Tragjedia në Himarë, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia, ka trishtuar një Shqipëri të tërë, por jo vetëm. Të shumta kanë qenë reagimet edhe nga mediat ndërkombëtare dhe nga shqiptarët jashtë vendit.
Së fundmi, një grup shqiptarësh në New York kanë bërë një gjest sa të veçantë dhe prekës njëkohesisht. Ata janë mbledhur në një park të qytetit, ku kishin vendosur fotot e vogëlushes në një pemë së bashku me flamurin kombëtar, lule dhe qirinj.
Si solidarizim me dhimbjen e familjes së vogëlushes, ata mbajtën një minutë heshtje në kujtim të saj.
“Ju falënderoj për këtë takim të vogël por simbolik që bëjmë për një vajzë, e cila fatkeqësisht humbi jetën nga një pushte, pas a shumë kriminal. Dua t’iu ftoj për një minutë heshje të nderim të Jonada Avdia,” u shpreh një prej personave pjesëmarrës.
Ata apeluan institucionet të forcojnë masat e sigurisë në bregdet që ngjarje të tilla të rënda të mos përsëriten më, duke shpresuar për një Shqipëri më të mirë e të sigurt.
7-vjeçarja humbi jetën në breg të detit duke u larë me të atin, ku u përplas nga një skaf që drejtohej nga komisari Arjan Tase më 2 gusht 2022 në Potam të Himarës. Familja ishte kthyer për pushime në Atdhe, pushime që u shndërruan në një tragjedi.