Nga Leonard Veizi
Me kufje në vesh dhe sytë nga ekrani, tek dëgjon “E diela e zymtë” nën timrin e butë të një këngëtari me emrin Pal Kalmar, mbulohesh nga një bukuri tragjike. Mund të mos tentosh të vrasësh veten, por mund të ndihesh po aq keq sa dhe kompozitori i saj në ditët kur qëndronte mbi piano e hidhte nota në patritura. Sepse vija melodike e kësaj kënge është sa tërheqëse njëherësh dhe tmerrësisht e errët, e krijuar për të ngjallur një ndjenjë të thellë dëshpërimi…
…Fotaqi, nënprefekti fudull i Lushnjës që vriste miza në zyrë dhe luante kumar me letra në sarajet e Dalip Beut, ishte fort “sonsiblë” kur vinte puna për këngët moderne të kohës. Dhe ishte aq idiot sa që këtë ua tregonte dy vajzave të shkolluara në konservatorët më të mirë të perëndimit.
-“Pooo… meqë ra fjala, nuk e keni në program këngën me famë botërore: “Triste domenika”? Kam dëgjuar se për këtë këngë kanë vrarë veten dhjetëra djem e vajza. E vërtetë është. Edhe me gjithë mend që të prek shumë: Piove, fa freddo,/ più sola mi sento/ così nel silenzio/ di questa domenica… – Dhe kënga përfundon: Të dielën e fundit ti do të vish tek unë e dashur, por do të gjesh vetëm qivurin edhe varin tim të hapur. Ja kjo është këngë. Nuk do të ishte keq sikur këtë këngë ta dëgjonin dhe pasardhësit e taulantëve këtu në Myzeqe”
Mirëpo dy teatrina e ardhura nga Tirana, – të cilat në repertorin e tyre kishin arie nga Puçini, Verdi e List… por nuk e kishin të famshmen “Triste domenica” – aluduan se mos vriste veten “ndonjë” duke dëgjuar një këngë dashurie. Dhe Fotaqi elegant, mustaqet spicë e flokët e lyer me brilantinë, – por që ishte dhe ca pusht sipas Nuriut, beut të fuqishëm të kasabasë, – u mundua të justifikohej, “Jo, se këtu njerëzve u mungon kultura. Vetëm një njeri me kulturë të madhe dhe ‘sonsible’ mund të emocionohet aq shumë sa të vrasë veten për një këngë”.
Fillesa
Por cila ishte kënga e famshme e viteve ‘30 të shekullit të kaluar – që regjisor Saimir Kumbaro, në bazë të skenarit të Kiço Blushit e të mbështetur në tregimin “Baltrave të Myzeqesë” të Dhimitër Shuteriqit, – e vuri në gojën e aktorit Dhimitër Ndrenika, pikërisht në filmin epope të Kinostudios Shqipëria e Re: “Koncert në vitit ‘36”?
Ka disa versione për këtë këngë, janë shkruar disa tekste mbi melodinë fillestare derisa njëri prej tyre triumfoi e të tjerët heshtën dhe u harruan.
“E diela e trishtë”, e njohur gjithashtu si “kënga vetëvrasës”, është një këngë e famshme e kompozuar nga pianisti dhe kompozitori hungarez, Rezso Seress dhe e laçuar për herë të parë në vitin 1933. Aso kohe Seress – i mbiquajtur Rudi Spitzer – ishte 34-vjeç. Teksti origjinal titullohej “Vége a világnak” e cila shqipërohet “Bota po mbaron” dhe bënte fjalë në lidhje me dëshpërimin e shkaktuar nga lufta, duke përfunduar me një lutje të qetë për mëkatet e njerëzve. Poeti Laszlo Javor shkroi fjalët e tij mbi muzikën, të titulluar “Szomorú vasárnap” e cila në shqip vjen “E diela e trishtë”. Në këtë tekst protagonisti dëshiron të vetëvritet pas vdekjes të së dashurës së tij. Ky tekst pati shumë jehonë dhe u bë mjaft popullor, ndërsa i mëparshmi u harrua në thelb. Kënga u regjistrua për herë të parë në hungarisht në vitin 1935. Pal Kalmar këngëtar hungarez i muzikës pop, ishte i pari që performoi këngën kult. Në atë kohë Kalmar ishte në kulmin e famës së tij dhe pse vazhdoi të këndonte deri në vitet ’60.
Sfondi
Kënga u kompozua në fund të vitit 1932, ndërsa Rezső Seress jetonte në Paris në përpjekje për t’u afirmuar si kompozitor. Përbërja origjinale muzikore ishte melodia e pianos në “C”- minor. Një version thotë se Seress shkroi këngën në kohën e Depresionit të Madh dhe rritjen e ndikimit fashist në Hungari, ndonëse burime të tjera thonë se kënga e tij ishte e motivuar nga një ndjesi personale melankolie dhe jo nga shqetësimi për të ardhmen e botës. Baza e teksteve të Seressit janë padrejtësitë që i bëhen njeriut, me një lutje drejtuar Perëndisë që të ketë mëshirë pasi njerëzimi është në ditët më të këqija të tij.
Seress fillimisht kishte vështirësi në gjetjen e një regjistruesi muzikor, kryesisht për shkak të natyrës jashtëzakonisht melankolike të këngës. Një botues potencial deklaroi: “Nuk është se kënga ka trishtim, por ka një lloj dëshpërimi të tmerrshëm bindës. Unë nuk mendoj se do t’i bëj ndokujt ndonjë të mirë duke i dhënë mundësinë të dëgjojë një këngë të tillë”.
Kënga u hodh në treg në fund të vitit 1933, me tekst të poetit László Jávor, shok e mik i kompozitorit. Sipas shumicës së burimeve, Jávor rishkroi tekstet pas incizimit të parë të këngës. Tekstet e tij nuk kishin përmbajtje politike, por më tepër ishin një vajtim për vdekjen e një vajze dhe premtimin e dhënë asaj nga i dashuri për t’u takuar sërish në jetën e përtejme. Ky version i këngës u bë më i njohuri.
Më pas, në 1936, “E diela e trishtë” u regjistrua në anglisht nga Hal Kemp, me tekstin e shkruar nga Sam M. Levvis, dhe u regjistrua në të njëjtin vit nga Paul Robeson, me tekst nga Desmond Carter. Fjalët e Lewisit i referoheshin vetëvrasjes dhe kështu ajo u konsiderua si “Kënga vetëvrasëse hungareze”. “E diela e trishtë” u bë e njohur në shumë vende anglishtfolëse pasi në vitin 1941 u përshtat në një version të ri nga këngëtarja amerikane e xhazit Billie Holiday.
Kompozitori
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kompozitori u fut në një kamp pune nga nazistët. Por ai mbijetoi. Pas kësaj punoi në teatër dhe cirk. Më vonë iu rikthye shkrimit të këngëve. Megjithëse nuk pati kurrë një sukses aq të madh sa “Szomoru vasarnap”
E njohur si “kënga hungareze e vetëvrasjes” një mit urban u rrit duke pretenduar se shumë njerëz vranë veten duke e dëgjuar atë. U tha se në Vjenë, një vajzë adoleshente u mbyt teksa mbante në dorë pjesën muzikore. Në Budapest, një tregtar vrau veten dhe la një shënim ku citonte pjesë nga teksti i këngës. Në Londër, një grua u mbidozua duke dëgjuar vazhdimisht regjistrimin e këngës.
“Szomorú Vasárnap” në fillim nuk bëri shumë bujë. Por dy vjet më vonë, versioni i regjistruar nga Pál Kálmar u lidh me një numër të madh vetëvrasjesh në Hungari. Pavarësisht raporteve kontradiktore, kënga nuk u ndalua kurrë zyrtarisht në SHBA. Ndërsa në Angli, në fillim të viteve ’40, BBC e konsideroi këngën “shumë shqetësuese” për publikun, e më pas tha se vetëm versionet instrumentale mund të luheshin në radio. Ajo nuk e transmetoi këngën për 60 vjet rresht.
Në fakt, historia thotë se kur kënga u bë e suksesshme, Seress u përpoq të pajtohej me ish-in që e frymëzoi atë. Menjëherë pas kësaj, ai dëgjoi se ajo kishte helmuar veten dhe pranë saj ishte gjetur një kopje e pentagramit të këngës. Në një version tjetër ajo la një shënim me vetëm dy fjalë: “E diela e zymtë”. Gjithsesi, pavarësisht nëse është e vërtetë apo jo, vetë Seress kreu vetëvrasje, në vitin 1968, duke u hedhur nga dritarja e një ndërtese në Budapest.
Epilogu
Seress dikur shkroi për emocionet konfliktuale ndaj kryeveprës së tij: “Unë qëndroj në mes të këtij suksesi vdekjeprurës si një njeri i akuzuar. Kjo famë fatale më dhemb. I kam qarë të gjitha zhgënjimet e zemrës sime në këtë këngë dhe duket se të tjerët me ndjenja si të miat kanë gjetur lëndimin e tyre në të.”
Nga viti 1935 kur u regjistrua për herë të parë e deri në 2017 “Triste domenica” është kënduar nga 97 këngëtarë të ndryshëm.
“Triste Domenica”, versioni i kënduar nga Myriam Ferretti
Po bie shi, është ftohtë…
aq më shumë ndihem vetëm
kështu në heshtje
të kësaj të diele…
Unë shikoj pikat që bien në gotë…
dhe çdo pikë duket si lot…
Dëgjoj larg
larg larg
ajo e qeshura jote e çuditshme
të asaj të diele.
E diela e trishtë.
Ti u largove.
Më tregove ditën
e kthimit të ëmbël
do të jetë një e diel…
Por të dielat kalojnë dhe kalojnë…
ditet kalojne por ti nuk kthehesh kurrë.
Kjo pritje
do të thotë të vuash,
vdes nga dashuria
për çdo të diel.
E diela e trishtë.
Ditët kalojnë.
e ndjej në zemër
zëri që thotë:
“Ai do të vijë të dielën …”
… Ndjej se kjo e diel është e fundit …
Unë e them emrin tuaj në rrahjen e fundit …
Por ti nuk ndihesh
ajo britma dashurie
të një zemre që po vdes
këtë të dielë.
E diela e trishtë.
E diela e trishtë.