Në 17 gusht të vitit 1386, Karl Thopia, princi i Mbretërisë së Shqipërisë, me kryeqendër Durrësin, krijon aleancë me Republikën e Venedikut – ai bie dakord për të marrë pjesë në të gjitha luftërat e Republikës (ose të paguante fonde ndihmëse dhe furnizim me grurë), në shkëmbim për mbrojtjen bregdetare kundër osmanëve. Përveç kësaj, Topia u premtoi tregtarëve venecianë siguri në territorin e tij. Karl Topia ishte biri i Andrea Topias, dhe nëna e tij ishte bijë e Robertit të Napolit, nga shtëpia e njohur Anzhui e Francës. Ngjarja rrodhi kështu: Roberti kishte një vajzë të jashtligjshme, Helen, të cilën ai dëshironte ta martonte me të një fisnik francez në More. Por rrugës, anija me të cilën ajo po udhëtonte ndeshi me një stuhi dhe u ndal në Durrës; aty u takua me princin Andrea Thopia, dhe të dy ranë në dashuri; ata u martuan dhe u lindën dy djem, Karl e Gjergj. (Gjon Muzaka në gjenealogjinë e tij thotë se Andrea e rrëmbeu Helenën). Mbreti Robert i Napolit u zemërua nga prishja e planit të martesës, por nuk e dha veten; ai e ftoi bijën e tij dhe Andrean në Napoli, dhe i vrau të dy. Familja Thopia sundoi rajonet Durrës, Krujë, Peqin, Elbasan, Mokër dhe Gorë, deri në Liqenin e Ohrit. Më 1381, Karl Topia ndërtoi Kishën e Shën Gjonit në afërsi të Elbasanit; ai shfaqet edhe në ikonën e Shën Gjonit, pikturuar nga Onouphrios Protopapas (i njohur si “Onufri”), i veshur me një kurorë duke qëndruar përkrah Shenjtit. Një mbishkrim kaligrafik në greqisht në muret e kësaj Kishe dëshmon: “Karlas Theopias, nip nga gjaku i mbretit të Francës … ndërtoi këtë kishë të shenjtë të Shën Gjon Vladimirit…”