Njësia 11 ishte ndalesa e radhës e Erion Veliajt, si Drejtues politik i PS për Qarkun e Tiranës, në vijim të turit informues për zgjedhjet për kryetarët dhe sekretarët ekzekutiv të partisë. I shoqëruar nga deputeti i zonës, Paulin Sterkaj, Veliaj deklaroi nga Lapraka se besimi i dhënë nga shqiptarët në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit ishte tregues i fuqisë që ka Partia Socialiste për të rigjeneruar vetveten dhe për të ndryshuar Shqipërinë.
“Ne fituam në Vorë me 70%, fituam në Rrogozhinë mbi 60%. Do të thotë se vetëm me punë dhe disiplinë, kur të tjerët thoshin – ‘Hë more, se njerëzit janë lodhur’ – treguam se mund ta ndryshojmë veten. Për sa kohë kemi mundësi të ndryshojmë veten, do të vazhdojmë të ndryshojmë edhe Shqipërinë, edhe Tiranën. Kur ti nuk ndryshon veten dhe kthen prapë Saliun, 80 vjeç, me të gjithë bëmat dhe çudirat që i bëri këtij vendi, dhe u thua shqiptarëve se kjo është shpresa e PD për të ardhmen, që aty mbaron filmi. Aftësia jonë është tek rigjenerimi”, deklaroi Veliaj.