Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në Itali, ekzaktësisht në unazën midis Rivoltella dhe San Martino della Battaglia në Desenzano. Në aksident ka humbur jetën një 29-vjeçar me origjinë shqiptare, Klaidi Tahiri, banues në Villanuova sul Clisi.
Dy persona të tjerë janë përfshirë pa pësuar lëndime serioze.
Dinamika e përplasjes fatale po hetohet ende nga policia. Sipas një hetimi paraprak, 29-vjeçari po drejtonte një furgon Vito që përdorej për transportin e njerëzve dhe po udhëtonte nga Brescia në Verona.
Në kryqëzimin Sirmione – San Martino della Battaglia, 29-vjeçari u përpoq të parakalonte duke e gjetur veten përballë kamionit. Drejtuesi i mjetit të rëndë është munduar të shmangë goditjen duke u përpjekur të frenonte. Megjithatë, fataliteti ishte i pashmangshëm. Në aksident është përfshirë edhe një automjet i tretë, i cili udhëtonte pas furgonit që drejtohej nga viktima.