Pas deklaratës së presidentit të Formula 1, Stefano Domenicali, se nuk do të zhvillojnë më kurrë një garë në Rusi, ka ardhur replika nga ana e zyrtarëve rusë. Ai që ka folur është Dmitry Svishchev, presidenti i administratës sportive në Dumën ruse.
Ai ka ngritur gishtin kundër Domenicali, diku iu referuar kontratave të firmosura në të shkuarën. “Ai tha se nuk do të ketë më kurrë një garë të Formula 1 në Rusi, por ai i pari duhet të shohë me kujdes kontratën që ka me ne”, tha Svishchev.
“Nëse gara do të anullohet, atëherë ata duhet të na kthejnë pas paratë që kanë marrë nga ne. Nëse nuk doni të garoni tek ne, ktheni pas të gjitha paratë që keni marrë, pasi ato janë paguar për garën e ardhshme”, tha Svishchev për mediat.
“Kjo më duket si një mashtrim, si një vjedhje, pasi ai vendim nuk bazohet në asnjë princip sportiv. Domenicali duhet të rishohë ato që ka thënë. Ne do të shohim çdo mundësi ligjore për të rimarrë paratë që kemi dhënë”, tha Svishchev.