Një nga shërbimet inteligjente të huaja partnere të vendit tonë, iu ka dhënë informacione autoriteteve shqiptare se shtetasja ruse Svetlana Timofeeva që u arrestua në Gramsh dyshohet të jetë e përfshirë në një rrjet spiunazhi rus.
Sipas burimeve paraprake, mësohet se këto shërbime kanë informacione sekrete se kjo shtetase ka lidhje me persona që janë pjesë e shërbimeve sekrete ruse.
Për të tre këta persona, dyshohet se bëjnë pjesë në forcat ruse të GRU(emri zyrtar i së cilës është Drejtoria Kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës ruse) dhe janë spiunë profesionistë, me mision të parapërcaktuar në Shqipëri.
Sakaq, edhe gazetari bullgar Chisto Grozev, i njohur mes të tjerash edhe për faktin që ka zbuluar agjentët rus të cilët tentuan të helmonin kritikun e Kremlinit Alexei Navalny, ka shkruar në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme në uzinën e armëve në Gramsh.
Në një postim në Twitter, Grozev ka shkruar se shtetasja ruse e arrestuar, është Svetlana Timofeeva, për të cilën u shpreh se ka një histori interesante.
Ai shtoi se shtetasja ruse ka pasur një rast të ngjashëm edhe në Egjipt, ku një nga “fotografët” me të cilët udhëtonte, është shpëtuar vetëm me ndërhyrjen e Ministrisë së jashtme ruse.
Nëse hetimet vërtetojnë këtë, atëhere ngjarja mund të trajtohet në përmasa më të mëdha. Nga hetimet e Prokurorisë së Elbasanit bëhet me dije se dy shtetasit rusë dhe ai ukrainas që tentuan të futen në uzinën e Gramshit, do të hetohen për tre vepra penale që lidhen me spiunazhin dhe pjesëmarrjen në celula spiunazhi.