Ambasadorja e re e BE-së, Christiane Hohmann në kuadër të ceremonisë së zhvilluar në nder të kampiones evropiane Luiza Gega ka takuar kryeministrin e vendit Edi Rama. Shkëmbimi i tyre ishte për herë të parë personalisht edhe pse Hohmann uroi çeljen e negociatave të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Më herët kryeministri në fjalën e tij tha se e ka ftuar ambasadoren që të marrë pjesë në festimet për Luiza Gegën, pasi ky është një rast i veçantë se jo gjithmonë i ndodh Shqipërisë të mundë Gjermaninë.
Ambasadorja nëpërmjet një postimi në platformën Twitter ndau edhe kënaqësinë e saj për takimin e kampionës së Evropës Luiza Gega. Kryediplomatja pati edhe një takim më herët me zv kryeministren Balluku
‘E kënaqur që takova Kryeministrin @ediramaal për shkëmbimin tonë të parë rreth fazës së re të rëndësishme në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE me hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. #BE do të mbështesë #Shqipërinë në çdo hap të rrugës.
E nderuar që kam mundësinë të takoj edhe kampionen evropiane @luizagega gjatë ceremonisë së çmimit të saj. Një shembull i shkëlqyer i asaj që shqiptarët mund të arrijnë në Evropë me përkushtim dhe punë të palodhur.’- shkruan ambasadorja.
Luiza Gega gjatë ceremonisë, foto e publikuar nga ambasadorja në Twitter.
Kutjojmë se Christiane Hohmann ka nisur misionin e saj diplomatik në vendin tonë këtë vit si pasuese e Luigi Sorecës. Ajo dikur mbante postin si ambasadore e Gjermanisë në Estoni dhe më parë ka shërbyer si ambasadore gjermane në Bosnjë-Hercegovinë.’