Ditën e sotme nis bojkoti i Dhomës së Avokatisë për të gjitha shkallët e gjyqësorit deri ditën e premte, 17 qershor. Në kundërshti të hartës së re gjyqësore, avokatët kanë vendosur të mungojnë në seancat gjyqësore, përvec atyre ku jepen masat e sigurisë.
Nëse ndonjë prej avokatëve nuk i bindet urdhrit për bojkot, do të merren masa deri në heqje të licensës, tha kryetari i Dhomës së Avokatisë Maksim Haxhia. Këto seanca nuk janë bllokuar as nga grevat e mëparshme.
Vetëm në gjykatat e Tiranës, GJKKO, Dhoma Penale, Civile, Apeli Tiranë dhe Administrative janë planifikuar të zhvillohen 215 procese gjyqësore të cilat nisin prej orës 08:00 deri në 15:30. Ndërkohë një ditë më parë, Ulsi Manja i kërkoi të heqin dorë nga bojkoti duke deklaruar se kërkesat e avokatëve janë marrë parasysh dhe ky bojkot është i pakuptimtë.
Ministria e Drejtësisë ka dhënë dakordësinë për hartën e re ku nga 22 gjykata të shkallës së parë bëhen 13 dhe nga 6 Apele bëhet 1. Brenda pak ditësh, kjo hartë do të shkojë në qeveri për miratim.
Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.