Dhoma e Avokatisë kundërshton hartën e re gjyqësore që ka më pak gjykata apeli ne rrethe dhe në shenjë proteste kërkon bojkotim të gjyqeve nga e marta në të premte.
Komiteti Drejtues konstaton se vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta, thuhet në deklaratën e Dhomës së Avokatisë.
“Ky vendim cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes ne çështjet penale, civile dhe administrative. Me keqardhje konstatojmë se ky vendim është në përputhshmëri dhe ne përkrahje me një sërë shkeljesh të konstatuara në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve.
Me këtë vendim u injoruan haptazi gjithë problematikat dhe argumentet e parashtruara nga ana e Organeve drejtuese të Dhomës Qendrore dhe atyre vendore gjate procesit të diskutimit te draftit në shkallë vendi, fakt i cili tregoi qarte formalitetin, paragjykimin dhe abuzivitetit në mosmarrjen në konsideratë të mendimit te grupeve të interesit, përfshi Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë si një nga aktorët kryesor në procesin e dhënies së drejtësisë.
Nisur dhe bazuar në këtë situatë Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë i bën thirrje Ministrit të Drejtësisë dhe nëpërmjet tij i kërkojmë të përcjell në qeveri, si institucioni vendimmarrës, gjithë argumentet e paraqitura në mbrojtje te interesave të personave fizik dhe atyre juridik, duke konkluduar mos miratimin vendimit te mësipërm paraqitur nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor”.