketërisht, shpallën anëtarësinë e tyre në PD. Tani do ngrihen Bordet Kombëtare sipas fushave në të cilat ne do të përpiqemi të tërheqim njerëz të ditur të atyre fushave shqiptarë brenda dhe jashtë vendit”, tha Berisha. Sipas tij “Sikundër bordet janë të hapura dhe për të huaj që ndajnë me ne vlera të përbashkëta dhe duan që të kontribuojnë. hapja duhet të fuqizojë dimensionin e të rinjve dhe të zonjave, vajzave dhe grave. Kjo është për partinë, fronti është diçka tjetër. Fronti është vendosja e organizuar, ose krijimi i një fronti të përbashkët me të gjitha forcat politike opozitare, me të gjithë individët apo organizatat e shoqërisë civile që duan të angazhohen”.
Zbutet me Metën
Në vazhdën e qëndrimeve në lidhje me dekretin e presidentit Ilir Meta për shkarkimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë gjeneral Bajram Begaj, që më pas i hapi rrugë për tu zgjedhur kreu i ri i shtetit, Berisha ka zbutur disi qëndrimet ndaj “aleatit” Meta. “Nuk ka krisje. Presidenti, e kam theksuar, do jem transparent, Kushtetuta në germë, nuk ndalon firmosjen e dekreteve jashtë vendit. Se ka një përkufizim të tillë. Por raste unë di që nuk ndodhin. Të themi të vërtetën, Presidenti mund të mos e firmoste raundin e katërt, por të pestin s’e digjte dot. Duhet të ushtronte detyrimin kushtetues, pastaj ndërhyjnë mekanizma të tjera. Kur kishte “check and balance” ndërhynin mekanizma të tjera. Ai nuk mund të mos ushtronte kushtetutshmërinë. Është rast unik në historinë vendeve të tjerë. S’ka ndodhur kurrë që të marrësh një ushtarak aktiv dhe ta emërosh President të Republikës, përveç në rastin e Juntave. S’ka ndodhur asnjëherë!’, tha Berisha.